Shqiptarët kanë një mitologji të pasur, shumë pak të studiuar

Fatkeqësisht në shtatë dekadat e fundit mitologjia shqiptare, për shkaqe që dihen u la anash nga studiuesit, gjatë mbledhjes në terren u bën retushime dhe fatkeqësisht në këtë periudhë humbi një thesar tepër i çmueshëm i kulturës shqiptare.
Në shek. XIX dhe gjysmën e parë të shek. XX për mitologjinë e Shqiptarëve kanë shkruar shumë autorë, ndonëse asnjëri nuk e rroku këtë temë në mënyrë tërësore dhe gjerësisht në vështrim gjeografik; asnjeri nuk përfshiu në këtë objekt treva të gjera të banuara nga shqiptarët, as problematikat kryesore të kësaj fushe. Ndër autorët e huaj që botuan materiale e studime për mitologji e besime ndër Shqiptarë mund të përmendim A. Bouë J. G. Hanin , G. Majer, H. Pedersenin , F. Nopçën , Durham, M. Hasluck, M. Lamberc: “Përralla shqiptare”, (Vjenë 1922), “Mitologjia e shqiptarëve”, F. Degrand etj. Në një masë më të paktë, material me interes për mitologji e besime ndër Shqiptarë botuan dhe shumë autorë të tjerë të huaj të shek. XIX e të fillimit të shek. XX, përfshirë vepra e artikuj të tyre. Materiali i mbledhur dhe i botuar prej tyre ka në përgjithësi karakter përshkrues; na japin të dhëna me rëndësi për elementë të ndryshëm mitesh dhe besimesh në popullin tonë; ajo çka është më me interes, të tillë elementë në kohë të tyre ishin akoma të gjallë në trevën shqiptare ë, më vonë, ato i gjejmë ose të zbehura shumë, ose të zhdukura fare. Këtu qëndron dhe vlera e punës së tyre si regjistrues e ruajtës të materialit faktik. Nuk ju ranë në sy, ose i regjistruan vetëm kalimthi disa figura shumë të rëndësishme të mitologjisë popullore shqiptare si Dragoi, Kuçedra, Nëna e Vatrës, Vitorja, Ora, Zana, Nëna e Diellit, Plaku i Kopshtit, Dordoleci për të rënë shi, rite e zakone në lidhje me buzmin, në lidhje me Zjarret rituale të vitit e kështu me radhë.
Rilindësit shqiptarë ishin studiuesit më seriozë të mitologjisë shqiptare. Pashko Vasa na thotë se populli shqiptar betohet për qiell, për dhë, për gurë, për ujë, për mal, për fushë, për diell, për hënë dhe nuk betohet për perëndi e për shenjtorë. J.Vreto, K.Kristoforidhi, N.Frashëri, A.Z.Çajupi, Shtjefën Gjeçovi, na flasin për kultin e Tomorrit si një vend ku ruhen rite e besime vendëse të Shqiptarëve e që janë dëshmi uniteti në traditat e lashta të këtij populli. Autorët arbëreshë të Italisë (rilindas) si J.De Rada në botimet e tij letrare e folklorike, A. Argondica në artikujt e tij në “lli i Arbëreshëvet” e të tjerë, na japin materiale me vlerë për mitologji e besime të’ Arbëreshëve. De Rada, duke u nisur nga qëllime atdhetare, bër kahasime në mes mitologjisë shqiptare dhe asaj të lashtësisë. Folkloristët shqiptarë të Rilindjes si Th. Mitko me “Bletën shqiptare” (1878), S. Dine me “Valët e detit” (1908), Z. Jubani (1871) me “Pëmnbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare” dhe më pas ata të Pavarësisë si B. Palaj, K. Kamsi, S.Th. Frashëri, K Taipi, S. Kolea, R. Alikaj, N.Suma, Ll. Karafili (Bardhyli), M. Sirdani, I Dalliu, V.Xhaçka, H. Bushati, K.Shtjefni, e të tjerë, në botimet e tyre ne japin material me mjaft interes për mitologji. K. Kamsi, na ka dhënë disa artikuj të veçantë kushtuar riteve e zakoneve kalendarike si Dita e Verës, Shën Gjergji etj, po dhe për mite e besime të lashta vendëse në përgjithësi në popullin tonë (si “Besime të popullit në Labëri”, Diturija, 1927-1928 etj.) Punime të shumta e me shumë vlerë ka botuar I.Dalliu për fshatra e qytet të Tiranës. Gjatë periudhës së Pavarësisë nga autorë të ndryshëm u botua material me interes në disa të përkohshme si “Albania” e Faik Konicës, “Kalendari Kombiar” i M. Frashërit, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Diturija”, “Shkolla kombëtare”, “Njeriu” “Drini”, “Përpjekja shqiptare”, “Normalisti”, “Vatra Shqiptare”, “Zani i Naltë”, “Njeriu”, “Cirka”, Normalisti”.
Fatkeqësisht në shtatë dekadat e fundit mitologjia shqiptare, për shkaqe që dihen u la anash nga studiuesit, gjatë mbledhjes në terren u bën retushime dhe kështu në këtë periudhë humbi një thesar tepër i çmueshëm i kulturës shqiptare.

Bota Sot