Shqipëria më 1914, parë dhe komentuar nga diplomati francez, Zhozef dë Fontëne

“Ky vend, ende e gjatë kohë, do të mbetet i druajtur”, shkruante diplomati francez Zhozef dë Fontëne, duke folur për “Tokën e Shqiponjave”.

Në prag të luftës së 1914-ës, ambasadori i Francës në Shqipëri – në Durrës-Zhozef dë FONTËNE, rrëfen për udhëheqjen e princit gjerman, të dërguarin e perëndimorëve e të cilin e përmbysën kryengritësit myslimanë. Me një rast për Shqipërinë ai do të shprehet: “Ky vend ende e gjatë kohë do të mbetet i druajtur”. U kthye qetësia në Durrazo – Durrësi i sotshëm – që atëherë ishte kryeqyteti shqiptar – shih pas shkuarjesh së princit gjerman Gijom dë Vid të cilin e detyruan fuqitë perëndimore protektore të Shqipërisë po që nuk e pranoi populli. Zhozef dë FONTËNE, ambasadori i Francës në “Tokën e shqiponjave” bën bilancin e parë të ndodhive, dëshmitar dhe protagonist i të cilave ishte edhe vetë. “Para një muaji, kur kryengritësit hyjnë në Durrës, ata u kënaqën me faktin që shkuan dhe e ngritën të valojë flamuri turk në majë të pallatit…”, shkruan diplomati frëng më 4 tetor 1914, duke nënvizuar se “princi gjerman,i çorientuar në një vend ballkanik, bëri lëshime të mëdha të grumbulluara njëra pas tjetrës me shpejtësi të pashembullt”. Gjoni i Parë i Shqipërisë, kapiteni i ushtrisë prusiane e trashëgimtar i një shtëpie të moçme princore të Rinit (lumë në Gjermani-vër. e përkth.) që e shpronësoi Napoleoni, më 3 shtator u fut në anijen italiane MISURATA bashkë me të shoqen dhe me të afërmit, një ikje që ai e konsideronte të përkohshme. Asnjëri nuk besonte se ky bejlurçin kryelartë me mustaqe të përdredhura si kanxhë, si Kajseri, të mund të kthehej një ditë. “Pra, mund të jetë që pasi kishte marrë pjesë, para dhjetë vjetësh, në Seul, në zhdukjen e njërës nga dinastitë më të vjetra – asaj të perandorisë koreane – isha dëshmitar këtyre ditëve i shkatërrimit të sundimit më të shkurtër, që u zhduk pas vetëm gjashtë muaj”, shkruan diplomati i cili në të njëjtën kohë i pranon disa rrethana lehtësuese të monarkut famëhumbur: “Nuk duhet të harrojmë se në Shqipëri jetohet ende si në Mesjetë. Shqipëria është një aglomerat fisesh, banda ushtrish dhe mercenarë që lëvdërohen shumë për të luftuar: si ka mundësi të shpresohet se për disa javë, një vend i cili ende organizohet mbi baza antike të pretendojë të qeveriset si një principatë gjermane të shek. XX?”.
Kryengritja

SHQIPERI, 1914: . Ushtria Shqiptare në llogore duke luftuar kundër depsuzave të Haxhi Qamilit

