Shqipëria komuniste e diktatorit Enver Hoxha mes Lindjes dhe Perëndimit

Një replikë dhe disa saktësime për intervistën e Prof. Luca Micheletta-s në gazetën ‘DITA’. Disa të vërteta për qëndresën e shqiptarëve gjatë Luftës së Ftohtë, roli i Enver Hoxhës dhe shkaku i indiferencës së Italisë ndaj Shqipërisë…

Muharrem Xhafa

Javës së parë të qershorit kam lexuar në gazetën “Dita” të datës 7 e 8 qershor e në ndonjë organ tjetër shtypi materiale të Konferencës për Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Italisë gjatë Luftës së Ftohtë, organizuar nga ambasada Italiane në Tiranë.

Posaçërisht më ka tërhequr vëmendjen një intervistë e studiuesit dhe profesorit të nderuar të Universitetit La Sapienza (Romë) Luca Micheletta, i cili duket të jetë njohës i mirë i marrëdhënieve të Shqipërisë me Italinë gjatë Luftës së Ftohtë, ndërsa flet me simpati për Shqipërinë e për shqiptarët, madje guxon të flasë dhe për Enver Hoxhën, ndryshe nga intelektualët e tjerë borgjezë ose shqiptarë. Ai ka venë në dukje se Enver Hoxhës nuk mund të mos i njihet merita e arritjeve në vitet që ka udhëhequr, duke theksuar se “ishte një politikan i mprehtë dhe gjatë regjimit të tij janë shënuar përparime që nuk duhen mohuar”! Me guximin e një intelektuali e profesionisti të njohur, ky profesor italian u jep një mësim politikanëve, pushtetarëve e intelektualëve frikacakë te vendit tonë, të cilët në tërësi kanë hedhur baltë mbi Enverin e socializmin, duke dëshmuar shkallën e lartë të personalitetit të tyre të ulët.

Në këtë shkrim nuk do të sjell hollësi për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Italisë gjatë Luftës së Ftohtë, për faktin se s’jam as specialist i fushës, po do të vë në dukje se në atë Konferencë del të mos jenë thënë e diskutuar disa probleme të rëndësishme, për arsye që i dinë protagonistët e Konferencës, të cilët i kanë bazuar opinionet e tyre kryesisht në dokumente që gjenden në njërën anë të Adriatikut, në Itali. Ndaj nuk mund të mos them se lektorët e folësit italianë (po edhe shqiptarë) kanë zgjedhur të jenë të njëanshëm, duke u mbështetur në dokumentet për marrëdhëniet në fjalë, në arkivat italiane “endé të pa eksploruara deri në fund”, dhe jo edhe në dokumentet e arkivave të palës shqiptare të kohës së socializmit, që janë me bollëk në Ministrinë e Jashtme ose në Arkivin e Shtetit të sotëm.

