Shtatë shpërnguljet e shqiptarëve në Itali, cilat ishin dhe kur filluan?

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar hapi publikun ekspozitën me titull “Shpirti arbëresh në veshje”. Veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e arbëreshëve të Italisë së Jugut duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e vet kulturor.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike. Për të kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj. “Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shekullit V dhe formimi i tyre u plotësua në shekullit XVIII.

Kolonitë arbëreshe mbërritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit. Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme.

“Arbëreshët, bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Këto grupe të popullsisë arbëreshe nuk u shkrinë dot me popullsinë vendase, por ruajtën dhe lartësuan me krenari identitetin etnik origjinal që ka ardhur përtej shekujve në forma të shumëllojshme, duke e shprehur në jetën e përditshme, në shprehjet artistike, traditat gojore dhe letrare”, tha Koçi.

Ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, duke filluar me shpërnguljen e parë (1416-1448) në krahinën e Katanxaros (Garafa, Karfici, Puhëriu, Shën Koli, Vina etj.); më pas vjen shpërngulja e dytë (1459-1462) në krahinën e Avelinos (Greçi e Picilia). Shpërngulja e tretë (1468-1506) lidhet me krahinën e Kozencës (Ejanina, Falkunara, Farneta, Ferma, Frasnita, Kastërnexhi, Maqi, Marri, Mbuzati, Pllatani, Shën Japku, Shën Mitri, Shën Sofia, Shën Vasili, Ungra etj.). Stendat e radhës pasqyrojnë shpërnguljen e katërt (1532-1534) në krahinën e Palermos (Hora e Arbëreshëve, Sëndastina, Shën Pali etj.), si edhe shpërnguljen e pestë (1647-1664) në krahinën e Kampobasos (Këmarini, Munxhufuni, Posrtkanuni, Ruri etj.)

Duhet theksuar fakti se shpërnguljet e fundit të shqiptarëve, shpërngulja e gjashtë dhe e shtatë, zhvillohet pothuajse në pjesën më të madhe të katundeve të përmendura me lart.

Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror, ato i bashkojnë dhe i barazojnë njerëzit me njeri-tjetrin. Kukullat, modele në miniaturë, dëshmojnë kulturën arbëreshe. Të skematizuara dhe të thjeshtësuara në përpunimin e tyre, ato i ofrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të arbëreshëve. Veshja e gruas ka paraqitur në historinë e popullit tonë një element të krenarisë gjatë momenteve më të errëta të historisë. Funksionet që bartin këto kostume janë të ndryshme dhe tregojnë rendin shoqëror, moshën, klasën, punën, zinë, përfaqësimin e besimit fetar si dhe faktin që një person është beqar apo i martuar. Kukullat me veshje arbëreshe sjellin një imazh të paqes dhe vëllazërimit, të dy popujve, brigjet e të cilëve lagen nga i njëjti det. /GSH/