Si lindi “Dome”, monodrama e Stefan Çepalikut, ku aktori rrëfen vet jetën e tij

Këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ngjitet në skenë monodrama “Dome”, që mban firmën e Stefan Çepalikut. “Dome” është një monodramë e shkruar enkas për aktorin e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni. Shkrimi i saj është produkt i bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit ndër procese pune apo ndenjje të rastësishme. Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë këtyre bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin. Autori ka dashur të shkruajë e më vonë të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë. Në një intervistë për emisionin “Chic” të Fjoroda Fjorës në News 24 regjisori Stefan Çepaliku tregon si lindi monodramën “Dome”. Ai na rrëfen arsyen, se përse zgjodhi Enver Hysenin, si personazh të monodramës së tij.

Po çfarë do të thotë “Dome”?
“Dome” është një zhargon një fjalë që vjen nga gjuha malajzeze, të cilën e bart një pjesë e Shkodrës, që ka origjinë podgoricane. Ky komunitet malajzez podgorican, të cilët kanë origjina të ndryshme. Disa thonë se janë shqiptar, të cilët janë sllavizuar e më pas janë kthyer sërish në Shqipëri. Por ajo çfarë dihet me siguri është se këta njerëz kanë ardhur në Shkodër në dy momente historike, momenti i parë ka qenë ai i luftës së parë Ballkanike dhe momenti i dytë ka qenë gjatë luftës së dytë botërore kur u përhap një farë frike në Podgoricë së aleatët do të bombardojnë bazat ushtarake gjermane prandaj ata u trembën e erdhën në Shkodër. U vendosën diku afër Shkodrës në fshatin Shtoj dhe vetë fjala është një fjalë sllave “stoj”, që do të thotë ndalesë dhe më pas u integruan në jetën qytetare shkodrane, duke e pasuruar edhe me elemente kulinarie. Pra “dome” vjen nga fjala shqip, ndërsa “dome” njëri i shtëpisë, i dashur, i besueshëm.
Prandaj Enver Hyseni, i cili interpreton në këtë monodramë, që i vogël i kanë thirrur ‘dome’. Unë e kam njohur për së largu sepse kemi një diferencë relative në moshë. Ai që herët që kur ishte i vogël ishte spektator i teatrit të Shkodrës. Por si “dome” jemi njohur në vitin 2008 kur për herë të parë kam punuar si regjisor një pjesë në teatrin e Shkodrës. Më pas ka lindur dhe një miqësi e madhe mes nesh” – ka treguar regjisori i njohur.

Regjisori kërkon që të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, për të sjellë nëpërmjet figurës së Hysenit, fatin e vërtet të aktorit shqiptar në periferi.

“Nëse në do të vëmë në skenë jetën e Enver Hysenit, nuk do të kishte kuptim t’i kërkonim një aktori tjetër të interpretonte atë ndërkohë që ai është gjallë” – ka vazhduar më tej regjisori.

Edhe aktori i monodramës, Enver Hyseni ka treguar marrëdhënien me regjisorin e “Dome”, të cilin e ka edhe mik.
“Stefan Çepaliku për mua është një person me dhunti të veçanta mendore si nga ana e komunikimin me njerëzit. Ai i bën të gjitha që unë të ndiej tek ai një siguri të madhe. Në mblidheshim gjithmonë bashku për qejf domethënë edhe për të pirë diçka dhe i tregoja për jetën time. Natën që më kishin organizuar një ceremoni me rastin në daljen në pension, Stefani më dhuroi një çantë dore dhe më tha këtë monodramë e kam shkruar për ty, por nuk e bëre ti duhet ta prishim, ta hedhim kështu që vetëm ti mund ta bësh këtë. Kjo ndodhi para dy vjetësh dhe pas dy vjetësh arritëm ta përfundojmë. ” – ka rrëfyer aktori.
Në këtë intervistë Enver Hyseni tregoi edhe për planet e tij për t’u larguar nga skena dhe se “Dome” është projekti i tij i fundit.
“Kur më pyesin se a më thërrasin ata të teatrit për të luajtur i jam përgjigjur me “po”, por unë nuk dua të interpretoj më. Ëndrra ime është të luaj një monodramë, që ka shkruar Stefan Çepaliku dhe unë po bëra këtë e kam mbyll me teatrin. Është një vendim që e kam marr, duke bërë këtë i kam bërë të gjitha”- ka përfunduar aktori i madhe i skenës.

/a.meta