Si merrnin kredi për shtëpi individët në periudhën e komunizmit! Kur këshillat e lagjeve kryenin rolin e “analistit”

Kreshnik KUÇAJ/Portali ekonomik SCAN

Praktika e kredive është aplikuar në Shqipëri që para shpalljes së Pavarësisë. Kanë qenë kryesisht kreditë bujqësore ato që janë aplikuar më së shumti, edhe pse nuk kanë munguar kreditë për qëllime biznesi.

Gjithsesi, pas Luftës së Dytë Botërore rruga e nisur do të merrte një drejtim tjetër e si rrjedhojë edhe sistemi bankar në vend do të kishte një funksion tjetër, jo më në shërbim të sektorit privat por në shërbim të sektorit shtetëror.

Gjithsesi, edhe në këtë periudhë nuk kanë munguar përjashtimet, kur sistemi bankar do të mbështeste me financime edhe individët e jo vetëm ndërmarrjet shtetërore apo kooperativat.

Funksionet e kredisë

Kredia në socializëm kryente dy funksione: shërbente si mjet ndihmës për plotësimin e detyrave të planit dhe si mjet kontrolli me anë të lekut mbi veprimtarinë ekonomike financiare të ndërmarrjeve e të kooperativave bujqësore.

Kredia bankare jepej në mënyrë të planifikuar për qëllime të caktuara në bazë të treguesve të plotësimit të planit. Nëpërmjet këtij parimi, banka ushtronte ndikimin e vet mbi ndërmarrjet për ta përdorur kredinë për qëllimin e caktuar. Kredia nuk jepej në formë paradhënie por vetëm atëhere kur lindte nevoja për të në përputhje me nivelin e plotësimit të planit.

Kredia kishte karakter të kthyeshëm dhe jepej me afate të caktuara. Kur ndërmarrja apo kooperativa nuk i kthente bankës kredinë në afat, kjo nënkuptonte se detyrat e planit nuk ishin plotësuar nga ana sasiore ose cilësore. Në këtë mënyrë, nëpërmjet kredisë banka ushtronte kontroll mbi veprimtarinë e ndërmarrjeve

Kredia garantohej me vlera materiale. Nëpërmjet këtij parimi, shteti ushtronte kontrollin me anë të lekut mbi plotësimin e planit të prodhimit e të qarkullimit të mallrave sipas standarteve, kushteve teknike dhe kontratave.

Sipas qëllimeve, kreditë ishin afatgjatra e afatshkurtëra.

Kredia afatshkurtër u jepej ndërmarrjeve për një kohë deri në 12 muaj. Ndërmarrjeve u jepej kredi kur nevojat plotësuese të tyre nuk përballoheshin nga mjetet e veta xhiruese. Në kooperativa bujqësore kredia afatshkurtër jepej për shpenzimet e prodhimit për të përballar paradhënien e anëtarëve etj.

Kredia afatgjatë u jepej kooperativave bujqësore për të financuar investimet dhe ndërtimet themelore, ndërsa ndërmarrjeve u jepej për të vënë në jetë nismat e punonjësve për zhvillimin e teknikave të reja apo për zgjerimin e priodhimit.

Banka e shtetit ishte një hallkë e aparatit financiar shtetëror. Veprimtaria e saj zhvillohej në përputhje me politikën ekonomike financiare të shtetit dhe i shërbente zbatimit të planit unik të shtetit. Në sistemin bankar bënte pjesë Banka e Shtetit dhe Banka Bujqësore. Gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar, banka më e rëndësishme në vend ishte Banka e Shtetit Shqiptar që do të kishte funksionet edhe të bankës qendrore por edhe të një banke tregtare. Banka qendrore do të kishte fillimisht monopolin e pagesave e kreditimit por më vonë këto funksione do t’i kalonin edhe bankave të tjera si asaj Bujqësore e më vonë edhe Institutit të Arkave të Kursimit.

Gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar, bankat ishin në pronësi shtetërore dhe ndërmarrjet shtetërore e kooperativat ishin pothuajse huamarrësit e vetëm në banka.

