Si e njoha Ekrem Bardhën dhe librin e tij “Larg dhe pranë Shqipërisë”

Nga Bedri Islami

Kur ata që i kanë përjetuar vetë ngjarjet, pra, që kanë qenë pjesë e tyre, i kanë brujtur dhe i kanë dhënë jetë, heshtin, pikërisht atëherë lindin legjendat dhe moskuptimet.Ndryshe ndodh kur bëhen dëshmues të asaj që ka ndodhur, rrëfejnë një pjesë të jetës së tyre dhe risjellin vitet e kujtesës me pasionin e së të vërtetës.

Fundi i shekullit të shkuar në Shqipëri ishte ndoshta më përmbysësi në historinë e këtij vendi; mitet ranë rrëmujshëm shpejt dhe dritëzimi erdhi nga një lëvizje që nuk mund të mendohej ndryshe. Vlerësimi për njerëzit dhe për ngjarjet nisi të ndryshojë mrekullisht, tabutë ranë, nisi një frymëmarje ndryshe që,megjithëse e shpeshtuar dhe marramendëse, përsëri ishte dehmë lirie, duke u saktësuar e vërteta në ato përmasa që mund të ishte, edhe pse nganjëherë do të dukej e shpërfytyruar; fjalitë që kishin mbetur në mes, mendimet, ndjenjat, përfytyrimet, befasitë dhe enigmat iu nënshtruan rrjedhës së ngjarjeve.

Për shumë njerëz është e vështirë që në buzëmbrëmjen e jetës të kujtosh dhe të kuptosh mëngjesin e saj, sidomos në një paanësi të plotë, i pa trullosur nga ajo që ka shkuar, nga mëria apo dashuria për ngjarje e njerëz të veçantë, i pazhgënjyer nga pabesitë dhe trullosjet, i lirë nga gjykimi dhe rëndesa e kujtesës. Në kalimin e viteve ka ndryshuar përceptimi – ndaj ngjarja e disa dekadave më parë mund të shihet në një dritë tjetër; ajo që të ka pëlqyer dikur – tani është zvenitur dhe nuk të josh më; një ndodhi që dikur të ka lënë indiferent- tani zgjon kureshtjen tënde; njerëz tek të cilët ke besuar – tashmë të kanë zhgënjyer; diçka që nuk e ke përfillur dikur- tani të duket ndjellëse.

E kam shkruar diku një thënie të shkrimtarit të shquar francez, Stendal, se „ Meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante edhe pasi historia e ka dhënë fjalën e saj“.

Ky është mendimi i parë kur merr në duar një libër me kujtime të zotit Ekrem Bardha, „Larg dhe pranë Shqipërisë“, shkruar 17 vite më parë, në vitin 2002,  dhe botuar nga Shtëpia Botuese prestigjioze „Onufri“.

Pra, a është një histori që ia vlejtur të hidhet në letër, diçka interesante, apo autori është zënë në „lakun“ e jetës së tij dhe ka përcjellë atë që mund të jetë thjeshtë e vetja, diçka brenda familjes së tij, apo, si ndodh jo shpesh, ka sjellë hapësira të tjera, qoftë edhe përmes vetjakes; ka ndërthurë mallin me brengën, pa e sunduar asnjëra tjetrën dhe pa rënë viktimë e mallit të prangosur dhe brengës përmbytëse?

Për të dëshifruar enigmën e një libri, apo edhe më tej, për të hapur enigmën e një libri, sepse çdo libër përmban një enigmë, njerëzit, e mes tyre edhe unë, kalojnë ose përmes njohjes me autorin, pra një njohje e herëshme, dhe për hir të saj lexojnë librin, ose, pasi kanë lexuar librin duan të njohin edhe autorin.

Me mua ka ndodhur ndryshe. E kam njohur autorin nga larg prej shumë viteve. Nuk e dija nga ishte, se cili kishte qenë viti i tij i lindjes, njerëzit që kishte në shtëpi, rrugën që kishte bërë, çfarë bënte në jetën e tij vetjake, bile, duke mos qenë në Shqipëri, nuk e dija aq mirë as se cilat ishin lidhjet e tij.

E njihja atë përmes Kosovës. Ishte si të thuash një njohje nga larg për dy njerëz të ndryshëm dhe, kur them të ndryshëm, nuk e kam mendimin, të kundërt.

Ai ishte i arratisur nga Shqipëria, jo se nuk e kishte dashur vendin e tij, por shtigjet ishin të mbyllura befasisht dhe egërsisht dhe kishte gjetur një rrugë tjetër; ai i takonte së djathtës shqiptare, ndoshta kishte qenë edhe ekstremist, për deri sa kishte shkruar se „ Nëse dikur ekstremizmin e çmoja duke e quajtur vendosmëri, më vonë fillova ta shoh si të dëmshëm“, unë kisha prirjet e mija drejt një të majte të moderuar; familja e tij, megjithëse pa armë, kishte qenë e lidhur me Ballin Kombëtar, ndërsa familja ime kishte qenë me Nacional çlirimtarët; ai, si mësova ishte biznesmen, ndërsa unë një njeri i varfër i letrave. Kishim një të përbashkët, por këtë e mësova shumë më vonë. Vëllai i tij Samiu ishte pushkatuar nga regjimi në vitin 1953, 8 vite më vonë, im atë do të kishte të njëjtin fat tragjik.

Por ai ishte një mbështetës i jashtëzakonshëm, ndër më të jashtëzakonshmit, i pavarësisë së Kosovës. I kudondodhur dhe i gjithëgjindshëm – ai kishte me vete simblikën e një njeriu që i ishte përkushtuar Kosovës dhe naiviteti im politik e ndoshta , edhe ajo që të mbetet në mendje nga e kaluara, më bënte që gjenezën e tij ta lidhje me një qytet a krahinë malore në veriun e Shqipërisë, ta zëmë me Kukësin. Mendoja i bindur se ai ishte verior, dhe, kur e mësova se ishte kolonjar, nuk e di pse, por u gëzova dy herë.

Nuk do të mund të bënte pa u takuar një ditë. Kosova bashkon shumë njerëz dhe është e natyrshme që udhët e tyre të kryqëzohen.

Kur Presidenti i Kosovës më ftoi për një vizitë të përbashkët në Shqipëri, ku, mes të tjerëve do të takohej edhe me shkrimtarin Dritëro Agolli, menduam që, në këtë rast të dekoronte edhe disa nga figurat e shquara të botës intelektuale, të cilët , në vitet më të vështira të Kosovës, por edhe të kombit, kishin qenë në vendin e duhur dhe që, si shkruan studjuesi Moikom Zeqo, kishin qenë pjesë në aksionin e jashtëzakonshëm konceptual dhe real për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe i rrallë që lidhet me luftën epokale të UÇK-së si dhe të forcave të NATO, në vitet 1998 – 1999, një ngjarje e pashembullt kjo, që ndodh një herë në dymijë vjet, që çoi në ekzistencën e dy shteteve shqiptare të të njëjtit komb.

