SHQIPËRIA TJETËR…!

Nga Silvana BEGAJ
(Assistant pedagoge në Universitetin e Gävle)

– Nëse të ëndërrosh pak është e rrezikshme, zgjidhja nuk është të ëndërrosh më pak, por të ëndërrosh më shumë, të ëndërrosh gjatë gjithë kohës. (M.Proust)

Dhe unë kam një ëndërr. Sot dua të ëndërrojmë të gjithë bashkë!Të ëndërrojmë për një Shqipëri tjetër për një Shqipëri të lirë. Një Shqipëri të bukur dhe Europiane ku i varfri nuk shtypet, ku i sëmuri nuk përbuzet, ku krimineli ka frikë ligjin dhe jo ligji kriminelin. Unë dua një Shqipëri ku jep përpara se të marri. Një Shqipëri që e mban dhe e motivon rininë, nuk e shtyp dhe e largon atë. Ëndërroj Shqipërinë tjetër me një rini që nuk korruptohet, nuk joshet, por reagon për përmirësimin dhe zhvillimin e saj. Ëndërroj Shqipërinë tjetër ku pensioni i atyre që kanë punuar një jetë mos të jetë vetëm për ti turpëruar ata. Ëndërroj Shqipërinë tjetër ku ata që janë të papunë mos të futen në burg se nuk kanë paguar dritat. Në Shqipërinë tjetër strehimi nuk është luks por nevojë thelbësore për jetën. Në Shqipërinë tjetër shteti nuk udhëhiqet nga bandat dhe krimi. Në Shqipërinë tjetër kushdo që thyen ligjin ndëshkohet pavarësisht statusit që ka.

Në Shqipërinë tjetër fondet nuk shkojnë në xhepat e politikës por në destinacionin e duhur. Ëndërroj që edhe shqiptarët e Shqipërisë tjetër të kuptojnë që forca janë ata, janë ata që vendosin dhe nuk lejojnë të përdoren. Ëndërroj një popull që nuk digjet në zjarr për një politikan, por e ve para përgjegjësisë nëse thyen ligjin. Ëndërroj një Shqipëri që mos të dëgjohen vrasje çdo ditë. Ëndërroj një Shqipëri që të dëgjohemi nëpër botë për bukuritë natyrore, për talente e jo për vrasje, drogë, prostitucion, krim dhe mafie. Në Shqipërinë tjetër ka gjykata funksionale dhe jo shqiptar që iu vidhet e drejta për një grusht me para. Në Shqipërinë tjetër nuk futesh në punë se valëvite disa flamuj me ngjyra politike, por sepse je i aftë. Në Shqipërinë tjetër fondet, taksat shërbejnë për të mira dhe shërbime publike në shërbim të qytetarit dhe që gjeneron vende pune, jo për të pasuruar një politikan të etur.

Në Shqipërinë tjetër kush vret dënohet, nuk ikën në drejtim të paditur ose ngelet përgjithmonë anonim. Në Shqipërinë tjetër shkon në Universitet ai që dëshiron të shkollohet dhe që ka pasion, durim dhe investon në kohë për diturinë e tij, jo ai që nuk di të shkruajë emrin, por thjesht ka para. Në Shqipërinë tjetër ka ilaçe dhe ushqime të kontrolluara jo ilaçe dhe ushqime të skaduara që vrasin dhe helmojnë çdo ditë fëmijët tanë. Në Shqipërinë tjetër nuk admirohet krimi, por dënohet, nuk idealizojmë të fortin, por të diturin. Në Shqipërinë tjetër mbillen pemë, jo pallate. Në Shqipërinë tjetër politikanët i shërbejnë popullit, jo populli politikanëve dhe shteti nuk luan filma bardh e zi me shumë seriale dhe me të njëjtët aktor, por punon për qëllimin e detyrës së marrë. Në Shqipërinë tjetër një karrige nuk është mbretëri e trashëguar përjetësisht dhe brez pas brezi ,por një detyrë e përkohshme. Në Shqipërinë tjetër nuk është ëndërr Gjermania, por është ëndërr Shqipëria jonë, e juaja dhe e fëmijëve tanë.

Në Shqipërinë tjetër media është e lirë dhe jo vegël propagandistike e varur nga partitë politike. Në Shqipërinë tjetër ne jemi të barabarte si çdo qytetar i Europës dhe jo delja e zezë europiane. Në Shqipërinë tjetër ka shtresë të mesme dhe jo 4 zengjin dhe pjesa tjetër ne varfëri ekstreme. Në Shqipërinë tjetër fëmijët ëndërrojnë për dhe si Piter Pan jo për dhe si Toni Montana.

Në Shqipërinë tjetër ne njihemi për mikpritje dhe jo për vëllavrasje. Në Shqipërinë tjetër femra është e fortë dhe domosdoshmëri jo objekt seksual i meshkujve me para. Në Shqipërinë tjetër rinia është jetë, e ardhmja ambicioze e vendit dhe jo ata që mbushin kafet e qytetit për të vrarë ditët dhe me to dhe ëndrrat dhe shpresat. Kjo është Shqipëria tjetër, Shqipëria ime, Shqipëria jote, e së ardhmes dhe e të gjithëve atyre që e meritojnë, Shqipëria që do ndërtojmë sëbashku.

Ndoshta po ëndërroj shumë, por nuk dua të zgjohem!Më mirë një Shqipëri në ëndrra se një Shqipëri në zjarr!Hiqini duart tuaja të pista nga Shqipëria tjetër ajo i përket brezit të ri!