Skulptura e Pjetër Arbnorit, plasin polemikat në rrjetet sociale, flet autori, Sadik Spahia

Nga Anta Muçaku për newsbomb.al

Dje u përurua para Parlamentit, busti i Pjetër Arbnorit, ish-kreut të Kuvendit, i cilësuar ndryshe si “Mandela shqiptar.” Nga bashkimi i personazheve të politikës, debati është zhvendosur te realizimi i bustit nga skulptori Sadik Spahia.

Shumë e kanë pritur keq dhe e kanë cilësuar një “shëmti” të gjallë këtë bust. “Duket sikur e kanë ngritur Lugat dhe e kanë vënë aty për të qarë hallet e tyre”, shkroi hapur Manjani.

Edhe profesori Albert Nikolla e cilësoi një “viktimë të shëmtisë” bustin e Arbnorit. Por nga ana tjetër, kritikë të artit, miq e të afërm të Mandelës shqiptar, e kanë uruar skulptorin për këtë vepër.

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili zbuloi skulpturën i tha profesor Spahisë se e ka realizuar skulturën, ashtu sikurse ai e njihte Arbnorin, “të gjallë e të lumtur”.

Bashëshortes së Arbnorit, Suzanës , iu desh pak të mësohej por tashmë, siç thotë profesor Spahia, e ka përqafuar veprën e sjellë prej tij.

Skulptori shpjegon për newsbomb.al pse zgjodhi ta sillte pikërisht kështu figurën e Arbnorit dhe kush është mesazhi që përcjell.

“Trupi nuk është trupi fizik i tij por materiali mbi të cilin shkruhen faqet e historisë”, shprehet skulptori.

INTERVISTA E PLOTË:

Profesor, rrjeti “vlon” nga reagimet për realizimin e skulpturës së Pjetër Arbnorit. Shumë e cilësojnë një “shëmti të gjallë” këtë vepër. A i keni ndjekur këto reagime?

Unë nuk jam shumë aktiv në rrjetet sociale por sa i takon skulpturës mund t’ju them se vepra nuk synon të pasqyrojë fizikun e Pjetër Arbnorit por të japë një paraqitje të formimit të tij.

Në tërësi janë përdorur tre elemente, elementi horizontal i gurit që shpreh kalvarin në qasjet e tij në jetë, që nënkupton shtatin e tij, një letër e shkruar e palosur që njerëzit e mbajnë në dorë, nënkupton veprimtarinë  e tij. Sipër është koka. Kjo është një metaforë skulpturore.

Në veprën time nuk kam parë një përshkrim të drejtpërdrejtë të figurës si përshkrim vizual, si imazh konkret i njeriut por një kompozim, metaforë e personalitetit.

A ka ndonjë vepër të ngjashme nëpër botë që ka ngjallur pakënaqësi te publiku?

Mund t’ju përmend Auguste Rodin me veprën “Qytetarët e Kalesë”. Kjo vepër e skulptorit të madh francez nuk u pranua nga bashkohësit e tij sepse e vlerësuan si një vepër të padenjë për ta vendosur në sheshe publike se u prishte imazhin, por mbas 50 vjetësh e  kërkuan vetë ta vendosnin.

Unë nuk e mohoj që ka vepra të cilat janë realizuar vërtet dobët e nuk meritojnë as vlerësim e as vëmendje por ka edhe vepra pastaj që nuk përkojnë me qasjet kulturore.

Pse zgjodhët ta sillnit pikërisht kështu bustin e Pjetër Arbnorit? A është ky një provokim apo bart ndonjë mesazh specifik? Na tregoni çfarë kishit në “kokë” kur e realizuat?

Unë nuk doja të mbaja një qendrim fotografik të figurës, nuk doja të sillja një imazh fizik të Pjetër Arbnorit, më interesonte më shumë personaliteti i tij. Ai është konsideruar Mandela shqiptar për historinë e tij shumë të gjatë në burgje, kontributin e tij në demokraci, raportet e tij me politikën në atë kohë dhe në kohën e sotme, natyrën e tij të veçantë komunikuese. Ai megjithse kishte një jetë të rënë e të coptuar, emetoi paqe, dhe dituri.

Kompleksi në tërësi i veprës nuk është një paraqitje servile e natyrës por është një metaforë e një jete, e cila nga koha është cënuar në forma absurde. Megjithatë ai është njeriu, që arriti t’i japë demokracisë një kuptim dhe kontribut të çmuar, sepse portreti i tij është Pjetër Arbnori me shikimin e tij depërtues dhe me një fjalë që i del nga goja me paqe e mirësi, pra trupi nuk është trupi fizik i tij por materiali mbi të cilin shkruhen faqet e historisë.

Po familjarët e Pjetër Arbnorit si e kanë pritur këtë vepër?

Unë sapo fola me bashkëshorten e tij, së cilës iu desh një kohë e caktuar me zgjidhjen në përgjithësi. Ata më kanë uruar për mënyrën që kam gjetur për të sjellë figurën e Arbnorit. Shpesh me vepra të një natyre të tillë i duhet një argument i caktuar për t’u mësuar me të.

Natyrisht unë kam parë vepra të cilat janë realiste, me harmoninë natyrale të figurës njerëzore por ky është një rast më tendencioz i cili nuk mbështetet në respektimin e një harmonie vizive por ecën në rrugë tjetër, në një poetikë tjetër, të cilën e dominon jeta e veçantë e këtij personaliteti.

Natyrisht duhen kohë që njerëzit të mësohen me to sepse i qasen në mënyrë jo korrekte veprës për shkak të kulturës së tyre. Reagimi është i pritshëm sepse shumica e njerëzve janë të edukuar me vepra të realizmit socialist, me patetizmin e atyre veprave ku ekziston linja e fitores, e heroizmit, e ngadhënjimit mbi gjithçka ndërsa unë tentoj të sjell linjën e të vërtetës së personazhit, nuk kam fabrikuar gjë veç të vërtetës,  e kam thënë me mjetet e skulpturës.

Kush është mesazhi që sillni ju si autor i kësaj vepre?

Unë nuk kam dashur ta vras për së dyti, unë kam dashur të them një të vërtetë, të denoncoj një të keqe politike që ka ndodhur në Shqipëri, dhe ndoshta disa njerëzve iu dhemb e vërteta.