Ky ndryshim epokal nuk mund të arrihej nëse qendra e vendosjes së botës, SHBA, nuk do të shihte drejt Kosovës dhe luftës së saj, dhe, kjo e fundit, nuk do të mund të sillej drejt ëndrrës shqiptare, nëse nuk do të kishte idealistë dhe vizionarë , shqiptarë të Amerikës, të cilët do e merrnin përsipër një rol të jashtëzakonshëm, si përfaqësues politikë të Kosovës në Amerikë, të ishin zëri i tyre, mendimi i tyre, një urë përbashkimi mes institucioneve të skalitura të shtetit amerikan, demokracisë dhe mendimit politik të atjeshëm, me atë që synonin në Kosovë lëvizjet politike, sidomos Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Njëri prej tyre, në më të çmuarit, ishte pikërisht zoti Bardha dhe, megjithëse nuk e njihja, nuk e kisha takuar asnjëherë, unë i propozova Presidentit Thaçi që, njëri ndër të dekoruarit, duhej të ishte edhe ai, çka u mirëprit dhe u shoqërua edhe më pas me vlerësimin maksimal , dekorime të tjera, për atë dhe familjen e tij.

U takuam shumë muaj pas kësaj ngjarje. U takuam në shtëpinë e lindjes sime në Shkodër, që njihet si Shtëpia e Madhe e Gjylbegajve, e ngritur nga Muharrem beg Gjylbegu, që kishte qenë edhe kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës në shtetin shqiptar.

Disa vite më parë, në takimin që kisha me zonjën Bianka Jagger, e cila ishte e dërguar nga Departamenti i Shtetit pikërisht për Kosovën, takim që e kam shkruar edhe në librin tim, „E fshehta e hapur e Kosovës“, ne kishim biseduar edhe për kontaktet e trupës drejtuese, sidomos politike, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me figurat e njohura të shqiptarëve pranë politikës së lartë amerikane. Në Londër, në zyrën e ambasadorit të jashtëzakonshëm, Agim Fagu, në mendimin tim më i shkëlqyeri në mbështetjen e Luftës në Kosovë, zonja Bianka Jagger, një grua jashtëzakonisht e bukur, inteligjente dhe e pasionuar pas çështjes shqiptare, mes të tjerëve me përmendi edhe zotin Bardha. „Është njëra nga portat e sigurta, përmes së cilës mund të hyni në Departamentin e Shtetit , por edhe në Senatin e Kongresin Amerikan“.

Tani, kaq vite pas luftës së Kosovës , të ardhur të dy nga anët e largëta të botës, u takuam, për të folur për shumëçka, por mbi të gjitha për Kosovën. Ai ishte nisur drejt saj nga një mësim i Abaz Ërmenjit, që në librat e dikurshëm ishte kryeballist, unë nga një lëvizje e majtë, por me thekse të fuqishme irredentiste e nacionaliste.

Kosova e kishte pasur këtë fuqi , bashkimin e njerëzve.

Tani do i vinte rradha librave.

„Larg dhe pranë Shqipërisë“, ishte libri i kujtimeve të tij, por nuk doja të besoja se do të ishte vetëm kaq. Isha kureshtar të dija se si e kishte përfytyruar Shqipërinë një i arratisur prej saj, por që e kishte dashur; një djalë i ri që as pushkën nuk ia kishin dhënë , kur ishte ushtar, por vetëm një kazmë e lopatë; i rritur pa babain e tij, një figurë e njohur dhe, për më tepër, me një vëlla të arratisur, i futur në Shqipëri ,si quhej aso kohe, si diversant, i zënë dhe i mbajtur në paraburgim për rreth tri vite dhe, në fund i pushkatuar; çfarë kishte menduar për vendin që po shkërmoqej bashkë me idetë e komunizmit, por që do të linte bërërat e këqija pas vetes; si e kishte ngritur jetën e tij , për më tepër kur takimi i parë me perëndimin kishte qenë një shtet fqinj, Greqia,  që kishte etje për pushtimin e vendlindjes.

Të gjitha këto më ngjallnin kureshtjen dhe ishin një enigmë. Kisha lexuar kujtime gjithë mllef, ndoshta nga që vuajtja kishte qenë më e rëndë nga sa ishte përfytyruar; isha njohur me poezi dhe libra që risillnin një epokë nga një kah tjetër, megjithëse ishin të paktë, tani kisha me vete një libër , i cili, në titull hidhte idenë e mos shkëputjes edhe kur je larg, por që ende nuk e dija se çfarë do të kishte në brendësinë e tij.

Jo si zakonisht, por meqenëse isha në rrugëtim, librin e shfletova nga fundi, ku ishin vendosur fotografi të ndryshme dhe, befas, si nuk më kishte ndodhur veçse pak herë, u stepa.

Dy foto pranë njëra tjetrës, në dy kohë të ndryshme. Nëna e Ekrem Bardhës, Bulja, në vitin 1951, në Shqipëri dhe, 33 vite më pas, në Amerikë.

Ishte e pabesueshme dhimbja në sy të e saj në foton e vitit 1951. Duket se i gjithë mjerimi i nënave kishte zbritur në sytë e saj dhe kishte bërë vend një dhimbje kaq e madh,e sa që do të kishte qenë e mjaftë për pikëllimin e pafund të njeriut. Thuajse në vaj, me lotët e ndrydhur brenda vetes, sikur i kanë rrjedhur dhe i ka përmbajtur, i gjithë qëndrimi i saj është vuajtje, halle; e zeza e rrobave të saj nuk është asgjë para zezimit që i ka ndodhur në shpirt; mbulesa e hedhur mbi kokë, e zezë edhe ajo, sikur ka zbritur më tej, në përqëndrimin e syve, në vetullat e mbledhura, në paraplakjen e dhunshme. Duket sikur një qind vite kanë ikur në jetën e saj dhe e ka nisur atë edhe një herë nga mosha e plakjes. E plakur dy herë, e stërplakur. Nuk e di se çfarë ka menduar në ato çaste, por është shembur një botë në sytë e saj dhe, përsëri, ka edhe një stoizicëm që nuk mundohet ta fshehë, sikur do të thotë se, edhe kështu, do të mbijetojmë.

Rrallë herë kam parë një foto nëne kaq tragjike, e cila më kujtoi befasisht një foto të njëjtë të nënës sime, pas vitit 1961, kur tashmë 32 vjeçare, e vetme, duhej të rriste tre fëmijë, të mbronte emërin e burrit që kishte dashur dhe që ia kishin marrë në një buzëmbrëmje feste, për të ia kthyer të nesërmen pasdite , në një ark mort, pa e ditur kurrë saktësisht se çfarë kishte ndodhur me të,  që nga ora 12 e natës, kur e kishin parë për herë të fundit dhe, deri në atë pasdite të turbullt meskorriku.

