Si përfundun në Shën-Petërburg dy jataganët, kryevepra të artit zejtar shqiptar

Në vitin 1998, zëvendës-kryekomandant i parë i flotave luftarake-detare të Rusisë, admirali Igor Vladimiroviç Kasatonov, vizitoi Muzeun Qendror luftarak-detar në Shën Petërburg dhe dorëzoi për ruajtje të përjetshme jataganët e dhënë si kujtim. Në Shqipëri? Po. Kështu thuhet zyrtarisht. Dy jataganë shqiptarë në Shën-Petërburg, që paraqesin simbolikën e konfliktit Enver-Hrushov gjatë Luftës së Ftohtë. Çarja e rrethimit në Vlorë e rriti komandantin e Flotës së detit të Zi në nivelet e larta të komandimit të luftanijeve dhe nëndetëseve bërthamore të superfuqisë së lindjes komuniste. Ai pati sherr me Enver Hoxhën. Është Vlora, vendi ku bëri praktikën i biri i Kasatonovit, si kursant për oficer. Aktualisht, me të njëjtën gradë të lartë me të atin e ndjerë. Admirali Kasatanov, që arriti të rrëmbejë në Vlorë 8 nëndetëset, mori me vete dhe dy armë të ftohta, kryevepra të artit zejtar shqiptar. Gjithsesi, ato mbartin dhe një mister. Në familje askush nuk di për origjinën. Ndërkohë ekspertët kanë thënë se vijnë nga Shqipëria.

RASTI I PARË NË 300 VJET
Gjatë disa dekadave dy jataganë janë ruajtur si relikte familjare në familjen e Kasatonovëve, e cila i dha Rusisë dy zëvendës-Kryekomandantë të Parë të FLD-së (Flotave Luftarake-Detare) – admiralin e flotës Vladimir Afanasjeviçin në vitet 1964-1974 dhe admiralin Igor Vladimiroviçin në vitet 1992-1999. Në një periudhe 300-vjeçare të historisë ruse ky, ndoshta, është rasti i parë i këtij lloji. Punonjësit e Muzeut Qendror luftarak-detar në Shën Petërburg, thonë se, për fat të keq, kush dhe kur i dhuroi këta jataganë Vladimir Afanasjeviçit, në familje askush nuk mund ta kujtojë. Prandaj dhe kërkimi, i filluar nga punonjësit e muzeut, shkoi në dy drejtime – studim i detajuar i objekteve dhe analizë e shërbimit të kryer nga Vladimir Afanasjeviçi (1910 -1989) në flotë.

12 KORALË TË KUQË
Jatagani më i madh, me numër inventari 56125, ka një teh të drejtë me anë të mprehtë, me gjatësi 57 dhe gjerësi 4 cm me dy ullukë (të çara) të hollë nga të dy anët e sheshta të shiritit që shkojnë përgjatë qylykut dhe mprehjes së njëanshme. Të dy anët e tehut janë të dekoruara me gdhendje kundër ndryshkut dhe ornament gjeometrik të larë me serm (argjend). Bazamenti i tehut në të dy anët është i stolisur me pllakëza lidhëse, të figuruar me dredha elegante, dhe të realizuara në teknikë filigrani dhe me larmi rrahjesh. Doreza e jataganit është përgatitur me aliazh argjendi me ndarje karakteristike dhe hollim në anën e fundit të saj (“veshët”), e zbukuruar me fletushka të laminuara. Veçanërisht 12 koralë të kuqë, të fiksuar në sythe rozetash si dhe dekori me ornamente të çuditshme gjeometrike i japin elegancë dizajnit të hollë artistik të dorezës. Duke vlerësuar tendencën tematike të formulimit artistik të jataganit, veçoritë e tij konstruktive, materialet e përdorura dhe mënyrat teknologjike të bartjes së dekorit, mund të supozohet se armën e e kanë prodhuar mjeshtra ballkanas në fund të shekullit XIX. Është për t’u vënë në dukje se si material për prodhimin dorezës është përdorur lidhja argjend me bakër në raport nga 39:10 deri në 60:40 pjesë. Përveç filigranit, mjeshtrit vendas kanë përdorur gjerësisht derdhjen, gdhendjen, rrahjen, skalitjen, filetimin dhe stolisjen me granulim. Zbukurimet me përdredhje filigrani dhe me dantella, të aplikuara në produktet me teknikën e “telish kafazeli filigranit” në vendet e Ballkanit konsiderohen thjesht shpikje kombëtare. Përzierja e argjendit, bakrit dhe plumbit, shkrirë në zjarr në poçe, gjatë ftohjes i jepte një nxirje (oksidim) specifik, që ishte tipike për armëtarët dhe argjendarët e Kosovës, thonë ekspertët rusë të muzeut të flotës detare të Shën Petërburgut.

