Sot 18 vite nga 11 Shtatori 2001, “ferri” që vrau ëndrrën e njeriut për “parajsën”

Nga Albert Vataj

Edhe Dante Aligeri nuk ka mundur ta përfytyrojë në Komedinë Hyjnore një cak të këtillë tmerri, një prag frike që nguliti në vetëdijen e njerëzimit sulmi apokaliptik i 11 shtatorit 2001. As vetë ai që ka shpikur ferrin, nuk e ka ngjizur në aq terr dhe tmerr këtë cak, sa ç’përjetuan ata fatkeq që u përfshinë nga kjo zezonë. Zërat e tyre përgjërues nuk i dëgjoi askush veç vdekjes. Zjarri dhe hiri, klithmat dhe frika, vetë vdekja, që kapluan atë realitet e vendosën njeriun modern në pozita inferiore. Nuk kishte më paqe. Kishte marrë fund kapardisja dhe vetëmburrja. Gjithçka kishte ndryshuar. 11 Shtatori 2001, ishte dhe mbeti, “ferri” që vrau ëndrrën e njeriut për “parajsën”.

Çdo ferr tjetër faqe kësaj toke, veç 11 Shtatorit 2001 që kaploi Nju Jorkun, është thjeshtë një përfytyrim që e mban tmerrin në periferi dhe kurrë një panoramim i ditës së territ që goditi me makthin e të keqes. Ata që e panë dhe e përjetuan këtë ngjarje apokaliptike, nuk kanë aftësi të përshkruajnë dhe ta rijetojnë në përmasat e saj të njëmendta, sikundër edhe ta shuajnë. Sulmi terrorist, i projektuar dhe i zbatuar mbi Kullat Binjake të Uorlld Trejd Sentër të Manhatanit, në Nju Jork dhe mbi Pentagonin në Uashington, i ngjante më shumë një mirazhi fantashkencor sesa një ngjarjeje të vërtetë. Edhe sot pas 18 viteve, ka njerëz që vazhdojnë të mos e besojnë atë që ka ndodhur në të vërtetë. As fantazia më e shpenguar nuk mund të parashikonte një dhunim kaq brutal e kaq të pamëshirshëm të një prej krenarive të civilizimit modern, vendit që ka shkruar faqet më të rëndësishme të paqes dhe demokracisë moderne.

11 Shtatori 2001 ishte dhe mbeti një ngjarje kulmore e historisë së SHBA-ve dhe mbarë njerëzimin, ngjarje që lëkundi nga themelet ekuilibrat botërore, ndryshoi botën duke e hedhur atë vrullshëm në një erë të re.

Edhe sot pas 18 vitesh e ndjej atë tronditje. Shikoja si i shastisur raportimet televizive nga vendngjarja, duke u ndjerë gjithnjë dyshues për atë që po ndodhte. Kanë kaluar plot 18 vite nga ajo ditë, nga ajo e papritur tronditëse që shtangu botën. Kanë kaluar 18 vite qysh prej atij momenti ngjethës, asaj të shkuare që kafshon me makth botën e qytetëruar edhe sot. Gjithçka ndodhi kaq befas dhe kaq shpejt, tamam si një parathënie e një apokalipsi. U sulmua zemra e SHBA-ve, zemra e demokracisë, zemra e nevojës për të besuar tek e mundshmja e parajsës tokësore. Vijmë sot në këtë përvjetor të tragjedisë amerikane dhe përulemi me respekt për jetët që u flijuan në themelet e kësaj zgafelle vdekjeje, klithmë frike, paniku dhe pasigurie, me të cilën bota e qytetëruar po përballej.

Përkujtimi i ngjarjeve të përmasave apokaliptike, siç ishte ajo e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, më shumë se një përshpirtje për viktimat e kësaj gjëme, është një ndërmendje për të tashmen, për themelet ku kemi ndërtuar ëndrrat tona, ardhmërinë e fëmijëve tanë. E shkuara është një memuar në vetëdijen e njerëzimit, një makth tmerrndjellës, që na prish gjumin e na shkërmoq dëshirimet. Ndërsa përpiqesh të bashkosh copëzat e asaj dite tmerri të 18 viteve të shkuara, rrekesh në atë orvatje të të pamundurës; të rijetosh ato momente ngjethëse, të ngopesh me frymë nën peshën e rëndë të asaj shastisjeje edhe pse gufimi i atij zjarri është bërë gjaku i kohës, ritmi dhe filozofia e së tashmes. Sot pas kaq vitesh, pas ngulmit për të davaritur kujtimin e asaj ngjarjeje, sërish rropatesh shpresëhumbur të bësh diçka, qoftë edhe të rilindësh si një feniks, ndërsa mes kujtimesh të vagullta përpiqesh të hedhësh hapin në hirin ngjyrë kafe të trupave të djegur. Drithëron e fryma të merret, ndërsa të duhet që në këto përjetime, të thithësh taftin kudërbues të vdekjes, i cili fluturonte mes tymit që shkulmonte prej rrënojave dhe pluhurit që mbante të ngërthyer në një argamedon atëkohjen mbamendëse të ferrit. Përpiqesh të lësh në të shkuarën atë që e tashmja nuk nguron të ta kujtojë pambarimisht dhe ta jetojë në çdo hap.