Pikëllimi i nënave është më i jashtëzakonshmi në botë dhe kjo foto që shihja ishte shembulltyrë se si sytë e nënës mund të shprehnin mijra fjalë më shumë se kushdo tjetër.

Përse ndodhte kështu? Enigmën e syve të saj, aq shprehës, tronditës deri në dhimbje, ndoshta më mirë se kushdo tjetër do e sjellë e mbesa, Donika, e cila, në ditë mortin e gjyshes së saj, si mbesa e madhe, do të thonte se „…Sa herë që nënën e pyesnin sa djem ke, ajo ngelej në mëdyshje. Të thoshte katër apo pesë? Dhe meqë nuk dinte se si të përgjigjej, sepse nuk kishte asnjë lajm nga i biri, të cilin e kishte lënë në burgjet e Shqipërisë, fillonte e qante. Megjithatë, ajo qëndroi e fortë. I rezistoi mallit që ishte për të birin, për të ëmën dhe për farefisin e saj, për të na dhënë një shembull. Duam t’i themi nënës se forca e saj, zgjuarsia dhe traditat e bukura, nuk do të harrohen kurrë prej nesh“.

Në foton e vitit 1951 ajo e dinte se i biri, Sami Bardha, ishte arrestuar.

Në foton e mëpasme nuk e dinte se i biri, me 19 tetor 1953, do të ekzekutohej, pasi ishte dënuar me vdekje.

Nuk dua ta krahasoj me foton e 33 viteve më pas, pasi është tjetër gjë, duket se janë përmbysur vitet, por, thënë të drejtën kjo ishte një foto e zakonshme, e një nëne që e ndjen lumturinë, që ia ka arritur të mbajë dinjitetshëm emrin e saj dhe ka besimin tek djemtë.

Ndërsa ajo e vitit 1951 është tragjike. Ndër fotot më tragjike që kam parë, ku sytë janë portat e ferrit dhe e zeza është vazhdimi i saj.

Asnjë foto e mëpasme, megjithëse autori ishte thuajse  me të gjithë presidentët amerikanë të kohës së tij, që nga Niksoni e deri tek presidenti Bush – i riu, nuk më bëri më përshtypje. Kisha ngelur tek ai vështrim që , në të vërtetë, ishte parathënia e një libri.

Nganjëherë lotët kanë peshën e fjalës së pathënë. Por, si duket, pesha kishte qenë tejet e rëndë.

Si do të ishte e shkruara, kur një foto kishte kaq dhimbje?

Si kishte rrjedhur jeta e një njeriu nga dita e kalimit të kufirit, nëpër natë, e gjithë familje njëherësh, deri tek takimet me presidentë, kongresmenë dhe senatorë, të ciët ishin aty, në foto të përbashkëta?

Çfarë aspiratash kishte pasur ky njeri që ishte mik njëherësh edhe me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Teodor Laçon…por edhe me Sali Berishën, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon…që në një pritje të ambasadës amerikane, ndryshe nga të tjerët, i jepte dorën presidentit të kohës Ramiz Alia, që takohej me drejtuesit më të lartë ushtarakë të NATO-s, por edhe me figura të shquara të shqiptarëve të Amerikës, që në ardhjen e parë në Shqipëri, pas kaq shumë viteve, pasi i ishte sjellë asaj nga të gjitha anët, do të deklaronte njerëzisht se „ unë i takoj së djathtës, por partia ime është Shqipëria“?

Më mbetej të hapja librin.

Nuk është një libër që lexohet me një frymë. Ai duhet lexuar duke e sjellë nëpër mend një epokë dhe disa ngjarje, emra e kalime që në kohra të ndryshme kanë patur përfytyrime të ndryshme.

I shkruar thjeshtësisht, pa fjalë të mëdha dhe pohe marramendëse, lehtësisht i qartë dhe mjeshtërisht tërheqës, ai sjell një hapësirë të re; përfytyrimin për Shqipërinë e një njeriu që për 45 vite ishte armik dhe që më pas doli se kishte qenë „armiku i mirë“.

Ndodh kjo? Është e mundur?

Në fakt, është e vështirë të përceptohet, por, maksima e njohur se „ Më shumë vlen një dshmitar okular, sesa dhjetë vetë që kanë dëgjuar diçka, këtu është në vendin e saj.

Në leximin e memuarëve të pas komunizmit kam patur shpesh herë zhgënjime,ashtu si dhe jam tronditur e shpesh herë kam menduar se, gjuha i është dhënë gjithkujt, por mënçuria pakkujt.

Si do të ndodhte kësaj here. Nuk doja të zhgënjehesha nga leximi i librit të një njeriu që e kisha lidhur më shumë me Kosovën, se sa me Shqipërinë.

Si shkrova, nuk është një libër që lexohet me një frymë, jo se nuk ka dinamikë dhe nuk bart atë frutin e të së panjohurës që e bën një libër interesant, por se duhet menduar gjatë leximit.

Në fakt, e rilexova dhe mendova t’i shkruaja autorit. Por kishte diçka që nuk mund të ishte më mes dy njerëzve, qoftë njëri autor e tjetri lexues.

Ka disa veçori ky libër , të cilat do të mundohem t’i sjell ashtu si i prjetova.

1.Nuk ndjehet mllefi, hakmarrja, mëria për atë që ka përjetuar. Një libër pa Mllef, gjë e pazakontë, për ata që kanë patur më shumë dhimbje!

Libri është shkruar gjakftohtësisht, sikur autori ka nisur të dëshmojë jetën e një njeriu tjetër, që është vetvetja, por që mund të jetë edhe dikush tjetër. Mllefi që dëmton një libër nuk është. Nuk e gjen dot. As në rastet më të hidhura, kur jeta është çështje ditësh, as kur tradhtia e mikut është kobzezë, as kur vendi yt nuk të lë t’i afrohesh.

Ai, autori, mund ta ndjejë veten fitimtar , brenda vetes së tij, por ky trumf nuk është. Nuk çirret, nuk mallkon, por dëshmon dhe në këtë rast, pikërisht kjo, dëshmia , është më e besuar.

Ai e di fare mirë se hakmarrja vulgare është e çastëshme, hakmarrja inteligjente është e përjetëshme.

Ai ndërmerr këtë të fundit. Nuk sjell mallkimin, sepse do të ishte një leçitës i zakonshëm, por shembullin, dëshminë, si të thuash, tregon pasaportën e krimit, pa qenë vetë prokurori i çështjes. Thjeshtë dëshmues. Do të thotë, i besueshëm.

  1. Libri ësht shkruar me Vërtetësi absolute, pa zbukuar dhe pa u mbërthyer nga nostalgjia, cila mund të ishte e zakonshme. Një libër që ngërthen të vërtetën është gjithnjë i dashur, por, në këtë rast, kjo e vërtetë është edhe për ne, të tjerët, që, ose kemi qenë larg dhe kjo periudhë na ka zënë diku tjetër, ndoshta përballshëm me jetën e autorit, ose për ata që asaj kohe ishin soditës, për të mos shkuar më tej, ishin tronditëse në një realitet që pak kush e mendonte se mund të ndryshonte.

