Situata politike në Shqipëri, opozita, Rama dhe pashmangshmëria e zgjedhjeve të parakohshme

Nga Albert Vataj

Situata politike në Shqipëri është në një fazë kritike. Opozita duke djegur mandatet, jo vetëm ka konsumuar një hap radikal të formës reaguese ndaj keqqeverisjes dhe kapjes së shtetit, por ka nxjerrë në pah problematikat që bart në vetvete si një rast i paprecedentë. Protestat e vazhdueshme për përpiqen të krijojnë idenë e një mbështetjeje popullore që ka marrë ky hap i opozitës. Shtrirja e këtyre tubimeve edhe në qytetet e tjera, dukshëm rrezikon ta drejtojë vendin drejt në një sutat gjithnjë e më të tensionuar. Gjithsesi, vatrat e pakënaqësisë sa vijnë dhe shtohen. Me gjithë apatinë dhe ndrydhjen e vullneteve reaguese që janë tashmë karakteristikë e një pjese të opinionit, i cili ose është zhgënjyer nga politika, ose në një farë mënyre jeton në pajtueshmëri me atë që për opozitën është një e keqe që duhet denoncuar dhe shporrur nga drejtimi vendit.

Nga ana tjetër, Kryeministri, Edi Rama vijon fushatën e tij propagandistike, duke u përpjekur të eklipsojë opozitën në qëndrimet e saj të panegociueshme për qeverisje tranzitore që garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Kësaj maskarade makiaveliste i shtohen përpjekjet e ethshme për të zëvendësuar mandatet e djegura, me një tjetër opozitë fasadë. Megjithëse kjo ka kosto dhe nuk propozon asnjë zgjidhje, Rama po i mëshon aprovimit të krijimit të një opozite të re, e cila do të “pasurohet” me eksponentë të mënjanuar, të cilët po thyejnë vendimet politike, gjoja për të përfaqësuar vullnetin e zgjedhësve që kanë votëbesuar ata.

Sido që të ndjek ecurinë e vet jeta e gjymtuar politike, cilat do qofshin deklaratat e ndërkombëtarëve dhe faktorit politik proqeveritar, krijimi i një qeverisje tranzitore, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, janë absolutisht të pashmangshme. Rama, e di mjaft mirë që ky hap është pandryshueshëm, por nuk besoj se duhet të jetë në dijeni, se sa më shumë që të zvarrisë uljen në tryezën e bisedimeve dhe arritjen e një pakti politik, aq më me kosto do të jetë për të. “Armikut nëse i do të keqen, lërë të gabojë deri në fund” thuhet në një maksimë, dhe me gjasë Edi Rama do të jetë një viktimë e këtij gabimi deri në fund.

Ajo që mund të thuhet në një vështrim horizontal të zhvillime aktuale është se, pavarësisht se situata rreket të pasqyrohet e qetë, ajo i ngjet një qetësie para stuhisë. Opozita nuk ka shfaqur ende lëkundje në vendimin e saj ekstrem, sikurse dukshëm ajo po kërkon krijimin e kushteve për ta çuar drejt zgjidhjes, lëmshin që ka ngatërruar. E paparashikueshmja mund të ndodhë çdo moment. Shteti në përgjithësi dhe Rama në veçantë po përpiqen të fshihen pas deklaratave të ndërkombëtarëve që janë kundër këtij hapi të opozitës. Përpjekja e Ramës si protagonist, për të bërë në asgjë krizën politike në të cilën ndodhet vendi, është jo vetëm një tentativë mjerane për ta mbuluar diellin me shoshë, por edhe një provokim në rritje që ai i bën opozitës. Atij i duhet, sot o kurrë të tregojë se është i interesuar për gjetjen e një vullnet politik që i jep rrugëzgjidhje situatës së krijuar. Pretekst dhe kamuflimet vetëm se i denigrojnë më tepër kredencialet politike që ka në popull. Arroganca si një prej shtysave kryesore të opozitës në këtë radikalizëm të mjeteve reaguese, vijon të jetë ajo maska e shëmtuar që kreu i ekzekutivit po vijon të përdorë për të fshehur fytyrën e vërtetë dhe tensionin ku i ka degdisur djegia e mandateve ekuilibrat e jetës politike në vend.

Ajo çfarë opozita kërkon është e pashmangshme. Sa më shpejt që qeveria të kuptojë këtë aq më në favor për të është. Një Shqipëri monopoartiake do të jetë çdo ditë e më e patolerueshme, kryesisht nga ata, faktori ndërkombëtarë dhe aktorët e përfshirë në këtë skenë, të cilët vijojnë t’i bëjnë temena qëndrimeve të Ramës.