Bota nuk është më si 18 vjet më parë. SHBA-të nuk mund të jenë siç ata dëshiruan, siç ata ndërtuan të tashmen e tyre të ëndshme për sekënd në botë. Ata u goditën pikërisht aty ku nuk e prisnin, u gjunjëzuan, ndoshta për të besuar se mitet e paprekshmërisë rrëzohen një ditë dhe bashkë me të shembet parajsa e shumëëndërruar tokësore.

18 vite më parë, më 11 shtator 2001 bota u përball me një ngjarje më kulmore të historisë së saj moderne. Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhen objekt i sulmeve terroriste më vdekatarët që përballej deri asokohe ky gardian i lirisë dhe demokracisë. Plot 2996 njerëzve përfshi 246 pasagjerët e katër avionëve, 19 pengmarrësit, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë, gjetën vdekjen. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.

Civilizimi modern, e sotmja që pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, ka ndryshuar. 18 vite janë të mjaftueshme për ta dëshmuar këtë. Asgjë nuk është si më parë. Gjithçka në perëndimin e ëndërruar nga të gjithë ka ndryshuar në themel. Frika, droja dhe pengimi janë tashmë vetëdija e kohës ku jetojmë. Njeriu modern e ka humbur aftësinë e sundimit të parajsës së premtuar, të cilën ai e ndërtoi me kaq pasion e përkushtim, me kast për të besuar se ajo mund të ishte kaq e prekshme sa ishte e dëshiruar.

E shkuara cyt përfytyrimet më të përbindshme të frikës. E sotmja, pa mundur të nxjerrë dhe aq mësime nga pësimet e së shkuarës, fatalisht vazhdon ta shtrojë me kafka rrugën e bashkëjetesës dhe afrinë në përplasjen mes qytetërimeve. Me vdekje dhe varre po lëron lavrat e përtëritjes së botës njeriu modern, ky njeri që rreket çdo ditë të përmirësojë jetën e tij, duke i besuar rrejshëm se gjithçka është e mundshme nëpërmjet parasë dhe teknologjisë. Paqja dhe siguria dhanë shpirt përnjëherësh me 2996 jetët që u bënë “theror” për transformimin e botës, për ndryshimet e ngulmëta të saj. Sulmet terroriste të 11 Shtatorit bënë fli jetën e njerëzve të pafajshëm dhe e gremisi të sotmen e Amerikës dhe botës së qytetëruar në një spirale paniku dhe paranoje. Askush nuk beson më tek askush. Kudo je i survejuar dhe i përndjekur nga frika. Çdo avion që merret peng është një çelës që hap portën e ferrit, është një tmerr që kërkon me ngulm të vrasë paqen dhe të kërcënojë jetën e njeriut, është një tjetër hap apokaliptik i njeriut në të pamundurën për të jetuar në një botë të të gjithëve. Gjithqysh, 11 Shtatori është një vragë në tru të njerëzisë, një e pamundur për t’u shpërbërë prej harresës.

Sot shoqëria njerëzore përballet për nga e pamundura, në ngulmin për të nxjerrë mësime nga pësimet, për të flakur tej si një ëndërr të keqe këtë apokalips. Ajo jeton çdo ditë me këtë fatalitet, me bashkëjetesën e minutave të ferrit dhe përpiqet pareshtur të mund të rifusë në udhën e vet shpresat, të mund të rizgjojë energji përtëritëse, të mund të rikthejë besimin mbi gërmadhat e apokalipsit. Dhe këtë duket se Amerika dhe vullnetet për paqe dhe bashkëjetesë, tolerancë dhe mirëkuptim e kanë të vështirë që ta realizojnë. Këtë e dëshmon realiteti në përballjen me ISIS, aleancat e brishta për ridimensionim të vlerave të demokracisë dhe humanizmit, të cilat hera-herash gjenden në udhëkryq.

11 Shtatori 2001 ishte dhe mbeti një ngjarje kulmore e historisë së qytetërimit. Terrorizmi, vdekja, tmerri po rreken dita-ditës të kërkojnë gjithnjë më shumë vend në të sotmen e vendeve të qytetëruara. Megjithatë SHBA-të vijojnë të jenë gjithnjë e më shumë të vendosur për të luftuar të keqen që kaplon, për të rikthyer besimin te demokracia dhe për ta bërë botën një të mundshme bashkëjetuese për të gjithë. Ndoshta kjo për shumëkënd duke e pamundur, për ata që përpiqen nuk është asnjëherë e mjaftueshme ajo që bëjnë.