Shqiptarja nga Kosova, Dua Lipa triumfon në “BRIT Awards”, konsiderohet Fenomen i vitit mesazh për forcën e gruas

Për të marrë çmimin e dytë të saj, ajo ngjiti në skenë vëllain dhe motrën e saj, Gjin dhe Rina, sepse në fund të albumit, vetë Dua shpjegon se donte që ata të përjetonin nga afër magjinë

Në Londër mbrëmjes e së mërkurës u mbajt ceremonia e “BRIT Awards”, dhe yjet e shfaqjes ishin Dua Lipa dhe reperi Stormzy. Të dy morën nga dy çmime, por Dua Lipa bëri pak më shumë se aq. Fituesja e parë e “BRIT Awards” ishte pikërisht Dua Lipa e cila mori çmimin “Best Female Solo Artist” (Artistja më e mirë femër). “Faleminderit shumë. Jam kaq e nderuar dhe e përulur. Dua të falenderoj çdo grua që ka qenë përpara meje në këtë skenë dhe kanë frymëzuar vajza si unë për t’i çuar më tej ëndrrat tona”,-është shprehur Lipa. Ajo shtoi: “Ja më shumë gra në këto skena, më shumë gra që fitojnë çmime dhe më shumë gra që marrin përsipër botën”. Dua Lipa është këngëtarja e parë në historinë e çmimeve “BRIT” që nominohet në pesë kategori të ndryshme. U nominua për “Këngën më të Mirë Britanike”, “Videon Muzikore më të Mirë Britanike”, “Albumi Britanik i Vitit”, “Artistja më e Mirë Britanike” dhe “Zbulimi më i Mirë Britanik”. Nga këto nominime, këngëtarja shqiptare mori me vete vetëm dy të fundit. Për të marrë çmimin e dytë të saj, ajo ngjiti në skenë vëllain dhe motrën e saj, Gjin dhe Rina, sepse në fund të albumit, vetë Dua shpjegon se donte që ata të përjetonin nga afër magjinë dhe se ëndrrat kthehen vërtetë në realitet. Nga skena, e emocionuar, Dua i falënderoi të gjithë për vlerësimin që i dhanë duke ia bërë ëndrrën realitet. Për të pranuar çmimet, Dua veshi një fustan ngjyrë bojëqielli e lehtë, me jakë të hapur dhe kristale dekorues në gjithë gjatësinë e tij. Flokët sigurisht, i mbajti të drejtë dhe të zinj, ndërsa sytë të shkëlqyeshëm. Dua u shkëput nga familjarët për të vazhduar festën me miqt e afërt, ekipin e saj dhe me këngëtarët tjerë në pas ”Brit Awards”. Festa ishte e mbyllur për media, por artistët shijuan kohën e tyre larg syrit të paparacëve, por u siguruan që vet të publikojnë imazhe, ashtu siç bëri edhe vetë Dua. Për Dua Lipën ky është kulmi i karrierës së deritanishme dhe është shtruar baza për një depërtim të madh në SHBA-të, ku mund të synojë edhe çmime të mëdha si Grammy.

Kush është Dua?

22-vjeçarja e lindur në Londër nga prindër shqiptarë nga Kosova, të cilët emigruan në vitet 1990 në Londër. Dua Lipa emrin e ka marrë nga katër gërmat e para të emrit të babait të saj, Dukagjin Lipa. Dua Lipa lindi në Londër, më 22 gusht të vitit 1995 dhe u kthye në Kosovë bashkë me familjen e saj në vitin 2008. Duke u kthyer në Britani të Madhe në moshën 16-vjeçare, Dua nisi punën si modele dhe u përpoq të fillonte karrierën muzikore. Duke përdorur YouTube si një platformë që nga mosha 14-vjeçare, ajo u bë e njohur për coverat.

Karriera

Në vitin 2015 ajo nënshkroi kontratë me “Warner Bros. Records”, dhe publikoi ​​këngën e parë “New Love”, ku filloi të punojë për albumin e parë debutues. Menjëherë kënga u bë hit në Europë, duke renditur në krye të klasifikimeve. Shpërthimi i saj i madh erdhi me “Hotter Than Hell”, që i solli njohje si në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA. Më 21 prill 2017, Dua publikoi këngën ​​”Lost in Your Light”. Dhe më në fund, ​​albumi i plotë debutues, i cili u titullua “Dua”. 22-vjeçarja zbuloi temat lirike të albumit që bazohen në pikëpamjet e saj personale për dashurinë, seksin dhe vetë-fuqizimin. Lipa ka një dorë të veçantë në çdo këngë. Kështu që ju e dini se zemra dhe shpirti i saj janë me të vërtetë në këtë album. Në dhjetorit të 2017, u zbulua se Dua Lipa ishte femra më e transmetuar në “Spotify” për sa i takon Britanisë së Madhe, duke lënë prapa yjeve si Beyonce dhe Taylor Swift.

Dua dhe Rita nuk i zbusin tensionet

Pak ditë më parë, Rita Ora tha në një intervistë se s’ka patur ende shansin të takojë Dua Lipën. Është shumë krenare për të, është krenare për çdo shqiptar që përfaqëson vendin nëprë botë, thjesht s’kanë pasur mundësi të takohen. Mirë deri këtu. Dua Lipa postoi një foto të Boratit me kostumin e tij tipik dhe ky veprim u duk si kunjë ndaj kostumit të Ritës në koncertin e pavarësisë së Kosovës. Rita, pas kësaj, postoi renditjen e këngëtareve më të dëgjuara dhe Spotify dhe i vuri vizën, fjalë për fjalë, Dua Lipës. Tensioni është i dukshëm. Në “BRIT Awards”, patën mundësinë të shuanin çdo fjalë për një sherr të heshtur mes tyre dhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Këngëtaret performuan dhe ishin prezente në “BRIT Awards”, por për çudi s’u ndeshën kurrë me njëra-tjetrën. Madje, s’u ra rasti as të postonin diçka në Instagram. Deri kur të marrim konfirmim bruto, le të mbështetemi tek provat e vogla. Dua dhe Rita nuk janë shoqe fare.

 

 

 

 

Këngët hit të Dua Lipës

“New Love”
“Be the One”
“Last dance”
“Hotter than hell”
“Blow Your Mind (Mwah)”
“Scared to Be Lonely”
“Lost in Your Light”
“New Rules”
“Homesick”
“IDGAF”

 

Lista e plotë e fituesve në “Brit Awards 2018”:

Këngëtari më i mirë britanik-Stormzy

Këngëtarja më e mirë britanike-Dua Lipa

Kënga më e mirë britanike e vitit-Rag’n’Bone Man-‘Human’

Grupi më i mirë britanik-Gorillaz

Depërtimi britanik i vitit-Dua Lipa

Videoklipi më i mirë britanik i vitit-Harry Styles-Sign Of The Times

Këngëtarja më e mirë ndërkombëtare e vitit-Lorde

Këngëtari më i mirë ndërkombëtar i vitit-Kendrick Lamar

Grupi më i mirë ndërkombëtar-Foo Fighters

Albumi britanik i vitit-Stormzy-Gang Signs & Prayer

Çmimi i Kritikës-Jorja Smith