Sistemi i ri i kreditimit në vend u vendos në vitin 1948 përmes një urdhërese të posaçme të Këshillit të Ministrave. Ky sistem i jepte rëndësi ndërmarrjeve ekonomike shtetërore ndërsa kreditimi bëhej sipas një plani të paracaktuar.

Parimet e reja të kreditit bankar parashikonin një politikë të rreptë financimi për ndërmarrjet, të kontrolluar deri në detaje dhe të garantuar me mallra nga ana e ndërmarrjeve shtetërore e kooperativave.

Kreditë për banesa

Banka e Shtetit Shqiptar dhe Banka Bujqësore u akordonin kredi afatgjata punonjësve të qytetit dhe fshatit, që vërtetonin me dokumente të rregullta pronësinë për shtëpinë apo për pjesë të saj.

Punonjësve të qytetit u jepej për të meremetuar ose për të përshtatur shtëpitë ekzistuese për t’i zgjeruar ato deri në 20 metra sipërfaqe ndërtimi, duke mbështetur pjesën që ndërtohej në një faqe muri të shtëpisë ekzistuese ose edhe mbi 20 metra sipërfaqe ndërtimi kur zgjerimi bëhej në katin e parë por jo më shumë se sipërfaqja ekzistuese e këtij kati.

Punonjësve të fshatit u jepej kredi për të meremetuar, për të përshtatur shtëpitë ekzistuese dhe për t’i zgjeruar ato për banim deri në masën e plotësimit të nevojave me sipërfaqe banimi, duke u mbështetur pjesa që zgjerohej në një faqe muri të shtëpisë ekzistuese ose edhe mbi katin e parë.

Punonjësve të fshatit u akordohej kredi për të rindërtuar apo ndërtuar shtëpi të re kur shtëpia ekzistuese dëmtohej ose paraqitej rrezik për dëmtimin e saj nga fatkeqësitë e natyrës, si shkarje toke, përmbytje, tërmete etj.

Po ashtu, akordohej kredi për raste të veçanta kur shtëpia ekzistuese nuk mund të zgjerohej dhe punonjësi nuk kishte mundësi ekonomike të ndërtonte shtëpi të re. Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit kishte të drejtë të miratonte dhënien e kredisë për ndërtimin e saj.

Punonjësve të qytetit e të fshatit u akordohej kredi edhe për të përballuar shpenzimet që u takonin kur do të restaurohej shtëpia e tyre që ishte shpallur monument kulture.

Kredi akordohej edhe për punonjësit e qyteteve muze ose të lagjeve muze, kur shtëpitë e tyre nuk ishin shpallur monumente kulture, duke përfshirë këtu edhe meremetimin e mureve të avllisë e të portave që kishin tipare dalluese të shtëpive muze.

Kredia afatgjatë për përmirësimin e kushteve të banimit nuk jepet kur shtëpia në bazë të planit rregullues të qytetit ose të fshatit do të prishej brenda 10 viteve, kur shtëpia ishte jashtë vijës kufizuese (me përjashtim të shtëpisë që ishte shpallur monument kulture dhe duhej të restaurohej) si dhe kur shtëpia ishte amortizuar mbi 70 përqind të vleftës së saj.

Po ashtu nuk akordohej kredi ku nuk ishte kthyer plotësisht kredia e marrë më parë dhe kur punonjësi në qytet krahas punimeve me kredi kërkonte të ndërtonte njëkohësisht edhe ambiente të tjera banimi me shpenzimet e tij dhe kur kishte filluar punime për zgjerimin ose rindërtimin e shtëpisë ekzistuese ose ndërtimin e shtëpisë së re me mjetet e veta.

Dokumentet për kredi

Kredia afatgjatë për përmirësimin e kushteve të banimit jepej mbi bazën e këtyre dokumenteve:

-Vërtetim pronësie për shtëpinë ose pjesë të saj si dhe prokurë nga personat që ishin bashkëpronarë për shtëpinë për të cilën kërkohej kredi

-Dokumentin që vërtetonte mosprishjen e shtëpisë sipas planit rregullues brenda 10 viteve nga koha kur kërkohej kredia

-Dokumentin që vërtetonte përqindjen e amortizimit të shtëpisë

-Dokumentin që vërtetonte të ardhurat e familjes

-Certifikatën e gjendjes familjare dhe vërtetimin që provonte se nuk kishte kredi të pakthyer.