SKËNDERBEU NË JATAGANIN E VOGËL
Jatagani i vogël me numër inventari 56126, me një anë të mprehtë prerës, me formë karakteristike të kamës, ka një gjatësi prej 44 cm dhe gjerësi prej 2,5 cm dhe një ulluk të ngushtë, që kalon nëpër të gjithë gjatësinë e dy anëve të sheshta të shiritit. Jatagani i vogël, me sa duket, është prodhuar në kufirin e shekujve XIX-XX. Ndryshe nga jatagani i madh, identifikimi i jataganit të vogël rezultoi dukshëm më i thjeshtë. Këtu, në dorezën e derdhur në metal me shkëlqim, lehtësisht shihet një simbolikë tipike për mjeshtrit shqiptarë, e përdorur shpesh prej tyre në zbukurimin e armëve – një zog që mban në sqep një gjarpër. Së fundi, më tej në dorezë shihet dukshëm një shqiponjë dykrerëshe (lindje-perëndim) – stema e Shqipërisë që i ka burimet nga stema e fisit të princit shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këllëfi prej druri është i mbuluar me pllaka bronzi në sipërfaqe me ngjyrë argjendi. Dekori i millit është i mbingarkuar. Zbukurimet janë bërë me teknikën e gdhendjes nga brenda. Këtu ka gërshetim të dendur të degëve të ornamenteve floreale dhe gjeometrike, dhe pasqyrim tradicional të “Dragoit”. Dekori i anën së të pasme të millit pothuajse reflekton imazhin në anën e përparme. Gryka e millit është e zbukuruar me ornamente rrethore (floreale dhe gjeometrike). Ka plotësisht mundësi që jatagani të jetë prodhuar në fundshekullin XIX- fillimshekullin XX në qendrën ballkanike më të madhe të prodhimit të armëve të zbukuruars, Prizren. Në Shqipëri prej kohësh është ruajtur tradita për t’u dhuruar perandorëve, diplomatëve dhe njerëzve të nderuar armë të zbukuruara. Ka mundësi që edhe Kasatonovit t’i jetë bërë ky nder, thonë në muzeun e flotës ushtrake-detare të Shën-Petërburgut. Gjithsesi është hamendje.

RRETH BOTËS ME NËNDETËSE BËRTHAMORE
Ka pasur një rrugë të vështirë jete dhe karriere. Në historinë e flotës ruse, ndoshta, nuk mund të gjesh një tjetër admiral, i cili të ketë pasur përvojë komandimi të flotave të Bashkimit Sovjetik – Flotës së Tetë Balltikut, Flotës së Detit të Zi, Flotës së Detit të Veriut dhe Flotës së Paqësorit (si shef i shtabi). Admirali Kasatonov e mbylli karrierën si zëvendës-kryekomandant i parë i Forcave të Armatosura Detare të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1966, me cilësinë e kryekomandantit, mori pjesë në lundrimin e parë në historinë e flotës luftarake-detare rreth botës të nëndetëseve bërthamore, gjë për të cilën u nderua me titullin Hero i Bashkimit Sovjetik. Nga shtatori i vitit 1974 – Këshilltar-inspektor ushtarak i Grupit të Përgjithshëm të inspektorëve të ministrisë së mbrojtjes së BRSS.
Deputet i Sovjetit Suprem të BRSS. Periudha, kur admirali V.A. Kasatonov ishte komandant i flotës së Detit të Zi, në vitet 1955-1962, përkonte me acarimin e situatës në Lindjen e Mesme, ngjarjet ushtarake rreth kanalit të Suezit dhe në Hungari, rritjen e aktivitetit të SHBA-së dhe NATO-s në zonën e Mesdheut. Për të ruajtur konsipracionin, nëndetëset sovjetike dilnin në det nën flamurin shqiptar.

KURSANTI I VLORËS – ADMIRAL SUPERFUQIE
Me sa duket, gjatë një vizitë në Shqipëri Kasatonovit i janë dhuruar jataganët. Në vitin 1959, komandanti i flotës admirali Kasatonov ka bërë një vizitë të radhës në portin e Vlorës. Pas realizimit të detyrave të zjarrit në det të hapur, nëndetësja u kthye në bazë. Fill pas komandantit të flotës në mol erdhi një kursant i shkollës së lartë ushtarake, i cili quhej Igor Kasatonov. Atëherë askush nuk mund ta imagjinonte se pas 30 vjetësh nga kursant i shkollës ushtarake do të dilte një tjetër komandant i flotës së detit të Zi, dhe disi më vonë, një zëvendës-kryekomandant i parë i Forcave të Armatosura Detare të Bashkimit Sovjetik. Dhe në vitin 1998, zëvendës-kryekomandant i parë i flotës luftarake-detare Admirali Igor Vladimiroviç Kasatonov vizitoi Muzeun Qendror luftarak-detar në Shën Petërburg dhe dorëzoi për ruajtje të përjetshme jataganët e dhënë për kujtim në Shqipëri.