Gjesti i papërfillshëm i princ Vidit kishte filluar që më 7 mars 1914, kur ky zbarkoi në Durrës nga një anije lufte austriake. Shqipëria sikur pranonte se ishte “një principatë e pavarur trashëguese dhe neutrale” me garanci të fuqive të mëdha, mirëpo më shumë se gjysma e mëse një milionë e gjysmë shqiptarëve mbetej jashtë kufijve të Shtetit të ri. Shqiptarët, shumica myslimanë, që i kishte përkëdhelur administrata otomane, në të cilën me qejf bënin karrierë, gjatë kohë ishin indiferentë ndaj veprimeve të ethshme të nacionalizmave të rinj që ndeznin Ballkanin. Kështu Greqia, Serbia dhe Bullgaria,më 1912 ishin futur në luftë kundër Turqisë me qëllim që t’ia grabitnin pasuritë e fundme evropiane. Atëherë deputetët shqiptarë të Parlamentit të Konstandinopojës e kishin marrë iniciativën që më 28 nëntor 1912 në Vlorë, liman i rëndësishëm në Shqipërinë Jugore, të bashkonin 83 delegatët dhe të shpallnin “Kuvendin popullor”. Pjesën thelbësore të territorit e pushtuan grekët apo serbët mirëpo kryngritja saora mori flakë. Fuqitë e mëdha nuk mundnin më t’i mbyllnin sytë para çështjes shqiptare. Edhe Vjena edhe Moska, me dashaligësi kundër, luanin në anën serbe. Gjatë Konferencës së Londrës, Parisi e Moska vendosën që së bashku me njohjen e Shqipërisë të krijonin “një komision ndërkombëtar kontrolli” me një forcë policie ndërkombëtare që do të vinte rend e siguri. U morën vesh dhe emëruan një princ gjerman – ashtu siç ishte rasti para gjysmë shekulli me Rumaninë dhe me Bullgarinë – që do të qeveriste shtetin e ri. Ikja e trallisur-“Princi i ri i Shqipërisë që e dërgoi Evropa, nuk do të ketë lëshuar pe lehtë para këshillave të nacionalistëve shqiptarë, që për pavarësinë e posalindur, në komisionin ndërkombëtar për kontroll, shihte tashmë një krizë të shtënë pas lirisë dhe sovranitetit të vendit të vet” thotë Zhozef dë FONTËNE duke shprehur keqardhje që nuk pati mundësi të ketë “njerëz me përvojë e që i dinin gjërat nga Orienti”. Gjiom dë Vid, qenie e dobët e paguximshme “së cilës pavendosmëria dhe ngurrimi nuk do të vonojë e do t’i bëhen proverbiale”. Që nga vendosja në fron, ai u gjend në mesin e intrigave të fuqive perëndimore për Ballkanin mu në prag të luftës në Evropë. Austro-hungaria e shtynte drejt një politike antiserbe. Ai zihet me italianët të cilët në fillim ishin mbrojtësit e tij. Ngathtësitë e tij në politikën e brendshme ishin të dukshme poashtu. Që nga arritja, atë e rrethojnë pronarë të mëdhenj tokash. Fshatarët fillojnë të hungërojnë nga pakënaqesia. Karakteri krishterë i oborrit të ri mbretëror që dukej haptas, ngacmonte shumicën e popullatës me besim thellësisht islam. Që në maj shpërthejnë turbullira e revolta. Kur kryengritja mori flakë në Durrës, ai u fsheh në një anije italiane. “Në këtë ikje të trallisur, për të cilën e këshilloi ambasadori i Austrisë, ai shembi tërë prestigjin prej princi gjerman… Shqiptarët janë të njohur për përbuzjen e vdekjes dhe për trimërinë e tyre, ata nuk kuptojnë se prijësi i tyre jep shenjën për ikje”, shpjegon Zhozef dë FONTËNE. Princi kthehet në qytet, pas pak, mirëpo që atëherë ishte i pezulluar. Revoltat shtohen. Gijom dë Vid nis të ikë përpara. “Për t’u mbrojtur nga rebelimi i myslimanëve të brendisë së vendit, qeveria mbretërore u bëri thirrje Malësorëve dhe Mirditasëve, do të thotë i thirri fiset katolike të veriut. Gijomi i Parë lejoi të shpërthejë lufta fetare mes të nënshtruarve të vet duke mbjellë mes tyre farën e përçarjes më të keqe”, rrëfen ambasadori i Francës, duke bërë një pushtet që e merr lumi. Princi nuk ka më para që t’i paguajë trupat e veta mercenare ndërsa në anën tjetër, kryengritësit të udhëhequr nga Esat Toptani, i quajtur Esat Pasha, ish ministër i Luftës së Gijonit të Parë dhe frankofil i përbetuar, marrin kontrrollin gati mbi tërë vendin. Kah fundi i gushtit, ata ia mësynë kryeqytetit. Zhozef dë FONTËNE, për herë të fundit takon, sy më sy, Gijom dë Vid, dhe këtë takim ai e përshkruan në një telegram të 29 gushtit .”Lartëmadhëria e tij më pyeti se ç’mendoja për situatën. Ju përgjigja se e vetmja zgjidhje duhej të ishte nisja e familjes princore aq më parë kur përveç rrezikut nga kryengritësit e padurueshëm që mezi prisnin të kryenin punë sa më parë me Durrësin, nuk duhej të harrohej rreziku poashtu i madh me kryeqytetin, ai që do të dilte nga revolta e mercenarëve të cilët ishin njerëz të druajtur gjithandej e që ishin mbledhur në qytet duke i vërshuar rrugët”.Princi dëgjoi, tha “po”, mirëpo ende nuk vendosi. “Princesha u lidh me të gjitha forcat pas kurorës shqiptare”, thekson diplomati, disa ditë më vonë. Më në fund, më 3 shtator në mëngjes, familja futet në anije ndërsa kryengritësit hyjnë pa luftë në qytet.

