Shtëpia e Bardhë: Presidenti nuk është informuar për komplote ruse në Afganistan

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Trump nuk është informuar më parë se ekzistojnë raporte të zbulimit amerikan që, sipas një gazete amerikane, tregojnë se shërbimet inteligjente ruse u kishin ofruar shpërblime ekstremistëve që kanë lidhje me Talebanët për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan.

As President Trumpi dhe as nënpresidenti Mike Pence nuk janë informuar nëse vërtetë ka raporte të tilla të agjencive amerikane të zbulimit, tha përmes një deklarate sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, duke iu referuar një artikulli të New York Times të datës 26 qershor.

“Ky fakt nuk vë në pikëpyetje meritën e raporteve të zbulimit, por dëshmon pasaktësinë e artikullit të New York Times, që pretendon se presidenti ishte informuar mbi këtë çështje,” tha ajo.

Ish-nënpresidenti Joe Biden reagoi pas botimit të artikullit, duke akuzuar presidentin se nuk kishte vepruar.

Zoti Biden tha se këto njoftime shokuese, nëse janë të vërteta, tregojnë se zoti “Trump e ka ditur prej muajsh” dhe “nuk ka bërë asgjë prej muajsh” madje ka bërë “më keq se asgjë”.

Zoti Biden, i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat në zgjedhjet presidenciale, tha se presidenti jo vetëm që ka dështuar të marrë masa ndaj Rusisë, por “ka vazhduar fushatën e tij të turpshme të përuljes para Vladimir Putinit”.

Zoti Biden premtoi se nëse zgjidhet më 3 nëntor, “do të ketë kosto serioze për Rusinë”.

Gazeta New York Times njoftonte se zyrtarët amerikanë të zbulimit kishin arritur muaj më parë në përfundimin se shërbimet inteligjente ushtarake ruse u kishin ofruar shpërblim operativëve që kanë lidhje me Talebanët. Sipas gazetës, e cila citonte në kushte anonimiteti
zyrtarë amerikanë që ishin informuar mbi këtë çështje, një njësi sekrete e agjencisë ushtarake ruse të zbulimit, GRU, e cila besohet se është pas një numër tentativash për atentate në Evropë si dhe aktivtetesh të tjera, kishte ofruar vjet shpërblime për sulme që realizoheshin me sukses.

Një zëdhënës i udhëheqjes së Talebanëve tha më 27 qershor se ky grup “e përgënjeshtron me forcë” këtë pretendim. Zëdhënësi tha se Talebanët “nuk janë në borxh të bamirësisë së asnjë shteti apo agjencie të huaj zbulimi, po ashtu Talebanët nuk kanë nevojë të dëgjojnë nga askush se çfarë objektivash specifike kemi”.

Zëdhënës të Këshillit Kombëtar për Sigurinë, të Pentagonit dhe të CIA-s nuk kanë pranuar të komentojnë mbi pretendimet e ngritura në artikullin e New York Times që më pas u përsëritën në një artikull të The Washington Post.

Ministria e Jashtme ruse i hodhi poshtë njoftimet.

“Ky plan i pasofistikuar dëshmon aftësitë e rëndomta intelektuale të propagandistëve të zbulimit amerikan, të cilët, në vend që të shpikin diçka më të besueshme, kanë dalë me këtë budallallek,” tha Ministria e Jashtme ruse.

New York Times shkruan në artikullin e saj se raportet e zbulimit bazoheshin pjesërisht në intervista me operativë të Talebanëve të kapur nga ushtarë amerikanë. Artikulli njofton se ekstremistë që kishin lidhje me Talebanët ose “elementë kriminalë që kishin kontakte të ngushta me ta” kishin marrë shuma parash. Por New York Times njofton se nuk është e qartë nëse asnjë apo ndoshta 20 ushtarë amerikanë janë vrarë vjet në Afganistan në sulme që lidhen me këto pagesa.

Gazeta, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, të cilët kishin dieni për raportin e shërbimeve të zbulimit, njofton se presidenti ishte informuar dhe Këshilli për Sigurinë Kombëtare e kishte diskutuar këtë temë në fund të marsit. Zyrtarët kishin diskutuar përgjigje të ndryshme, përfshirë një notë proteste diplomatike drejtuar Rusisë, por Shtëpia e Bardhë nuk ka autorizuar asnjë hap, thuhet në artikull.

Të paktën dy anëtarë të Kongresit kanë kërkuar përgjigje. Senatori Lindsey Graham shkruante në Twitter se është shumë e rendësishme që Kongresi të zbulojë të vërtetën. Senatori Bob Menendez tha se Kongresi duhet të veprojë “nëse Presidenti Trump nuk pranon të mbajë Putinin përgjegjës për financimin e terrorizmit kundër trupave amerikane në Afganistan”.

Ndërkohë që këto akuza ngrihen në median amerikane, SHBA po përpiqen të çojnë përpara një proces paqeje në Afganistan, pasi u nënshkrua një marrëdhënie mes Uashingtonit dhe Talebanëve në bazë të së cilës trupat amerikane do të largohen nga Afganistani vitin e ardhshëm.

Zeri i Amerikes