Si e blenë shërbimi sekret amerikan CIA dhe ai gjerman BND një firmë zvicerane dhe me aparatet e saj përgjuan gjysmën e botës

Mediat zvicerane, gjermane dhe amerikane kanë zbuluar njërën prej aferave më të mëdha në botë pas Luftës së Dytë Botërore. Më 1970 shërbimi sekret amerikan CIA dhe ai gjerman BND blenë firmën zvicerane Crypto AG me seli afër Zürichut. Crypto prodhonte aparate për kodimin e mesazheve. Mbi 100 shtete kanë blerë këto aparate zvicerane pa e ditur se firma që i prodhonte ishte pronë e shërbimeve perëndimore, të cilat kësisoj kanë qenë në gjendje të përgjojnë komunikimet sekrete të shteteve të ndryshme – mes tyre edhe të Jugosllavisë.

Kush ka qasje në informacion, ai gjendet një hap para armikut. Për të siguruar qasje në informacion shërbimi sekret amerikan CIA dhe shërbimi sekret gjerman BND gjatë Luftës së Ftohtë startuan njërin prej aksioneve më spektakulare pas Luftës së Dytë Botërore: më 1970 CIA dhe BND e blenë përgjysmë firmën zvicerane Crypto AG me seli në Steinhausen në kantonin e Zugut në Zvicër. Crypto AG prodhonte aparate për kodimin e mesazheve. Makinat e Crypto AG kodonin komunikimin sekret, duke pamundësuar kështu përgjimin. Për të humbur gjurmë, blerja e Crypto AG u bë përmes një fondacioni në Principatën e Lichtensteinit.

Para blerjes mes Crypto AG dhe shërbimeve sekrete perëndimore ekzistonte një bashkëpunim i tërthortë, pas blerjes Crypto AG ishte nën kontrollin e plotë të CIA dhe BND. Dhe këtu fillon filmi kriminalistik. CIA dhe BND i kurdisnin aparatet e kodimit në atë mënyrë, që ato të mundësonin përgjimin e mbi 100 shteteve. Përgjoheshin komunikime brenda qeverive, autoriteteve, ambasadave, përgjoheshin diplomatë, konflikte luftarake, institucione ushtarake, shërbime sekrete. Me një fjalë pothuaj çdo gjë me rëndësi. Shtetet e bllokut komunist qenë të kujdesshme dhe nuk blenë aparate të Crypto AG.

Sipas gazetës zvicerane “Tages Anzeiger” firma Crypto AG ka shitur aparate në 130 shtete të ndryshme. Skandali është zbuluar nga mediat zvicerane, gjermane dhe amerikane. Pritet që “Washington Post” nesër të dalë me një seri shkrimesh për këtë aferë. Televizioni i Zvicrës aferës do t’ia kushtojë një emision special. Gazeta “Tages Anzeiger” nesër boton tri faqe për këtë skandal.

Dosja sekrete përmban 280 faqe. Bernd Schmidbauer, koordinator i shërbimeve sekrete nën kancelarin gjerman Helmut Kohl, ka konfirmuar veprimet e shërbimeve sekrete amerikane dhe gjermane. Operacioni “Rubikon”, tha Schmidbauer, “me siguri ka kontribuuar që bota të jetë pak më e sigurt”. Operacioni ka vazhduar deri në vitin 2018. Po atë vit është shpërbërë firma Crypto AG.

Si u zbulua afera? Gazetari i pavarur gjerman Peter F. Müller, i cili punon për televizionin gjerman ZDF, ka deklaruar se vitin e kaluar nga një burim ka pranuar dosjen prej 280 faqesh mbi firmën Crypto AG. Këto dokumente pastaj janë verifikuar nga redaksitë e “Washington Post” dhe të emisionit “Rundschau” të televizionit të Zvicrës. Redaksitë kanë arritur në përfundimin se dokumentet janë të vërteta dhe burojnë nga CIA dhe BND.

Shtetet si Irani, Libia, Egjipti, Arabia Saudite besonin se aparatet zvicerane ishin plotësisht në rregull. Zvicra si shtet neutral gëzonte reputacion të mirë në botë, besimi në teknologjinë zvicerane ishte pothuaj i pakufishëm. Qeverive që blinin këto aparate me gjasë nuk u shkonte mendja se ato mund të jenë të manipuluara dhe çdo gjë që kalon nëpër aparatet e Crypto AG përfundon në tavolinat e agjentëve të CIA dhe të BND-së.