Muharrem Xhafa

S’e kundërshtoj  faktin që këndvështrimi i një studiuesi italian, i një intelektuali a profesori me formim jo komunist a borgjez, i vështron, i studion problemet e periudhës komuniste, përfshirë Luftën e Ftohë e marrëdhëniet e Shqipërisë Socialiste me Perëndimin e me Italinë, ndryshe nga një studiues, intelektual a profesor, që qëndron në pozitat e marksizëm-leninizmit e të mësimeve te Enver Hoxhës. Po të shohësh ndryshe një dukuri, një fakt, një zhvillim, kjo nuk do të thotë se je i saktë, nuk do të thotë të sajosh, të krijosh diçka ndryshe, bazuar në të pavertetën, në anonimen, pse kështu dua unë, ti, ai! Ok, qëndrimi ndaj së vërtetës mund të mos jetë i njëjtë, pra mund të jetë i ndryshëm, po e vërteta është një dhe nuk ndahet më dysh, një pjesë e vërtetë e pjesa tjetër e pavërtetë. Po kështu, të vërtetën s’e pret dot prej atyre që i trajtojnë gjërat e flasin për problemet bazuar në interesa personalë apo të politikës së ditës! Se,  për shkak të konstruktit, ndërtimit fizik a mendor të tyre ose të varur nga buka e gojës, siç e thoshte bukur një gazetar i gazetës  “Dita”, këta njerëz nuk sjellin gjithë të vërtetën, edhe sikur të duan! E  vërteta vonon, thotë populli, po një ditë ajo do të dalë! Kjo është për të gjitha gjërat! Jo pa qëllim do të përmend shkurt shkaqet e përmbysjes së socializmit në Shqipëri. Studiuesit e huaj, edhe ata më seriozët, gabojnë që e rendisin Shqipërinë në radhë me vendet e tjera të lindjes ish-socialiste, të cilët ishin kthyer ne vende revizioniste, që në kohën e Hrushovit e të Brezhnjevit, ndërsa Shqipëria vazhdonte rreth 30 vjet të tjera më pas të ecte me Enver Hoxhën në krye në rrugën e socializmit mbështetur në forcat e veta, derisa socializmi u tradhtua nga Ramiz Alia dhe u përmbys. Pse fshihet e nuk thuhet, pse nuk studiohet nga studiues realistë e të ndershëm të huaj e vendës, ky fakt, që Shqipëria nuk iu nënshtrua “sovranitetit të kufizuar” e presioneve të sovjetikëve, po u bëri ballë me sukses?! Gjithkush ka e është i lirë të mbajë mendimin e tij, po rënia e komunizmit në Shqipëri s’ishte një fenomen i pashmangshëm, pasi ra perandoria komuniste e lindjes europiane, siç thonë shumë studiues! Pra ishte një fenomen i shmangshëm! Se po të kishte qenë një fenomen i pashmangshëm, kjo do të kishte ndodhur qysh kur ish-vendet socialiste të lindjes kaluan në anën e revizionizmit sovjetik e dora-dorës u shndërruan në përmbajtje në vende kapitaliste, duke ruajtur disa forma socialiste të qeverisjes.

***

Flitet shumë e madje spekulohet me Luftën e Ftohtë. Po njerëzit duhet të kenë të qartë se ajo ishte një luftë me përmasa botërore dhe aspak e ftohtë! Fillimi i viteve ‘50 të shekullit njëzet, që ndau Europën e botën në dy kampe të ndryshëm ideologjikë, kulturorë, diplomatikë, po edhe të tjera, bëri që “harxhet” t’i paguanin vendet e treta, bëri që këta të shërbenin e të përdoreshin si “mish për top”ndaj asaj lufte të “heshtur”, pa përballje (edhe kjo me hile) të Bashkimit Sovjetik e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo luftë që trajtohet e thuhet se ishte luftë e ftohtë, metaforikisht mund të quhet kështu, po në të vërtete nuk ishte e tillë, sepse zgjati gati tri dekada,  i solli botës, popujve të saj, shkatërrime materiale e financiare kolosale, stres, edhe shumë viktima në njerëz, po të shihet në plan global, sa gati një luftë botërore e “ngrohtë”.

Jam i prirur të inkurajoj e mbështes opinionet e njerëzve të ditur si Micheletta për Enver Hoxhën si një politikan i mprehtë e se gjatë regjimit të tij u shënuan arritje, të cilat nuk duhen mohuar. Po, ndonëse kështu, ata thonë shumë gjëra të tjera jo të vërteta e të mangëta! Përmenda se regjimi komunist në Shqipëri mundi të qëndronte e të ecte përpara edhe pasi ra perandoria e lindjes europiane e më pas ajo aziatike. Në librin “Kur tradhtohej socializmi”, unë e kam trajtuar gjatë këtë fenomen, por dua të kujtoj për ta përforcuar: Perse sa qe gjallë Enver Hoxha, PPSH, pushteti popullor, Shqipëria Socialiste qëndroi, u bëri ballë rrebesheve, bllokadave e presioneve të sovjetikëve e më pas të kinezëve, edhe atyre të Perëndimit e gjithë reaksionit antikomunist të botës. Kjo dihet, po intelektualët e sotëm kanë frikë të thonë e të shkruajnë se Enver Hoxha qëndroi e fitoi mbi kapitalizmin e borgjezinë, mbi revizionizmin modern  në pushtet e jo në pushtet, sepse ai i qëndroi besnik e zbatoi në mënyrë krijuese mësimet e marksizëm-leninizmit, parimet themelore të ndërtimit e të mbrojtjes së socializmit,  mbështetur në forcat e veta, besoi në forcën e pathyeshme të popullit shqiptar. Aspak si një domosdoshmëri! Po përmbysja e socializmit tek ne ndodhi, se populli e socializmi u tradhtuan!