Albanian soldiers of the Hotten and Clemeni tribes fighting alongside the Austro-Hungarian Army.

Mësimi-Puna mori fund.

Zhozef dë FONTËNE vlerëson se, me të përfunduar të luftës në Evropë, duhet të gjendet një familje mbretërore për Shqipërinë “nëse princi i përzgjedhur i këtij vendi lejohet përsëri”. “E tëra ajo që ne mund ta dëshirojmë është, nëqoftëse Evropa duhet të çojë një tjetër princ në këtë fron, atëherë ai nuk duhet të jetë gjerman”, pohon diplomati duke nxjerrë mësime kalimthi “në vendin e shqiponjave”.”Për sa i takon Francës, ajo nuk do të luajë asnjë rol në Shqipërinë e re që do të riorganizohet pas luftës. Ajo(Franca-vër.e përkth.) duhet të vigjëlojë me kujdes. Shqipëria, me natyrën e saj, me popullatën dhe me mentalitetin paraqet një vend i cili ende e gjatë kohë do të jetë i druajtur ndaj atij që do t’i përzihet në mënyrë intime. Duhet të kesh fqinjësi gjeografike të drejtpërdrejtë, siç ka Italia, duhet të kesh mundësi të futjes së popullatës ashtu siç e kanë italianët, që të mund të përfitosh nga situata.”

Epilogu

Zhozef dë FONTËNE do të mbetet në Durrës ambasador pranë Esat Pashës, prijësit tjetër të Shqipërisë, i cili do të pengojë gjatë muajve më vonë, futjen në luftë kundër Serbisë. Në tërë Shqipërinë do të shpërthejnë revolta që i nxit dhe kurajon Austria e sidomos sulltani otoman i cili dha kushtrimin për “luftën e shenjtë”. Kryengritësit sërish ia mësyjnë Durrësit. Zhozef dë FONTËNE u largua pas disa muajsh. Esat Pasha vritet në Paris më 1923.

(Nga arkivat e Quai d’Orsay, (Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës-vër.e përkth.) Mark SEMO e Karol BEZUT me foto të Pjer FURNIE-së Liberation,15 gusht 2001)

Përgatiti për shtyp Xhevat HALILI
__________________________________________________ _________
Josef de FONTENAY (Zhozef dë FONTËNE) u lind në mars 1864 në Cassel në një familje diplomatësh. Më 1891 mori së pari herë postin pranë Selisë së Shenjtë. I riu i posadiplomuar në shkencat politike dhe në filozofi në Lajpcig nisi karrierën e vet. Më 1914, në kohën kur Gijom dë Vidi vendoset në Durrës, ai (dë FONTËNE) hap legatën e Francës në Shqipëri. Në dhjetor të 1914-tës, Zhozef dë FONTËNE, kokën e të cilit e kërkonin kryengritësit e Esat Pashës, largohet me një anije lufte italiane. Më 1915, dë FONTËNE-në e gjejmë ministër të Francës pranë princit regjent të Serbisë që e përcjell në pension me ushtrinë serbe. Më 1917, Dë Fontëne ndodhet në Maqedoni. Vdes më 1946.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com