Shqiptarët, mes xhaketave të vjetra të politikës dhe shembullit që po u jep Europa

Nga Manjola Bregasi –

Pas fitores së Donald Trump për Shtëpinë e Bardhë duket se era e ndryshimit të politikës tradicionale do të frynte edhe në Europë.

Në fakt Greqia kishte dhënë më herët sinjalet e para, kur Syriza shkëlqeu befas në vitin 2012 duke i dhënë fitoren për të parën herë nga rënia e komunizmit në Europën Perëndimore, një force të majtë radikale.

Ndërkohë, dalja e Tsiprasit si Kryeministër në zgjedhjet e vitit 2015, tregoi se grekët vendosën t’i japin besim imazhit të një politikani të ri, sportiv dhe karizmatik, larg figurës së drejtuesit klasik.

Italia e dalë nga zgjedhjet e 4 marsit dha sërish një shembull atipik. Rezultatet e këtyre votimeve kanë tronditur pozicionin e partive tradicionale si Partia Demokratike dhe Forca Italia, ndërsa kanë shënuar rritjen e forcave të cilësuara si antisitem, veçanërisht Lega dhe lëvizja Cinque Stelle.

Rasti i presidencialeve në Francë solli një tjetër model. Për herë të parë partitë tradicionale, republikanët dhe socialistët u zhdukën nga gara, ndërkohë që nga balotazhi, një kandiat i pavarur si Emmanuel Macron arriti të dalë në krye të vendit. “Politika franceze tashmë ka një fytyrë të re”, u shpreh pas fitores Macron.

Nndërkohë, edhe Britania e madhe solli në vitin 2014 rastin e UKIP, që në zgjedhjet për në Parlamentin Europian rezultoi e para forcë politike, që në 100 vite fitonte mazhorancë votash, duke thyer kështu mitin e torëve dhe laburistëve.

Teksa Merkel bëhet gati të krijojë qeverinë e saj të katërt, mbështetur në një koalicion me bazë të gjerë, ku spikat ekstremi i djathtë AdF si forca e tretë, duket se tashmë ndryshimet politike në Europë nuk janë më suprizë.

Por a është suprizë Shqipëria? A do të jetë ajo një ishull i vonuar i Europës, apo një vend i paparashikueshëm që mund të trazojë ujërat atëherë kur askush nuk e pret?

A është gati Shqipëria të ngrejë një forcë të re politike, që nuk del nga kasta e xhaketave të vjetra, të kritikuara shumë vite më parë, por të mbetura ende në vitrinën e ekspozuar të politikës?

A janë qytetarët shqiptarë gati të pranojnë një Beppe Grillo, Një Macron, një Tsipras ose një Trump, apo ende do ta gjejnë veten mes zgjedhjes së të keqes më të vogël?

Vetëm dy ditë më parë, pas fitores së lëvizjes së krijuar prej tij, Beppe Grillo shkruante: “Luftuam në dy fronte: Mbi parimin se të gjithë janë njëlloj dhe në fund vendos Europa dhe mbi parimin që të gjithë janë njëlloj, bëjnë ata që u përshtatet interesave të tyre”.

Po Shqipëria në cilin front do të luftojë në zgjedhjet e ardhshme?

A është politika ajo që duhet të prodhojë një mundësi tjetër për qytetarët e saj, apo qytetarët që duhet të kërkojnë një zgjidhje ndryshe tek politika? Mbetet për t’u parë!

OPINION