Sot në ditëlindjen e 90-të të kardinalit Ernest Simoni, martirit të gjallë dhe dëshmisë së përkushtimit

Ai që sfidoi me qëndresë, me besim, me të gjallët e tij si dëshmi e ngadhnjimit mbi të keqen, e sfidës së besimit dhe shpirtit qëndrues, sot mbush 90 vjeç. Një jetë kushtuar përkushtimit dhe Krishtit, një kalvar i pambarimtë i përballjes me atë forcë që bën zap tundimit të djallit me devocion. Ai, Ernest Simoni Troshani, vjen në këtë përvjetor të 90-të si një përvojë e papërulur, së cilës i besohet posti i kardinalit, një barrë që ai e mban mbi supet e besimit.

Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, pikërisht sot, mbush 90 vjeç. Martir i gjallë, i cili përveç peshës së viteve, ka mbi supe një histori të tërë persekutimesh e burgjesh komuniste, por edhe një jetë feje të gjallë në Krishtin.

90 vjet janë një moshë e rëndësishme, për të cilën çdo njeri duhet të falënderojë Zotin. E aq më shumë një martir i gjallë, i cili përveç peshës së viteve, ka mbi supe një histori të tërë persekutimesh e burgjesh komuniste, por edhe një jetë feje të gjallë në Krishtin.

Ky martir i gjallë është kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, i cili pikërisht sot mbush 90 vjeç. Nuk është data, që i figuron në dokumente, por ai e di mirë se nuk e regjistruan në datën e lindjes, por në ditën e Pagëzimit, siç ndodhte rëndom para 90 vjetësh. Të pagëzuarin e atëhershëm në Krishtin, bota e tërë e njohu vetëm më 21 shtator të vitit 2014, ditën kur në katedralen e Shën Palit në Tiranë, Papa Françesku, në vizitë njëditore në Shqipëri, dëgjonte i mallëngjyer dëshminë e tij. I burgosur, i torturuar, i përçmuar në punë të detyruar, disa herë i dënuar me vdekje, don Ernesti ia besoi jetën e vet Jezusit e kështu i mbijetoi totalitarizmit, pa u përçudnuar.

E ndërsa u thoshte të gjithëve se nuk ishte i denjë për kardinal, kur Papa e krijoi të tillë, i bëri katolikët t’u vinin në mend fjalët e himnit të mrekullueshëm ungjillor: “I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit”.  Ashtu siç do të lartoheshin, menjëherë pas tij – kësaj radhe në nderimet e altarit – edhe 38 martirë të lumë shqiptarë. Ata u martirizuan për fenë, ndërsa njerëz si kardinal Simoni jetojnë akoma, për të dëshmuar Krishtin, për të na treguar ferrin nga kanë dalë, që më të rinjtë as ta mendojnë se mund të kthehen, kumton në dedikimin për këtë ditë të shenuar R.SH. – Vatikan.