Prof. Luca Micheletta

“Interesant” është pohimi se “pavarësisht marrëdhënieve që krijonin shtetet komuniste (në fakt nuk ishin shtete komuniste) me Shqipërinë, interesi ishte “ta përdornin këtë vend si pikë strategjike për interesat e tyre”! Po kjo çfarë tregon? Duhet thënë se tregon qëllimin e tyre të ulët! Po duhet thënë edhe se për çfarë arsyesh ato shtete “komuniste” nuk ia arritën qëllimit në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë, që ta përdornin si pikë strategjike për të përmbushur interesat e veta?! Për të ardhur keq është që studiuesit nuk thonë se kjo ndodhi kështu, sepse Shqipëria kishte zot dhe se zot ishte populli me pushtetin e tij me Enverin në krye!

***

Italia ka qenë një vend pushtues i Shqipërisë, me 7 prill 1939. Ajo ndryshoi pozicionin e saj për ekzistencën e shtetit shqiptar pas fitores se Luftës sê Dytë Botërore mbi nazifashizmin. Pas humbjes së luftës nga Italia fashiste, populli shqiptar i trajtoi me dinjitet robërit e luftës e ushtarët italianë qē mbetën në Shqipëri derisa u larguan ne atdheun e vet. Po s’është e vërtetë që Italia, pas Luftës së Dytë Botërore zgjodhi mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë. Kjo nuk duhet ngatërruar me njohjen prej shtetit italian të Shqipërisë si shtet i lirë e i pavarur.  Nuk ka përse të mohohet fakti që kriminelët e luftës e të tjerë pas çlirimit të Shqipërisë gjetën strehim në shtetin italian dhe që nga Italia janë bërë plane e përpjekje për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri.

Gjithkush e di se Shqipëria u lidh pas Luftës së Dytë Botërore me Stalinin. Kjo ishte krejt normale e shpëtimtare për fatet e saj! Pse, me kë duhej ajo të lidhej? Me Italinë pushtuese? Me Gjermaninë pushtuese? Me Anglinë, që bëri gjithçka për të realizuar në Shqipëri atë që bëri në Greqi? Me SHBA, që vinte veton e shtetit të fuqishëm për të mos pranuar Shqipërinë e re në OKB?

Është i njohur fakti që Perëndimi e priti me alarm lidhjen e Shqipërisë me rusët, me Stalinin. Po kështu edhe Italia. Kjo s’ishte një lidhje e rastit. Shqipëria u lidh me Stalinin, me rusët, sepse i bashkonte ideali komunist, ndërtimi i socializmit, jo çështja e investimeve, e lekëve, siç bëri Tito i Jugosllavisë.

