Sod 95 vite ma parë, më 24 mars 1923 u lind në Shkodrë, Gjon Shllaku, shëmbëllimi më i përsosun i njeriut fisnik dhe dijeshumë

Nga Albert Vataj

Sot 95 vite ma parë, më 24 mars 1923 u lind në Shkodër, ai që do të mbetej në kujtesën e të gjithë atyne qi e njohën, shëmbëllimi më i përsosun i njeriut fisnik dhe dijeshumë.

Ai ishte nji prej atyne identiteteve qi përfaqsuen jo vetëm shembullin ma t’përsosun të qytetaris shkodrane, por vunën themelet e njeriut misionar, njeriut ngadhnjyes, veprimtarit t’përulun t’vlerës, kulturës dhe traditës.

Për tan njata qi nuk e njihni dhe ndigjoni sot s’pariherë të flitet për Gjon Shllakun, un munden me than se ai ka pas të rrallë shokët, për nga dija, kultura dhe qytetaria. Me te na lidh jo vetëm Iliada, letërsia klasike qi e bani me folë shqip, nji kolan e gjatë krijimesh, fjalori Latinisht-Shqip, qi i mori vitet e mbrame të jetës, por mënyra qi ky gjeni zgjodhi me naltsu panteonin e vet. Ai kurrë nuk u ankua, megjithëse vuajti, ai kurrë nuk ngau pas të drejtave dhe privilegjeve, megjithëse i takonin si rrallëkujt, ai kqyri punën e vet, u përpjek me e ba atë si asht ma mirë dhe pati kurajon intelektuale për me vlerësu punën dhe angazhimin e të tjerëve, pa u drasht se kjo ka me i eklipsu diellin e tij.

Gjon Shllaku ishte një ndër dishepujt më të devotshëm të dijes, pasionit për aktin e krijimit dhe vetmohimit, përkushtimit dhe virtytit. Ai ishte shëmbëllimi më i përplotësuar i njeriut të përkorë. Si pakkush kam patur fatin ta njoh dhe ta takoj, fatkeqësisht për herë të fundit një vit përpara se të ndahej nga jeta. Gjithçka në të ishte e dlirë. Zërin dhe vështrimin i mbamend si më paqësoret që kisha rrokur deri asohere.

Tançka për të cilën na mbete me u krenu prej kësaj figure nuk janë dhe aq vlerësimet dhe mirënjohja, është vepra që la, puna e tij vetmohuse, emni i tij i pashlyem në kujtesën e gjithkujt qi ndjen nevojën për me ken i ndritun prej rrezeve të këtij shëmbëllimi të së përsosurës.

Ai ishte nji prej atyne emrave dhe veprave, qi kanë me ken testamenti ma i vyem i pasunis tonë qytetare dhe shpirtnore, për të cilën mirënjohja asht nji detyres e çdo gjenerate.