Shqiptarja nga Kosova, Vasfije Krasniqi Goodman, mori çmimin Kim Bok-dong për Paqe për vitin 2019

Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u përzgjodh për të marrë çmimin Kim Bok-dong për Paqe për vitin 2019.

Ky çmim ndahet nga Këshilli Korean për Drejtësi dhe Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake nga Japonia, dhe nderon individët apo organizatat që punojnë për të zgjidhur çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të siguruar të drejtat e grave në konfliktet e armatosura anembanë botës.

“Vasfije Krasniqi Goodman është e angazhuar në ndërgjegjësimin e njerëzve lidhur me përdhunimet gjatë luftës ndërsa është edhe personi i parë që ka ndarë publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale, që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Këshilli Korean për Drejtësi dhe Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake.

Zonja Krasniqi – Goodman u përdhunua nga forcat serbe kur ishte 16 vjeçe. Që atëherë, thuhet në njoftim, ajo ka vazhduar angazhimin për vënien para drejtësisë të kryesve të kësaj vepre, ndërsa ka marrë pjesë në ngjarje të ndryshme duke përfshirë fjalimet publike, si në fushatën “Bëhu zëri im” përmes së cilës synohet ngritja e vetëdijesimit për këtë çështje.

Përveç që ka përfaqësuar zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, nga koha e luftës në Kosovë nëpër shumë konferenca e simpoziume ndërkombëtare, ajo ka dhënë dëshmitë e saj edhe para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe së fundmi para Kongresit Amerikan.

Ende nuk dihet numri i saktë, por besohet se mijëra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Thuhet se numri i tyre mund të jetë rreth 20 mijë, por numri i saktë mbase nuk do të mësohet kurrë dhe rrëfimet rreth tyre deri vonë ishin shumë të pakta për shkak të frikës nga stigmatizimi.

VOA