Si u organizua kryengritja antikomuniste e Postribës që shpërtheu dhe u shtyp me gjak më 1946?!

Shtatorin e vitit 1946, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend. Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore.

Në malet e veriut, ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit etj., në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit etj., po kështu në Shllak etj.

Në Postribë situata ishte në shpërthim. Filluan të zhvilloheshin mbledhjet e para, me qëllim pjesëmarrjen sa më të gjerë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj.

Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë.

Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Në mbledhje morën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Më datën 07.09.1946 një autoritet tjetër, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen e Postribës.

Dëshmia e Hamza Kazazit

“Qysh më ’45-ën filloi organizimi i një kryengritjeje të përgjithshme. Qysh kur koloneli Nil i misionit anglez për veriun në Shqipëri, i premtoi Jup Kazazit ndihmën e anglezëve nëse do të ngriheshin e do të organizonin diçka në Shqipëri”, thotë i biri i Jup Kazazit. Sipas tij, është e dokumentuar se Koçi Xoxe e Enver Hoxha kërkonin kapjen me çdo kusht të Jup Kazazit, sepse po organizonte një kryengritje të armatosur. Ai dhe 4 vëllezërit e tij ishin dënuar me vdekje nga Enver Hoxha, edhe pse vetëm 2 prej tyre ishin marrë me politikë. Dhe mes largimit nga Shqipëria e rezistencës, ata zgjodhën këtë të dytën. “Terrori ishte i tmerrshëm. Janë pushkatuar katundarë që u kanë dhënë vetëm një gotë qumësht kryengritësve. Megjithatë, është bërë i mundur komunikimi dhe ishte vendosur që kryengritja të zhvillohet në Shkodër, Mirditë. Madje, krerët e Dibrës po përgatisnin kryengritjen në Dibër e Kosovë. Ishin lidhur edhe me Pukën, madje pjesërisht dhe në Jug. Për fat të keq, prej terrorit të madh ishte jashtëzakonisht i vështirë komunikimi dhe nuk u arrit të organizohej një kryengritje e përgjithshme dhe Postriba, me në krye bajraktarin dhe patriotë të tjerë, pa dallim principesh politike u bënë të gjithë bashkë. Njerëz të thjeshtë të Postribës e Shkodrës u çuan me armë për të luftuar”, tregon Hamza Kazazi, i cili numëron mes njerëzve të tij 9 të vrarë dhe 9 të burgosur, me nga 5-22 vite burg. “Persekutimi ishte i tmerrshëm. Nëna ime, grua e re me dy fëmijë, punoi punëtore krahu nëpër ferma e ndërtim. Gjithë rrethi im, gjithë Kazazët, vajzat e reja kanë punuar në punët më të rënda. Kurse unë kam punuar vetëm në fermë. Time më erdhën ta merrnin teksa dergjej me ethe në shtrat. Do ta merrnin me gjithë dyshek, por i shpëtoi internimit me një raport të doktor Shirokës”, thotë ai, teksa kërkon që të gjitha këto të vërteta të thuhen. “Faktet dhe dokumentet nuk na mungojnë”, thotë ai.

Lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

Lëvizja e Postribës është lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës kryesisht nga Postriba e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste diktatoriale, prandaj me shumë dëshirë dhe të bindur morën pjesë në këtë lëvizje që ka vlera të mëdha në planin lokal, kombëtar, politik dhe gjeopolitik. Marrëveshja e Jaltës, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik, ekonomik dhe shoqëror. I gjithë kombi shqiptar pati konseguenca politike e shoqërore. Kosova u bë pjesë e federatës ish-jugosllave dhe Shqipëria dhe shqiptarët të gënjyen nga klika e ardhur në pushtet, vuajtën për 50 vite një prej diktaturave më të egra të njerëzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuan diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën.

Prandaj lëvizja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar. Sami Repishti për këtë ngjarje është shprehur: “Ushtarakisht lëvizja e 9 shtatorit 1946 ka kenë një akt i guximshëm i papërgatitun. Lëvizja dëshmonte një politikë kriminale që po zbatohej”. Rasim Gjyrezi, Riza Dani dhe Dulo Kali, Paulin Pali për nacionalistët, ishin pjesë shumë e rëndësishme e lëvizjes krahas grupeve të tjera. Këto nacionalistë dhe qytetarë patën vetëdijen dhe e parashikuan se komunizmi në Shqipëri, do të sillte vetëm varfëri dhe krim, prandaj u lidhën me shumë sinqeritet me këtë lëvizje, për të ndikuar sadopak për pengimin e vendosjes të pushtetit komunist dhe diktaturës sllavo-komuniste. Lëvizja nuk ja arriti qëllimit, por ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit. Shqipëria ishe “përcaktuar” të vuante diktaturën 50-vjeçare, falë edhe qeverisjes diktatoriale të Enver Hoxhës dhe përkrahësve të tij. Prandaj Lëvizja e Postribës duhet të marrë vlerat e saj si në planin politik, historik dhe gjeopolitik. Kryengritja e nacionalistëve, elitës së qytetit të Shkodrës dhe e fshatrave përreth, ishte shkëndija e parë për rezistencën antikomuniste jo vetëm tek ne, por në të gjithë Evropën.

Gjeopolitika në rajon ka pas dhe ka një rëndësi të madhe. Fitorja e forcave aleate e vuri Shqipërinë në krahun e fituesve, gjë që u shfrytëzua në formën më kriminale nga regjimi i Enver Hoxhës, duke vrarë elitën dhe shkatërruar vendin në planin ekonomik, shoqëror dhe shpirtëror. Sipas marrëveshjes së Jaltës, Shqipëria ra nën thundrën komuniste 50-vjeçare, dhe Kosova u la si pjesë e ish-Jugosllavisë. Pikërisht faktori i jashtëm dhe tradhtia që i bëri klika e Enver Hoxhës Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët, duke e shitur Kosovën tek ish-Jugosllavia titiste, e “parashkruan” në njëfarë mënyre fatin e kryengritjes së Postribës dhe të shumë të dënuarve dhe të pushkatuarve në burgjet ish-komuniste.

Historia e Postribës

Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive. Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjeten e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazes 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane. Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për Çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Por shumë shpejt ashtu si gjithë shqiptarët, por pastriborët më parë se të tjerët e kuptuan mashtrimin e madh komunist, natyrën e tyre antinjerëzore, antidemokratike, antifetare, antiperëndimore dhe iu kundërvunë asaj. RD