Skandaloze, 170 zyrtarë shqiptarë në listën e zezë të SHBA-së, Amerika u ndalon hyrjen

Selia diplomatike vëren se refuzimi i vizave ka ardhur për shkak të informacioneve që ka marrë në lidhje me drejtues të lartë të përfshirë në afera dhe abuzime, për të mbështetur përpjekjet antikorrupsion.

“Ambasada e SHBA vazhdon të ushtrojë autoritetin e vet të gjerë për të mohuar dhe revokuar vizat bazuar në informacione që tregojnë se një person mund të jetë i papranuar në shtetet e bashkuara dhe do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion në Shqipëri. Ambasada e ShBA i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publik me kontroll shtetase”, sqaron ambasada.

Qëndrimi për të mos lejuar zyrtarë e ish zyrtarë të udhëtojnë drejt SHBA-së, lidhet edhe me reformën në drejtësi:

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka marrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të Vettingut, i cili do të vlerësojë  lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsion, si dhe në një përgjigje të një rasti  që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi  në revokimin e vizave të tyre”, thuhet më tej.

Deklarimi zyrtar i ambasadës amerikane vjen në kohën kur pak ditë më parë, kryeministri Rama sfidoi ish-kryeministrin Berisha në lidhje me udhëtimin drejt SHBA, duke nënkuptuar refuzimin e vizës për të dhe familjen e tij.

Vetëm Berisha mohoi akuzën, por nga ana tjetër, ambasada amerikane nuk pranoi të bëjë asnjë koment për këtë çështje.

Vizion Plus