Bota e di mire se pas vdekjes së Stalinit, kur Hrushovi e klika e tij tradhtuan marksizëm-leninizmin e socializmin, Shqipëria  i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik të udhëhequr nga Hrushovi! Kjo tregonte guximin e forcën e Shqipërisë, jo dobësinë e saj. Po, pasi miqësia me Bashkimin Sovjetik u prish, pse Italia, Perëndimi në tërësi, nuk e mbështetën Shqipërinë, ashtu si bënë me Jugosllavinë? Përse nuk mbajtën të njëjtin qëndrim? Sepse Shqipëria ishte një vend socialist, jo një vend revizionist-borgjez si Jugosllavia. Mund të thonë sot sa të duan italianët e të tjerë se ky ishte një moment i rëndësishëm, kompleks, delikat etj. Italianët dhe gjithë vendet e Perëndimit u gëzuan që Shqipëria u prish me sovjetikët, në heshtje edhe fërkuan duart, por aspak hapur, “me bujë”, në mënyrë publike! Veçojmë këtu Italinë, sepse për italianët ky ishte një shërbim i madh. Baza ushtarake detare e Vlorës përbënte rrezik real për Italinë në radhë të parë e për të gjitha vendet kapitaliste tê Perëndimit, të cilët duhej ta kishin thënë me zë të lartë se largimi i sovjetikëve të Hrushovit nga baza detare e Vlorës u dha mundësi të ndjeheshin pa ankthin e sulmit rus, të merrnin frymë lirisht, u kurseu miliarda dollarë, u hoqi realisht mundësinë e një sulmi agresiv pushtues sovjetik. Perëndimorët, përfshirë italianët, s’e kanë vlerësuar asnjëherë me realizëm kontributin e Shqipërisë socialist kundrejt Perëndimit, për të mos shkuar më tej në histori, që në kohën e Skënderbeut!

Enver Hoxha ishte udhëheqës i madh, dinte të bënte politikë të jashtme, të ndërtonte marrëdhënie me interes të ndërsjelltë me shtetet me sisteme te kundërta! Ai nuk e la asnjëherë Shqipërinë pa miq e pa aleatë! Bota duhet ta mësojë mirë, po më mirë akoma duhet ta dinë italianët e perëndimorët, se vendet e tyre nuk lëvizën në drejtim të Shqipërisë, në ndihmë të saj dhe e “justifikojnë” këtë faj të tyre si Pons Pilati, duke thënë se Shqipëria filloi të afrohet me Kinën e të tjera justifikime të kota! Perëndimin nuk e pengoi lëvizja e Enver Hoxhës drejt Kinës e Mao Ce-dunit, me të cilën e lidhnin interesat e socializmit (po për këto u prish më vonë), por fakti që Shqipëria ishte një vend socialist i vërtetë dhe që Enver Hoxha nuk pranonte t’u nënshtrohej e të hiqte dorë nga parimet e ndërtimit e të mbrojtjes së socializmit.

***

Kur dëgjon te thonë sot disa studiues vendës e të huaj se amerikanët e italianët atëherë mendonin që Kina nuk mund ta mbronte Shqipërinë nga Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria avash-avash do të afrohej me Perëndimin, me kampin perëndimor, do të qëndronte komuniste, po formalisht, do të urrente amerikanët, po falso, do të fliste kundër amerikanëve, italianëve e të tjerë, jo prej vërteti, njeriu thotë : Si është e mundur që intelektualë jo pa mend të bien në pozita si këto, mjerane?! Këta “harrojnë” e nuk duan ta thonë se Enver Hoxha nuk kishte bërë llogari që mbrojtjen e vendit t’ua besonte kinezëve! Kjo është fare pa mend! Se Enveri nuk i pyeti kinezët kur i përzuri nga baza detare e Vlorës dhe së me kinezët u lidh disa vite më vonë. Po ai nuk pyeti as Perëndimin dhe e kishte të qartë se vendet e Perëndimit nuk do ta ndihmonin.  Kështu ishte dhe çështja e propagandës kundër imperializmit amerikan, italian etj.

