Shqipëria realizon fitoren e madhe në ndeshjen kundër Rumanisë. Shpresë dhe besim për të vazhduar sfidën “Euro 2016”!

Shqiperia fiton kunder RumaniseËndrra vazhdon. Shqipëria mundi 1-0 Rumaninë dhe mban të gjalla shpresat për të vazhduar më tej në Euro 2016. Kuqezinjtë e De Biasit të cilët në mënyrë të pafat dolën pa pikë nga Zvicra dhe Franca u shpërblyen në ndeshjen e fundit në grup falë golit të Sadikut dhe sigurisht një loje shumë të kujdesshme në mbrojtje e mesfushë.

Rumania e nisi mirë ndeshjen, por lojtarët e tyre nuk arritën të shfrytëzonin hapësirat e mbrojtjes tonë në fillimin e ndeshjes. Kuqezinjtë e mblodhën veten pas 15 minutave duke marrë kontrollin e duke qenë ata diktuesit e lojës.

Lenjani humbi një rast të pastër në minutën e 23 ndërkohë që në të 43-n Armando Sadiku shënoi golin që startoi dhe festën kuqezi në stadiumin e Lionit.

Shqiperi-Rumani 1-0Në të dytën rumunët u përpoqën me të gjitha mënyrat për të barazuar rezultatin, por gjuajtjet e Stanciu, Torje apo dhe Stancut nuk e vunë asnjëherë në provë Berishën. I vetmi rast i rrezikshëm i tyre ishte gjuajtja e Andone që për fatin tonë të mirë preku traversën.

Shqipëria e De Biasit tregoi edhe njëherë se kualifikimi i saj për herë të parë në një evropian nuk është thjesht një rastësi, ndërkohë që Armando Sadiku hyn në histori si golashënuesi i parë kuqezi në një kompeticion të tillë.

***

Shqiperi-Rumani 1-0 1 (2)Trajneri Ganni de Biasi falënderon të gjithë lojtarët për lojën dhe thotë se skuadra e meritoi fitoren. Ai tha se kombëtarja bëri një ndeshje shumë të mirë duke arritur një fitore përballë një kundërshtari i cili nuk pëson shumë gola.

Sipas tij, me këtë fitore, skuadrës i njihet edhe merita për dy ndeshjet e kaluara, që pavarësisht humbjeve, kanë bërë një lojë të jashtëzakonshme.

Shqiperi-Rumani 1-0 1 (4)“Mendoj se kemi përjetuar ditë të bukura në këto katër vite, por kjo është më e bukura besoj. Por mendoj se sot është një fitore historike që vlerëson skuadrën që ka bërë një ndeshje shumë, shumë të bukur. Unë sinqerisht mendoj se si me Zvicrën, ashtu edhe Francën, meritonim më shumë. Mendoj se kemi paguar hyrjen në këtë turne të rëndësishëm, ku skuadrat ishin të një niveli të lartë. Tani jemi mësuar me klimën, skuadra luajti me zgjuarsi në fund dhe nuk rrezikuam shumë me përjashtim të një gjuajtje nga larg. Mendoj se të gjithë tifozët shqiptarë duhet të jenë shumë të lumtur për punën e skuadrës dhe atë që ka bërë në këtë turne. Kemi treguar se jemi në lartësinë e turneut. Më shumë se një orë me Zvicrën kemi luajtur në sulm dhe bëmë çfarë ishte e mundur. Në ndeshjen e dytë e panë të gjithë që Shqipëria e bllokoi Francën deri në minutën e 89. Sot jemi munduar të bëjmë ndeshjen që duhej të bënim dhe e bëmë mirë. Kush ka shkuar në fushë bëri një paraqitje shumë të mirë”, tha De Biasi.

***

Shqiperi-Rumani 1-0 1 (1)Kryeministri Edi Rama përmes një telefonate, uroi të gjithë lojtarët e kombëtares për fitoren ndaj Rumanisë, ndërsa mes batutash bëri edhe dhuratat e para për të gjithë delegacionin kuqezi, lojtarët dhe stafin teknik.

“Duke filluar nga presidenti Duka e deri tek më i fundit, të gjithë do të merrni pasaporta diplomatike”, u shpreh kryeministri Rama.

Në një video të postuar në rrjetin social “Facebook”, Rama, me shaka, i premton një makinë Kaçes, ndërsa edhe një traktor Mërgim Mavrajt.

***

Shqiperi-Rumani 1-0 1 (8)Armando Sadiku shkroi historinë kuqezi në Europian, një gol që e mban ende në lojë kombëtaren shqiptare për një kualifikim në raundin tjetër të Euro 2016. Shqipëria eliminoi Rumaninë dhe ngjitet në kuotën e 3 pikëve, por pavarësisht kësaj, kalimi në turin tjetër tashmë nuk varet më nga kuqezinjtë.

Për të vazhduar historinë duhet që sfida Turqi-Çeki të përfundojë në barazim dhe kryesuesit e Grupit E, Italia dhe Belgjika fitojnë ndeshjet e fundit ndaj Suedisë dhe Irlandës. Këto rezultate i japin mundësinë Shqipërisë së De Biasit të kalojë si një nga katër skuadrat më të mira që kanë zënë vendin e tretë në fazën e grupeve.

Ka edhe mundësi të tjera, të cilat janë pak më shumë të vështira. Një mundësi është që Rusia dhe Anglia të fitojnë me 3 apo më shumë gola diferencë ndaj Uellsit dhe Sllovakisë.

Shqiperi-Rumani 1-0 1 (10)E dyta është që Gjermania të mposhtë me 4 apo më shumë gola Irlandën e Veriut, dhe e treta është që dy ndeshjet e Grupit E, Itali-Irlandë dhe Belgjikë-Suedi, të përfundojnë në barazim.

Pavarësisht nëse kalojmë apo jo, nga ky Europian, Shqipëria vetëm ka fituar. Ka fituar financiarisht duke u shpërblyer me 1 milion euro nga fitorja me Rumaninë, ka fituar eksperiencën dhe ajo që ka dalë më shumë në pah pas lojës së lojtarëve është tifozëria kuqezi në rrugët e Lens, Marsejës dhe Lionit.

***

Shqiperi-Rumani 1-0 1 (9)Arlind Ajeti bëri një tjetër ndeshje të shkëlqyer. Ai bëri diçka që askush nuk e kishte bërë prej 13 vitesh: uli në stol kapitenin Lorik Cana. Në ndeshjen ndaj Rumanisë, ai tregoi vazhdimësi, prandaj u shpall edhe njeriu i ndeshjes nga tifozët të cilët votuan në faqen e UEFA-s.

Pas ndeshjes, ai falënderoi De Biasin për besimin, ndërsa edhe tregoi edhe sekretin e kombëtares, që është grupi.

“Dua të falënderoj trajnerin që pati besim edhe njëherë në mua pas ndeshjes së parë. Mendoj se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Çfarë bëjmë ne për njëri-tjetrin, fakti që ne luftojmë për njëri-tjetrin, është ajo çfarë na bën të veçantë. Jemi shumë të lumtur, ne besuam deri në fund se mund të fitojmë të paktën një ndeshje në Europian dhe ia dolëm”, ishin fjalët e Ajetit pas ndeshjes.