Vertëtësia është e habitshme, ndoshta deri në skajin e saj të mundshëm.

Një shembull habitës: autori i librit ka patur gjithnjë prirjet e tij të djathta politikisht, pavarësisht se gjatë luftës ai ishte vëzhgues, soditës, edhe nga mosha. Më pas bëhet pjesë e Ballit Kombëtar, një nga drejtuesit e saj në perëndim, i lidhur fort me Abaz Ermenjin. Në fakt , i takon një grupimi, për të cilin Agjensia e Zbulimit Amerikan, CIA, do i konsideronte si pjesë e Ballit socialdemokrat, të prirë nga Ermenji.

Megjithatë, në librin e tij, në pjesën e luftës, ndërsa dëshmon për vrasjet e ndodhura mes dy kampeve, komunistëve dhe ballistëve, ashtu si sjell shembuj nga vrasjet e Nacionalçlirimtares, po ashtu, pa hequr asgjë nga e vërteta, sjell edhe shembujt e vrasjeve pa gjyq nga Balli Kombëtar. Drejtpeshim ndaj së të vërtetës.

  1. Është një libër i shkruar me shumë Dhëmbshuri. Ndoshta malli për vendin e tij, i tejzgjatur në vite dhe i paarritur , njerëzit e lënë diku tjetër, vendliondja e munguar, enigma e jetës së vëllait të burgosur, pengu i asaj që është braktisur, pamundësia për të qenë aty, si pjesë normale, e kanë shtuar dhimbjen, duke e bërë njerëzore. Kjo dhimbje është për gjithçka që ka shkuar dhe kujtimet e tij, prej kësaj ndjenje, janë bërë më të afërta e më njerëzore. Përmes narracionit konçiz, janë hequr fjalët e tepërta, të gjithë mund të binden se kjo është një jetë e pa zbukuruar dhe nga ana tjetër fillon e krijon bindjen se tek ata që u arratisën , atdheu jetonte, shumë prej tyre ishin njerëz të ndjeshëm, të qetë, të pajisur me një botë të pasur dhe jo kamikazë.

Kjo dhëmbshuri që ndjehet në shumë faqe të librit ka bërë që edhe ndaj atyre që nuk do e kishin merituar të ishin në libër, duke i dëshmuar të keqen, mashtrimin, krimin, të mos e çojë më tej tek të tjerët, në brezat, të mos mallokojë dhe të lëshojë gjëmën.

  1. Në fakt është një libër i shkruar me Pasion. I menduar gjatë. Një libër i tillë nuk mund të shkruhej ndryshe. Në të vërtetë, vetëm njerëzit pasionantë mund të bëhen dëshmues të qetë të një jete, e cila nuk është vetëm e tyrja, por, në një mënyrë ose në një tjetër, sintezë e shumë jetëve, që ndryshuan rrjedhën e tyre, jo nga mosdashria, prkundrazi; jo nga tundimi për të qenë kundërshtarë të domosdoshëm, por nga që rruga e zgjedhur ishte e vetmja e kohës.

Pasioni nuk e ka zbehur saktësinë, por e ka paisur atë me flakën e domosdoshme që ka qenë në kohën e ngjarjeve një domosdoshëri absolute.

5.Libri është shkruar duke përdorur brumin e saktë të Mendimit. Ky mendim ka qenë i domosdoshëm, pasi vetë lëvizja politike jashtë shtetit shqiptar ka pasur edhe korifejtë e saj, ashtu si ka pasur edhe të çarturit e saj. Një lëvizje që, aq sa është irredentiste, aq është edhe nacionaliste, duke kaluar nëpër sprova të vështira dhe duke pasur nëpër këmbë një histori që nuk ishte e shkëlqyer nga disa eksponentë të saj, duhej të kishte mendim.

Libri, duke pasur këtë mendim, sjell dëshminë se ata që në mërgim, ia prkushtuan atdheut si të ishin në vendin e tyre,nuk ishin thjeshtë djem e vajza të reja, por edhe kishin një përfytyrim ndryshe për rrugën që duhej ndjekur për të bërë aspiratën realitet, ëndrrën – saktësi, përkushtimin- vendim dhe sakrificën – domosdoshmëri.

  1. Libri është shkruar me shumë, shumë, ama , shumë Dashuri, e jo vetëm për Shqipërinë, duke e cekur atë në të gjitha hapësirën e saj, por edhe për Kosovën, për shumë nga përsonazhet që janë pjesë në këtë libër, për ata që ende janë pjesë e historisë dhe të tjerë që kanë dalur jashtë saj, për prindërit e të afërmit, ku spikat figura mitike e Nënës , Bule; është dhënë kjo dashuri për çdo gjë që ka lidhje me atdheun e lënë pas, por edhe me vendlindjen e dytë, e cila i krijoi mundësitë e jetës, përmes punës; për familjen e tij, bashkëshorten, Lumturinë, fëmijët, duke shkuar më tej, bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, deri tek selitë e larta të Kongresit dhe Senatit Amerikan.

Është një konfiguracion i gjërë njerëzor, i përmasave sa të afron një jetë e tërë, por edhe i shikimit tej ngastrës së një familje, në të cilën ai është i pranishëm, por që nuk është e mjaftueshme për synimet e tij.

7.Libri është mesazh Atdhedashurie.

Në parafjalën e librit , Ekrem Bardha, autori, ka shkruar se „ Nëse ka diçka që më ka ndjekur gjatë gjithë jetës sime është pikërisht dashuria për atdheun, edhe në kohën e fatkeqësive,edhe në atë të suksesit. Jeta në demokracinë amerikane më bëri të reflektoj mbi shumë gjëra.Kuptova që nuk mund të hakmarremi për të shkuarën, por të punojmë për të ardhmen…“.

Kjo e vërtetë e përshkon gjithë librin. Kryefjala e librit është atdheu, shikimi ndaj tij është i vazhdueshëm, pritës, lakmitar dhe gjithë mall; ankthi i largimit nuk është asgjë para ankthit të braktisjes, qëndrimi ndaj vendlindjes është gur prove, koha e ribashkimit është e shumëpritur, dhe, vjen një çast, do të thoja determinues, kur „armiku“ bën atë që nuk mund ta bënte diplomacia e shtetit shqiptar: takohet me presidentin Richard Nixon. Shkaku është i pazakontë. Në shtetin grek qeverisin ushtarakët, të cilët, sapo kanë shfaqur pretendimet e tyre për aneksimin e jugut të shtetit shqiptar. Përmes miqve të përbashkët ai arrin të takohet dhe t’i kërkojë që shteti amerikan të mos lejojë që atdheu i tij të copëtohet edhe më tej. E pabesueshme,por e vërtetë. Presidentit amerikan i bën përshtypje të thellë këmbëngulja e një të arratisuri nga shteti i tij dhe i premton se nuk do të lejojë që Shqipëria të shkërmoqet nga qeveria e kolonelëve dhe, për më tepr, pa e hequr nga mendja, e fton në ceremoninë e betimit të tij si President.