Studiuesit italianë, perëndimorë e jo perëndimorë, duhet të deklarojnë se kanë qenë në delir, kur kanë vlerësuar që Shqipëria do të hidhej në krahët e Perëndimit! Me pak fjalë, atyre nuk u doli asgjë nga parashikimet. “Për të qeshur” është kur profesori Micheletta thotë se me që rreziku më i madh për Shqipërinë në atë kohë ishin rusët, “siguria e Shqipërisë i është besuar perëndimorëve. Hoxha e dinte mirë këtë, pavarësisht gjuhës së ashpër që përdorte kundër Perëndimit”! Ky gjykim përbën një nonsens! Përderisa perëndimorët i “paskan ditur” këto gjëra dhe shtetet e vendeve perëndimore nuk paskan lëvizur asnjë fije në ndihmë të forcimit të mbrojtjes së Shqipërisë, a nuk tregon ky qëndrim se ia kishin me hile Shqipërisë socialiste dhe se çfarë ka thënë e ka shkruar Enver Hoxha kundër perëndimorëve është krejt e përligjur?! Kjo u bë më evidente, thotë Michelatta, “pas vitit 1968, kur Shqipëria kishte frikë nga rusët, pasi mendon se ashtu siç ata bënë me Çekosllovakinë, kur e pushtuan, mund të ndërhyjnë edhe në Shqipëri dhe e dinë që kinezët nuk mund t’i mbrojnë. Ne atë kohë Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës..”! Këto nuk i lejohen t’i thotë një njeri i thjeshtë e jo më një studiues e profesor universiteti me emër si Sapienza. Kurrë në dekadat e ndërtimit të socializmit siguria e Shqipërisë nuk u është besuar perëndimorëve! As kinezëve! Po as sovjetikëve kur jetonte e drejtonte shtetin sovjetik, Stalini i Madh! Ashtu siç u çlirua me forcat e veta nga pushtuesit nazifashiste italianë e gjermanë, pa asnjë këmbë ushtari sovjetik, pa asnjë kompani ushtarësh anglezë e amerikanë, ashtu Shqipëria e kishte bazuar mbrojtjen e saj në fuqinë e popullit ushtar, dhe nga askush tjetër! Shqipëria denoncoi e doli nga Traktati i Varshavës me 1968, sepse ai Traktat i shkeli parimet për të cilat ishte ngritur, u bë agresiv, pushtues! Kur Shqipëria me guxim denoncoi e doli nga Traktati agresiv i Varshavës, Perëndimi “dridhej” nga frika se çfarë do të ndodhte dhe nuk guxoi t’i çonte një “të fala” qeverisë shqiptare! Po të ishte se Shqipëria e mbështeste mbrojtjen e vendit e te popullit të vet te Perëndimi, do kërkonte të shkonte në NATO ose me ndonjë traktat tjetër! Nxirreni ju italianët nëse keni një rresht kërkesë për ketë gjë! Dhe nuk duhet hamendësuar sidomos nga studiuesit!

Arsyetimi juaj është një blof, krejt i paargumentuar, një shtrembërim flagrant i së vërtetës historike!

Përforcoj se më vjen mirë që si studiues ju pranoni se akti i pashoq në botë i Shqipërisë socialist i ndihmoi italianët të merrnin frymë të lehtësuar pas largimit të sovjetikëve nga Vlora, të mos harxhonit miliarda dollarë për të përballuar një sulm a një luftë të mundshme! Më vjen mirë kur pranoni se Italia ishte ajo që ndodhej më pranë rrezikut e që mund e do ta pësonte e para! Po është e pafalshme të thoni se ky akt i madh i Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, i Partisë së Punës, i popullit shqiptar me Enver Hoxhën në krye, ndodhi “nga që Tirana kishte mbështetjen e Perëndimit”! Profesor, as fëmijët e shkollës nuk e pranojnë këtë shtrembërim të së vërtetës! As studentët tuaj në universitet nuk mund të pranojnë që para atij gjesti, qëndrimit heroik të Shqipërisë, të justifikoheni në studimin tuaj me “nuk mund të bënim më shumë për shkak të ligjeve të vendit..” e sofizma të tjera!

Duke vlerësuar staturën tuaj si studiues e profesor i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin La Sapienza të Romës, do të doja të vijoja me disa probleme që ju prekni në intervistën tuaj, por që keni për to një këndvështrim të gabuar e ahistorik, si çështjen e Kinës e Shqipërisë, të “bunkerëve”, të kuptimit te situatës së vështirë që kalonte Shqipëria nga Enver Hoxha, të vetëvrasjes së Mehmet Shehut etj., për ta mbyllur me pohimin tuaj se “Shqipëria garantonte mbrojtjen e perëndimit”, ndonëse kjo “nuk thuhet me zë të lartë”.