“Koha Ditore” mëson nga ekipi i gazetarëve hulumtues se ndër vendet që ka blerë në Zvicër aparate për kodimin e mesazheve ka qenë edhe Jugosllavia. Në prag të shpërthimit të luftës në Jugosllavi specialistët e Armatës Popullore Jugosllave (APJ) me gjasë zbuluan se aparatet ishin të manipuluara dhe u ankuan te zviceranët. Të frikësuar se jugosllavët mund të flasin për këtë çështje të ndjeshme, shitësit e firmës Crypto AG u dërguan atyre aparate në gjendje të rregullt. Pas pak kohësh, thotë burimi i “Kohës Ditore”, CIA dhe BND u ankuan te firma zvicerane se çfarë ka ndodhur që nuk po funksionon më përgjimi i jugosllavëve.

Aparate të Crypto AG blenë edhe shtete si Irlanda, Spanja, Portugalia, Italia dhe Turqia. Vende të tjera të pajisura me aparate të Crypto AG kanë qenë: Argjentina, Kili, Brazili, Meksika, Peruja, Uruguai, Venezuela. Në Azi: India, Pakistani, Bangladeshi, Birmania, Filipinet, Malajzia, Tajlanda, Japonia, Korea e Jugut, Indonezia. Dokumentet nga dosja dëshmojnë se firma zvicerane shiste aparate të sigurta dhe të pasigurta. Se kujt do t’i shiteshin aparatet e pasigurta, domethënë të përgjueshme, për këtë – sipas mediave – vendosnin CIA dhe BND.

Aparatet e Crypto AG u shfrytëzuan për dekodimin e mesazheve të Argjentinës në luftën e Falklandit, pastaj këto mesazh amerikanët ua dhanë britanikëve. Të dhënat e aparateve zvicerane u shfrytëzuan edhe me rastin e invadimit amerikan në Panama më 1989, gjatë lirimit të pengjeve në Iran, në konfliktin në Lindjen e Afërt apo në zbulimin e sulmeve terroriste të libianëve kundër SHBA-ve.

Pas zbulimit të aferës, mediat zvicerane supozojnë se neutraliteti i shtetit të Zvicrës do të marrë një goditje të rëndë. Zvicra në politikën ndërkombëtare luan një rol të rëndësishëm me shërbimet e saj të mira: në Iran, për shembull, Zvicra i përfaqëson interesat e Amerikës. Këtë e ka bërë edhe në shtete të tjera, ku Washingtoni nuk ka pasur përfaqësi për shkak të konflikteve. Qeveria e Zvicrës ka reaguar menjëherë: një ish-gjykatës federal është ngarkuar që deri në fund të qershorit të sqarojë gjendjen faktike. Dy firma pasardhëse të Crypto AG kanë njoftuar se nuk dinë asgjë për operacionin “Rubikoni”. Ministri i ekonomisë i Zvicrës ia ka pezulluar lejen për eksport firmës Crypto International AG.

Crypto AG u themelua më 1952 nga inxhinieri suedez Boris Hagelin. Pasi u kthye nga SHBA-të ai e zgjodhi Zvicrën si seli për firmën e tij, sepse Zvicra ishte shtet neutral dhe kishte praktika më liberale për eksport se sa Suedia. Hagelin bashkëpunoi ngushtë me kriptologun amerikan William Friedman, më vonë nisi bashkëpunimi edhe me CIA. Më 1970 Crypto AG kalon në pronësi të CIA dhe BND. Më 1977 një zëvendësdrejtor i Crypto AG fillon të dyshojë se diçka nuk ishte në rregull me aparatet, por nuk arrin larg: e largojnë nga puna. Ai ndihet i kërcënuar dhe i drejtohet policisë federale të Zvicrës. Asgjë nuk ndodhë.

Në fillim të viteve 90-të në Iran u arrestua zvicerani Hans Bühler. Si punëtor i Crypto AG ai ishte njëri prej shitësve me të suksesshëm. Irani ishte ndër klientët më të mirë. Bühler kishte mësuar edhe gjuhën farsi (persisht) për të komunikuar sa më besueshëm me iranianët. Ndërsa Bühler mbahej në burg në Iran, shërbimi sekret BND u tërhoq nga firma Crypto AG. Pas gati 10 muajsh në burg në Iran, Bühler u lirua. Crypto AG kishte paguar një milion dollarë për lirimin e tij. Pas kthimit në Zvicër ai u përjashtua nga puna.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Leave a Reply