  1. Së fundi, por jo më e parëndësishmja, libri është shkruar me Modesti.

Është mbivlera e një libri të vyer dhe të vlefshëm.

Është e vështirë të jesh modest pas triumfit. Diçka që ngjan e pamundur, sidomos në çastet e para.

Në fund të fundit ai ka pasur gjithnjë këtë synim të dyfishtë: kthimin e shtetit shqiptar në një shtet normal, demokratik dhe, më tej se kaq, lirinë e Kosovës.

Ia ka arritur të dyjave, për më tepër, duke qenë pjesë dhe jo soditës. Duke u bërë zë i rëndësishëm dhe jo i humbur në hapësirën e pafund amerikane. Duke sakrifikuar nga vetja, por duke i dhënë të tjerëve.

Duke hapur pritat për të gjithë shqiptarët, por duke pritur në htpi edhe presidentë amerikanë. Duke qenë mik me shqiptarët e zakonshëm, por edhe me figurat më të larta presidenciale.

Njëri prej tyre, George W.Bush, në 15 janar 2001 , do i shkruante:

I dashur Ekrem,

Dick Cheney dhe unë duam t’ju falenderojmë për gjithçka që ju keni bërë për ne. Udhëheqja juaj, energjia dhe koha, që ju na dedikuat bujarisht, ishin vendimtare për suksesin tonë.

Unë ju jam mirënjohës për punën tuaj këmbëngulëse dhe i nderuar që ju bënit pjesë në grupin tim“.

Në fund të fundit do të jetë shqiptari i parë që hap dyert e Senatit dhe të Kongresit Amerikan, gjë që e kishin pasur ëndërr figurat e mëdha të kombit.

Si shkrova më sipër, autori nuk është i mbuluar nga dallgët e mllefit e as hakmarrës, por nuk harron.

Nëse do të kishte harruar, atëherë do të ishte i mangët. Dëshmia e tij, e dhënë saktësisht, përmes dokumentave, nuk është suprizë tashmë për shumëkënd; ajo që ka ndodhur ngjan e pabesueshme, por, në rastin Bardha,  ajo është diçka e veçantë, e jetuar, dëshmues i brendshëm, përjetues i ngjarjeve dhe i dëmtuar nga regjimi. Në libër shkurt, por vërtetësisht, lëvizin figurat e disa prej atyre që u bënë sinonim i së keqes, por gjërat shkojnë edhe më tej, në gërmimin e shpirtit njerëzor, të cilët duan të shtrydhin dhimbjen njerëzore për të përfituar.

Libri, në të vërtetë, është jeta e tij.

Cila ishte ajo.

2.Për shumë vite me radhë ishim mësuar se “ne”, që jetonim në këtë vend, që nuk e kishim lënë atë, megjithëse të strukur si në palcën e vetëdijes sonë, ishim kombi, ishim atdheu, ishim identiteti, tek “ne”  ishte gjithçka e mirë që mund të kishim bartur nga njëri brez në tjetrin.

“Të tjerët”, të vetlarguarit, të mënjanuarit, humbësit ishin njerëz pa identitetin e tyre, ata identifikoheshin me atë që nuk duhej të ndodhte, ishin të pandryshueshëm në urrejtjen e tyre.

Ata, ndryshe nga “ne”, domosdo do të ishin antikombëtarë, përhapës të së keqes, tempulli i të cilëve ishte mëkati ndaj vendit ku kishin lindur.

Dyshimi i parë kishte lindur sëbashku me përhapjen e lirisë së fjalës. Nuk kishin qenë të gjithë djajë, ashtu si nuk kishin qenë të gjithë engjëllorë.

Hapja ishte mundësia e vetme e njohjes dhe vetë njohja kishte sjellë mundësinë e mendimit ndryshe. Nuk kishte qenë e thënë që për të vetlarguarit, të arratisurit të mishërohej ajo që ishte thënë në njërin nga librat e shenjtë, Biblën, se “Dhe ti do të jesh një endacak dhe ikanak mbi tokë” (Zanafilla 4-12).

Ata, që ishin menduar se nuk do e kishin kurrë shtetin e tyre, nuk do të kishin as arkivat dhe kujtesën e tyre, në fakt e kishin bartur kombin, vendin, ashtu si edhe fatin e tyre. Kur do të vinte koha e duhur ata do e shpallnin të vërtetën që fillimisht do e kishim vështirë ta njihnim se, edhe këmbëpërgjakur, nga një dënim i rëndë dhe i pashpjegueshëm, nuk kishim humbur atë që do të ishte primare dhe e domosdoshme, identitetin.

Njëri prej tyre, ndoshta më domethënësi, kryelartë dhe i përkulur njëkohësisht, do të ishte Ekrem Bardha, tek i cili shpirti i njeriut kishte qenë më shumë se gjithçka dhe se braktisja e atdheut nuk kishte qenë asgjë tjetër veçse afrim drejt tij.

Nuk e kam njohur në një ditë të vetme. Njohja ka ecur rrëmujshëm gjatë viteve, pa e parë dhe pa u takuar me njëri tjetrin,  si dy njerëz që nuk do të kishin pasur shumë të përbashkëta, nëse mes tyre nuk do të ishte një emër: Kosova.

Ekrem Bardha është njëri ndër simbolet e shkrirjes së jetës për një pjesë Shqipërie , të cilën , sa ishte në vendlindje, nuk e kishte njohur, kishte ditur shumë pak për të, krejt pak, vetëm atë që mund të ishte thënë në fisin e tij, por që si një normalitet njerëzor do të bëhej një gjymëtarë e tij, një vazhdim i jetës së natyrshme dhe si një domosdoshmëri e përcaktuar. Kosova do të jetë malli, megjithëse nuk e kishte parë; do të ishte përkushtimi, në vorbullën e jetës do të kishte dallgëzuar më shumë se sa kaq; do të ishte qëllimi dhe kësaj ia arriti.

Ndodh që një njeri të të bëhet i njohur ende pa e takuar asnjëherë. Bile, të fillosh të përfytyrosh edhe tiparet e tij, të folurën dhe shtatin. Ta mendosh atë në salla të ndryshme, në konferenca dhe takime presidenciale, në takime të pafund dhe debate të shpeshta; një njeri në lëvizje uliksiane, nga njëri cep i botës në tjetrin, i preokupuar dhe një përcaktim të qartë për kombin e tij.

Kjo më ndodhi me Ekrem Bardhën. Emrin e tij e kisha dëgjuar shumë vite para se të takoheshim, e kisha ndjekur në lëvizjet e tij, në mesazhet që kishte përcjellë dhe në një përkushtim të veçantë që kishte për Kosovën.

Emri i tij në fillim nuk më kishte thënë shumë gjëra , ose, më saktë, më kishte thënë gjërat e zakonshme për njërin nga shqiptarët e larguar nga vendi i tij.