Po ashtu, duhej edhe leje për kryerjen e punimeve, projekti ose skica dhe preventivi përkatës.

Miratimi i kredisë

Kërkesën për kredi afatgjatë për përmirësimin e kushteve të banimit, punonjësi ia paraqiste Këshillit Popullor të lagjes ose Këshillit Popullor të qytetit.

Këshilli, kërkesën për kredi sëbashku me dokumentacionin përkatës ia kalonte komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të qytetit.

Seksioni i ekonomisë komunale i komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit, në bashkëpunim me degën e Bankës së Shtetit dhe degën e Bankës Bujqësore,  në bazë të kërkesave të paraqitura nga këshillat popullore ose komitetet ekzekutive, hartonin planin e kredisë afatgjatë për përmirësimin e kushteve të banimit si rreth dhe ia paraqisnin për miratim komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit në afate e caktuara për hartimin dhe shqyrtimin e projektplaneve ekonomike e financiare.

Drejtoria e përgjithshme e Bankës së Shtetit shqiptar dhe drejtoria e përgjithshme e Bankës Bujqësore pas miratimit të planit vjetor të kreditimit nga këshilli i ministrave, bënin ndarjen e tij sipas rretheve.

Në bazë të planit të dërguar nga drejtoritë e bankave, komiteti ekzekutiv i këshillit popullor të rrethit bënte ndarjen e planit vjetor të kreditit për këshillat popullore të qyteteve, të lagjeve për qytetin e Tiranës dhe të fshatrave.

Këshilli popullor i lagjes dhe i fshatit vendosnin dhënien e kredisë për çdo punonjës.

Pas miratimit të kredisë, punonjësit lidhte kontratën me ndërmarrjen komunale, me kooperativën bujqësore ose degën që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve dhe një kopje të saj ia dërgonte Bankës së Shtetit shqiptar ose Bankës Bujqësore.

Banka ushtronte kontroll për përdorimin e drejtë të kredisë dhe kur konstatonin se kredia nuk ishte përdorur për qëllimin e dhënë ose punimet nuk ishin zbatuar në përputhje me kontratën e dokumentacionin, ndërprisnin kreditimin e mëtejshëm dhe kërkonin nga ndërmarrja komunale apo kooperativa bujqësore kthimin e menjëhershëm të kredisë së dhënë punonjësit. Për kredinë e miratuar punonjësi lëshonte ndaj degës së Bankës së shtetit ose Bujqësore, aktdetyrimin i cili ishte titull ekzekutiv dhe vihej në ekzekutim me anën e përmbaruesit gjyqësor.

Me përfundimin e punimeve në aktin e detyrimit saktësohej shuma e kredisë që detyrohej të kthente punonësi në bazë të vleftës së punimeve të kryera në fakt, po jo më shumë se kredia e miratuar.

Interesat dhe pagesa e kësteve

Afatet e kthimit të kredisë aktoheshin nga banka në marrëveshje me punonjësin, duke caktuar njëkohësisht këstet vjetore të kthimit të kredisë.

Për punonjësit që ishin në marrëdhënie pune me shtetin dhe për anëtarët e kooperativave bujqësore, me ndalesa mujore nga paga ose nga paradhënie për ditë pune ose normë pune, ditën e tërheqjes së tyre.

Për pensionistët, kthimi i kredisë bëhej me ndalesa mujore nga pensioni në ditën e tërheqjes së tij.

Kur kredimarrësi vdiste, për kthimin e kredisë zbatoheshin dispozitat për trashëgiminë.

Referuar të dhënave të vitit 1982, Banka e Shtetit dhe Banka Bujqësore për këto kredi kishin një interes vjetor në masën 0.50 përqind.