Kallëzomë udhënë e dërejtë, pash bukënë – do të shkruante Frang Bardhi në vitin e largët 1636.

Cila do të ishte udha e drejtë e Ekrem Bardhës?

Do e kishte menduar gjatë asaj nate, kur ende 20 vjeçar, do të arratisej nga Shqipëria. Shteti i parë i huaj ku do të vinte këmbën ishte Greqia.  Një familje e tërë, që kishte lënë pas një varr vëllai, do e kishte stacionin e parë dhe më të vështirin. Viti 1953 ishte i skajshëm mes dy shteteve. Nëse nuk do të mund t’ia prisnin kokën njëri tjetrit, do ia nxirrnin sytë me shumë dëshirë.

Në Greqi do të jetë ndaj një udhëkryqi të parë, që kurrë nuk u bë pikëpyetje: shteti grek, shërbimi i tij, i kërkon të bëhet bashkëpunëtor i tij. Nuk ka asnjë lëkundje se kjo nuk është udha e drejtë, por, edhe nëse do të kishte një fillesë luhatje, atë ia shuan menjëherë nëna e tij, nëna Bule: Ikëm për t’i shërbyer vendit tonë, për njerëzit tanë e jo për të huajt që vrarë na kanë dhe shuar kanë dashur të na kenë. Pastaj do i thotë vetes së vëllai i tij i madh, Sami Bardha, i ekzekutuar në burgjet e pas luftës, nuk kishte qenë për një shtet të copëtuar, barbarisht të ndarë,  ai nuk e kishte dashur komunizmin, por Shqipërinë e kishte dashur.

Rrugëtimi do të jetë i gjatë, por udhën e drejtë e kishin gjetur. “Regjimi është diçka tjetër, atdheu është tjetër. Regjimi edhe ndryshon, atdheu mbetet i njëjtë”.

***

E ka menduar gjithnjë Ekrem Bardhën si një banor i veriut të Shqipërisë, diku në zonat kufitare, kur ende nuk dija rrugëtimin e tij të gjatë, gati pesë dekadash drejt Kosovës.  Mendoja se mund të ishte nga rrethinat e Kukësit apo të Tropojës dhe gjithçka e lidhja me Kosovën. Nganjëherë mendësia e rrafshimit të kufijve futet me droje dhe e ankthueshme drejt nesh. Sepse pyetja më e zakonshme që i kisha bërë vetes ishte pikërisht kjo: si mund të lidhej ndryshe, kaq shumë me Kosovën, një banor që nuk ishte pjesë e saj?

Vonë, shumë vonë, kam mësuar se ishte kolonjar. Kishte thyer një tabu të pavendosur, por të menduar. Kishte sjellë pranë vetes vise e troje të panjohura , për t’i njsuar me ato të vendlindjes së tij. Ishte një fillesë e pazakontë, në dukje e papërballueshme, tepër e rëndë për t’u bartur nga njerëz që ishin kaq larg vendit të tyre, ku edhe e kishin të ndaluar të hynin, por që kishte nisur bulimin në një kohë kur pak vetë, vetëm një grusht idealistësh e mendonin këtë. Vizioni është më i fuqishmi ndër të gjithë mendimet njerëzore.

Drejt vizionit do e shpinte një njeri i njohur; më shumë mendimtar se sa luftëtar; ballist dhe me njërën këmbë në idetë sociale, sa që shërbimi i fshehtë amerikan do e klasifikonte si përfaqësues i krahut ballist socialist, Abaz Ermenji.

Nuk e di ende se ku janë njohur me njëri tjetrin; të dy ballistë, ose më saktë, Ekrem bardha nga një familje nacionaliste e lidhur me Ballin dhe, tjetri, drejtues i formacioneve të Ballit. Të dy të mallkuar, por që nuk e mallkonin vendin e tyre. Për Ermenjin ishte hedhur një mal mbi shpatullat e tij, për Ekrem Bardhën kishte mjaftuar e shkuara e dy vllezërve të tij.

Këto dy njerëz do të takoheshin një ditë. Edhe nëse nuk do të kishin qenë pjesë të Ballit, do të takoheshin.

Ekrem Bardha i tregon se si e kanë lënë vendin e tyre, atë jetë të braktisur dhe është i gatshëm të marrë përdsipër shumë më tepër se sa mund të pritej. Ermenji i tregon një rrugë tjetër, po ashtu të drejtë. I thotë se Shqipëria, në mos sot, një ditë tjetër, do të ndryshojë. Ajo nuk do të zhduket, nuk do të shpërbëhet. Do të vuajë, por do të mbijetojë. Kosova, pjesa tjetër e atdheut, është në fillin e perit. Nëse ky fill këputet, atëherë nuk do të ketë më Kosovë. Do të jetë një pjesë e harruar, ashtu si viset e tjera shqiptare. Komunizmi është armiku ynë, do i thotë Ermenji, por Serbia është dy herë e armiqësuar me shqiptarët. Nëse nuk do të ketë Kosovë, atëherë nuk do të ketë as Shqipëri.

Është viti 1966. Ekrem Bardha kishte udhëtuar deri në Paris për të takuar profesor Ermenjin dhe nuk e kishte ditur se ky rrugëtim do të ndryshonte përparsinë e qëllimit të jetës së tij.

Është një bisedë që do i mbijetojë viteve, sepse bëhet ide, qëllim, vizion, përkushtim, mendim i përditshëm dhe lëvizje.

Fjalët e Ermenjit janë testamentale.

Tregomë , zot, rrugën e drejtë!

Në Amerikë Zoti ka dërguar apostujt e shqiptarisë. Njëri prej tyre ka lënë pas veprën e shkruar dhe erudicionin e lakmueshëm, si shqiptari më i ditur dhe më fammadh në atë shtet të largët; tjetri jeton ende dhe është simboli i një shqiptarie të habitshme.

I pari, Konica, është njeriu që ka zbuluar dhe bërë publik flamurin e Skënderbeut. E ka gjetur i vetëm, duke gërmuar në arkivat e gjithë botës. Tjetri, Noli, krejt i vetëm, ka bërë po ashtu një akt të pashembullt: ka krijuar Kishin Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Një vepër titani, frut i vullnetit të fortë che i mendjes së zgjuar.

Konicën ai, Ekrem Bardha, e ka njohur përmes librave dhe kujtimeve, me Nolin lidh miqësinë që do të vazhdojë deri në aktin e fundit. Noli, i cilësuar si i majtë dhe, Bardha, i trajtuar si i djathtë, kanë mes tyre një urë lidhëse: të drejtën sociale në perceptimin e së përditshmes dhe nacionalen në kujtesën e vazhdueshme.

Për të ngritur rrugën e Kosovës do të kishte vetëm një rrugë: Shtëpia e Bardhë, senati dhe Kongresi. Është e pamundur t perceptohet një rrugë tjetër. Ndoshta, pa e ditur atë thënien e vjetër dukagjinase se, “ kur ke zotin dajë, nuk ke nevojë për ëngjujt”, ai i drejtohet pikërisht atyre.

Tanimë nuk është i panjohur. Është një njeri i pasur, i virtytshëm, idealist; çdo gjë e ka ndërtuar me mendjen e guximin e tij, edhe në ato dusha ku të tjerët nuk guxonin dhe që i quanin të papërshtatshme për shqiptarët: sallonet e modës dhe gastronominë.

Duhen njohur dhe afruar kongresmenë, senatorë, ligjbërës, figura të shquara të mendimit politik amerikan. Përmes tyre mund të ketë një mendim për Kosovën dhe në këtë rrugëtim ka fatin të mos jetë i vetëm. Një pjesë e emigracionit shqiptar në Amerikë, ku bën pjesë edhe Ekrem Bardha, e kuptojnë fare mirë se mllefi ndaj komunizmit nuk duhet të errësojë kombin.

Është një lobim i vështirë. Ndoshta më i vështiri që ka pasur në fillimet e tij hezitime të shumta, pengesa, moskuptime dhe , ndoshta, pengje të harresës.

Përmenda “harresën” se ishte një rrugë që zgjati 40 vite, gjatë të cilëve, zyra e një njeriu të zakonshëm, arratisur një mbrëmje qershori të vitit 1953 nga vendi i tij, bëhet institucioni i vetëm shqiptar, ku janë bërë takime të nivelit të lartë me figura të shquara të politikës amerikane, shkëmbehen korrespondenca, projektohen lëvizje të reja, mendohet për krijimin e një lobi amerikan pro çështjes shqiptare; afrimet bëhet ngadalë, fillimisht është mosbesimi ndaj çështjes që zbehet gradualisht me besimin ndaj njeriut që e përcjell këtë mesazh; kur zyra e tij nuk është e mjaftueshme,  e gjithë shtëpia e tij kthehet në një qendër bashkëbisedimesh; kur personeli është larguar , atëherë përveshin mëngët pjesëtarët e tjerë të familjes;  dyshimet e moskuptimeve të para fillojnë dhe i lënë vendin shpresës, nis e zgjohet besimi se rruga është e drejtë dhe se mundësitë po hapen.

Takimet e para janë të mbushura me heshtje dhe një ndjenjë pritje, pasi gjithçka zhvillohet larg shtetit të madh amerikan, ku e dhëna e rreme ka zënë vend për fatin e Kosovës dhe kjo duhet shkundër. Shumë kush do të ishte tërhequr, do kishte heshtur. Nganjëherë lodhja do të jetë aq e madhe , sa që do të mendohej se , edhe kaq, sa është bërë, është e mjaftueshme për të mbushur një jetë njeriu. Por tanimë, ai ka marrë përsipër jo vetëm rolin e tij, por edhe të tjerët; gjithçka është shtrirë në sinorë të tjerë dhe Kosova fillon e bëhet një emër i dëgjuar në hallet e administratës së lartë të Amerikës.

Presidentët Amerikanë

Në rrugën e drejtë që zgjodhi Ekrem bardha do të takohej me gjashtë presidentë të Shteteve të Bashkuara.

Me pesë prej tyre do të bisedojë vetëm për Kosovën; në njërin takim, në takimin e parë me një president të shquar, Riçard Nikson, do të bisedojë për Shqipërinë.

Zbuluesi shqiptar Hasan Luçi do të jetë i pari që do të informojë për këtë takim shërbimin e tij të zbulimit të jashtëm. Ai do i shkruajë shefave në Tiranë se “ Ekrem Bardha, shqiptar i njohur, është takuar me ptresidentin Nikson. Tema e takimit të tyre nuk dihet, por, nga informacionet e ardhura, ka të dhëna se Ekrem Bardha i ka takuar Presidentit amerikan mbrojtjen e teritorit shqiptar nga nj agresion i mundshëm i Greqisë”.

Në Greqi është në fuqi junta ushtarake. Ajo sapo ka bërë një deklarat[ë për luftë ndaj shtetit shqiptar. Është një gjendje që trazon shqiptarët që e kishin dashur vendin e tyre, jo si sundues, por si shërbëtorë të tij. Është viri 1968. Ai e informon presidentin Nikson se juntae kolonelëve grekë kanë shfaqur haptas pretendimet e saj për aneksimin e jugut të Sqipërisë.

Një shqiptar i laruar nga vendi i tij futet në Shtëpin e Bardhë për të mbrojtur vendin që e ka braktisur.

Presidenti amerikan , në praninë e kongresmenit William Broomfeld, i thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë. Më pas, duke i dërguar një letër përsonale, i premton  se , “ unë nuk do të lejoj që pretendimet greke për territore shqiptare të realizohen”.

Udhënë e dërejtë Bardha e vazhdon më tej.

Nëse e kishte filluar me besimin se do të bëhej një ditë një ëndërr e tashme, duhej vazhduar. Shumë gjra do i mësonim më vonë. Koha e harresës do të grisej një ditë dhe habitshëm do të mësohej se çështja e Kosovës do të shtrohej para kongresmenëve amerikanë që me 20 maj 1975, se me 23 maj 1980 do i dërgohej një informacion i detajuar Departamentit të Shtetit për gjendjen e shqiptarëve në Jugpsllavi, se gjërat pastaj do të lëviznin më shpejt dhe pas ditë më vonë, me 28 maj 1980 Ekrem bardha, i sugjeruar nga Departamenti i Shetit, ftohet në Konferencën e madridit për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, për të diskutuar mbi të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi.

Kornizat e vjetra bien, traseja e re fillon e shtrohet. Ende pak vetë e besojnë se mund të ketë ndonjë dobi nga gjithë kjo lëvizje e një lobi shqiptar, të cilët, për më tepër, mgjithëse të pasuruar me punë të ndershme, nuk ngurrojnë të shpenzojnë pasurinë e tyre.

Dhe, që aty , nis e drejta legjitime e shqiptarëve për të qernë të pranishëm në politikën amerikane ndaj Ballkanit.

Çështja Ivezaj

Çdo shkulje miti të rremë e ka një fillesë. Ngulmuesit pro serbë se Jugosllavia është gjetja më e mirë e mundshme për të respektuar të drejtat njerëzore në një shtet socialist, ka në fillesën e saj një çsëhtje, e cila njihet si “Çështja Pjetër Ivezaj”.

Pjetër Ivezaj do të shkonte për pushime në vendlindjen e tij në vitin 1986. Befas, në komunitetin shqiptar në Amerikë u përhap lajmi, fillimisht i pabesueshëm, se Pjetër Ivezaj, ishte arrestuar. Autoritet jugosllave i kishin treguar atij disa fotografi, si provë fajësie, që tregonin pjesëmarrjen e tij në demonstratat e organizuara pesë vite më parë , në vitin 1981, në Uashington.

Gjykata e dënoi atë me shtatë vite burg.

Ekrem Bardha dhe komuniteti shqiptar në Miçigan u vu menjëherë në lëvije. U lajmërua kongresmeni Broomfled dhe çështja u vendos menjëherë në rendin e ditës në Kongresin Amerikan. Kongresi vendosi të thërrasë për të dëshmuar për këtë çështje përfaqësuesin e komunitetit shqiptar, Ekrem Bardha, në Nënkomisionin e Kongresit për të Drejtat e Njeriut, mbi çështjen Ivezaj dhe hartimin e dokumentit “ Përsekutimi i komunitetit shqiptar në Jugosllavi”.

Ky është edhe momenti i parë kur Kongresi Amerikan hap dxyert për një çështje shqiptare. Është data 8 tetor 1986.  Kongresi amerikan, për herë të parë, ngriti  akuzë ndaj Jugosllavisë, shtetit me statusin e  vendit të favorizuar, për shkeljen e të drejtave njerëzore dhe qytetare në atë vend. Brenda ak orësh, 150 kongresmenë nënshkruan peticionin ku kërkohej lirimi i mënjehershëm i shqiptaro – amerikanit Ivezaj.

Shqipëria dhe familja Bardhi

Malli është pjesë e jetës, sidomos tek të mërguarit , të cilët kishin ëndrrën e tyre rikthimin dhe pamundësinë e riardhjes.

Nga familja Bardha, ende në vitet e fundit të monizmit, do të vinte Donika Bardha.

E kam njohur vonë atë, në muajt e fundit. Nuk e di pse ka diçka të përbashkët me vitet e shkuara të një kohe tjetër. Më shumë se një e ardhur nga Amerika , më ka ngjarë me daljen nga rrjeshtat e De Radës apo të Darës. M shumë se sa kolonjare më ka ngjarë me arbëreshe. Ndoshta nga mirësia dhe një ndjenjë malli , që endet gjithmonë në ndjenjën e saj.

Fluturimi kishte qenë i rrëmujshëm, i lodhshëm pritja kishte qenë e padurueshme. Dhe me vete një ndjenjë ankthi për këtë vend që e kishin dashur pa e takuar kurrë, për gjithçka që kishte të bënte me një fëmijëri të ëndërruar dhe të skajuar në sheshet e rrugët e mëdha të Miçiganit. Askush nuk mund t’i zevendësonte me rrëpirat kolonjare.

Në ardhjen e parë kishte pasur befasinë e parë dhe kishte prekur një realitet që nuk e kishte dashur. Nuk e kishin lënë të hynte në vendin e saj dhe e kishin kthyer prapsht. Në udhëtimin kthyes drejt Zvicrës, përmes lotëve të dhimbjes, i kishte treguar një bashkëudhëtari hallin e saj. Ai i kishte thënë të shkonte përsëri në udhëtimin tjetër, pas dy a tri ditësh.

Unë e dëgjoja historinë e saj, të atij viti të largët, 1988?, dhe merrja me mend mallin e saj për një tokë , të cilën e kishte dëgjuar, fillimisht përmes gjyshes se saj , e pastaj, përmes prindërve. Nuk i kishte bërë asnjë përshtypje ndjekja që i bënin, përgjimi i vazhdueshëm, ajo histori e mrzitshme kur njerëzit ngurronin të flisnin lirisht me një vajzë të bukur që shqipen e theksonte si një arbëreshe. Në mendje i kishte mbetur varfëria e njerëzve, rëndesa e mendimit dhe i  ishte ngulitur dëshira për të riaardhur.

Pikërisht n Shqipëri, disa muaj më parë, e kam takuar fillimisht Ekrem bardhën.

Si shkrova më sipër, na lidhi Kosova dhe një ngjarje tejet e zakonshme.

Presidenti i Kosovës , Hashim Thaçi, do të bënte një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe, si këshilltar politik i tij, më kërkoi mendimin për dekorimin e disa personaliteteve të shquara të shtetit shqiptar, të cilët kishin dhënë kontribute të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Mes të tjerëve mendova edhe për Ekrem Bardhën. Nuk e kisha takuar asnjëherë, nuk ia dija moshën e as vendlindjen; në fakt e mendoja një verior, nuk kisha folur asnjëherë me të dhe , edhe pas disa muajve, nuk do e takoja.

Ekrem Bardha dhe Donika Bardha janë dekoruar disa herë nga shteti i Kosovës dhe mendoj se edhe nuk është bërë e gjitha çka meritojnë.

Një ditë të zakonshme, kur isha në Shqipëri, më telefoi një mik i përbashkët, Dashnor Kaloçi dhe më tha se zoti Bardha, duke u njohur me historinë e familjes sime, kishte dëshirë të takonte edhe nënën tonë. I kujtonte nënën e tij, e cila, më shumë se sa jetën në një vend të huaj, kishte pasur mallin për fshatin e saj.

Jemi takuar disa herë me zotin Bardha. E folura e tij është e habitshme, e figurshme, me ndjenjën e së mirës dhe me përkushtimin për të bukurën. Nuk mund t’i them i moshuar, megjithë vitet që ka pas vetes. Ka në vete një ndjenjë të habitshme rinore, sidomos ajo zgjohet kur flet për Kosovën dhe ëndrrën e tij.

Vajtëm sëbashku kur u përuruan Monumentet e Herojve të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci. Një ceremoni e bukur dhe përtej ëndrrës së tij. Më bëri një vërejtje : kur të gjithë fjalimet kishin mbaruar, dhe aty ishin gjithë përsonalitet më të larta të Kosovës dhe Shqipërisë, më tha se “ mos e harroni kurrë Amerikën. Pa shtetin amerikan dhe njerëzit ligjbërës të tij, nuk do të ishin as këto monumente të lavdisë së Kosovës”.

Botuesi i gazetës “Illyria” gjatë viteve të luftës në Kosovë , njeriu që kishte hapur dyert e Departamentit të Shtetit për njerëzit e politikës shqiptare në Kosovë, që gjithë jetën kishte pasur një ëndërr të madhe dhe kërkoi një përjetim të madh, e dinte më mirë se të gjithë se kjo ishte një e vërtetë e pashoqe, e rrallë në historinë e kombeve.

Në fakt, përpara ser mbi qiellin e Kosovës të fluturonin “Migët” amerikanë kundër posteve serbe, kishin qenë këto njerëz , të cilët, pabujshëm, urtësisht, kishin përgatitur gjithçka.

Pa to nuk do të kishte pasur një mendim ndryshe në Shtëpinë e Bardhë

37 vite pas largimit do të ulej në aeroportin e Rinasit. Shqipëria kishte hyrë në pluralizëm. Gazetarët u nisën drejt tij dhe e pyetën se në cilën parti do të bëjë pjesë.

“ Unë i takoj së djathtës, por partia ime është Shqipëria”.

E kam besuar gjithnjë këtë kredo të tij. Pas njohjes me të, e besoj edhe më tej.