Shqipëria e ka bërë NATO-n më të fortë

Nga Leyla Moses-Ones*

Dua ta nis fjalën duke ju kthyer prapa në kohë, më 4 prill 1949, ditën kur Shtetet e Bashkuara për herë të parë lidhën zyrtarisht sigurinë dhe mbrojtjen e tyre me ato të Europës. Përpara ceremonisë së nënshkrimit, Presidenti Harry Truman, me Sekretarin e Shtetit Dean Acheson në krah të tij, përkufizoi qëllimin e paktit si – “një mburojë kundër sulmeve, e cila do t’iu mundësojë qeverive të përqendrohen në arritjen e një jete më të plotë dhe më të lumtur për qytetarët e tyre”. Kjo mbetet aspirata kolektive e vendeve anëtare të NATO-s.
Për 70 vjet, NATO ka ndihmuar për të krijuar periudhën më të sigurtë, më të qëndrueshme, dhe më të zhvilluar në historinë e anëtarëve të saj. Nga zmbrapsja e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë deri tek goditja e kërcënimeve të shumëfishta me të cilat përballemi sot, aleatët e NATO-s kanë qëndruar të bashkuar për të mbrojtur popujt tanë dhe për të ruajtur vlerat tek të cilat besojmë. Të bashkuar në një, kemi formuar aleancën më të suksesshme në histori. Kjo është trashëgimia jonë si aleatë të NATO-s. Kjo është trashëgimia që duhet të vazhdojmë të ndërtojmë ndërsa ecim përpara. Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s është absolut. Anëtarët e NATO-s janë aleatët tanë parësorë. Kemi qëndruar përkrah – ushtarët tanë kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën së bashku – në operacione larg kufijve të NATO-s, deri në Afganistan, ku NATO ka luftuar për më shumë se një dekadë. Falë aleancës së NATO-s, Shtetet e Bashkuara iu përgjigjen më mirë – politikisht dhe ushtarakisht – kërcënimeve globale ndaj vlerave dhe interesave tona të përbashkëta. Përgjatë 70 viteve të fundit, e vetmja herë kur është përdorur Neni 5 i NATO-s ka qenë në mbështetje të Shteteve të Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit.
Kemi arritur suksese të mëdha gjatë këtyre 70 viteve por puna jonë nuk ka mbaruar. Rusia është e vendosur që të minojë institucionet tona demokratike dhe të mbjellë përçarje midis dhe brenda vendeve tona. Kërcënimet e shumëfishta ruse ndaj demokracive tona kanë përfshirë sulme me agjentë kimikë dhe aktivitete keqdashëse kibernetike. Ka pushtuar dhe zaptuar territore të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, duke shkelur sovranitetin e këtyre vendeve. Rusia ka shkelur edhe Marrëveshjen për Armët Bërthamore me Rreze të Mesme, e cila gërryen themelet e kontrollit efikas të armëve dhe sigurinë Euro-Atlantike.
Rusia është një kërcënim, por jo i vetmi kërcënim. Korea e Veriut dhe Irani, udhëhequr nga regjimet e tyre mashtruese, kërcënojnë të përmbysin rendin botëror nëpërmjet taktikave të tyre të rrezikshme. Dhe, terrorizmi mbetet një kërcënim i vazhdueshëm dhe i përhershëm për aleancën tonë. NATO është sot po aq e rëndësishme për sigurinë tone sot sa në çdo kohë të historisë sonë 70 vjeçare. Përballë këtyre sfidave, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj parimit se ne, si aleatë në NATO, do të jemi gjithnjë më të fortë nëse jemi të bashkuar. NATO është një aleancë ushtarake, por forca jonë e përbashkët vjen nga vlerat që ndajmë. Vjen nga angazhimi ynë i përbashkët ndaj të drejtave dhe përgjegjësive që janë thelbësore për demokracitë tona, të tilla si liritë individuale që gëzojmë dhe integriteti e transparenca e qeverive që na përfaqësojnë. Këto janë forca jonë më e madhe. Këto janë vlerat dhe parimet që përfaqësojmë dhe mbrojmë. Për t’u rritur duke u mbështetur tek kjo forcë, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj zgjerimit të anëtarësisë së NATO-s. Ne duhet t’i mbajmë dyert e NATO-s të hapura për anëtarë të rinj që ndajnë vlerat tona dhe premtimin tonë për mbrojtje të përbashkët. 13 vende i janë shtuar NATO-s që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Maqedonisë Veriore si aleatja e 30-të. Çdo aleat i ri ka forcuar mbrojtjen e përbashkët të NATO-s dhe aftësinë e saj për të ruajtur paqen dhe mirëqënien tonë.
Për dhjetë vjet, Shqipëria e ka bërë aleancën tonë më të fortë nëpërmjet angazhimit të saj me trupa dhe burime në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Irak, ndërmjet misioneve të tjera. Ajo i kushton 3.9 përqind të forcave të saj ushtarake aktiviteteve të NATO-s, duke u kthyer kështu në kontribuuesen e dytë më të madhe të numrit të trupave për frymë në aleancë. Shqipëria do të vijojë ta bëjë aleancën më të fortë nëpërmjet investimit prej 58 milionë dollarësh për modernizimin e bazës ajrore të Kucovës, e cila do të përforcojë operacionet e furnizimit nga ajri, mbështetjen logjistike, patrullimin ajror, trajnimet dhe stërvitjet. Roli shumë i madh i Shqipërisë në aleancë është shembull për të gjitha vendet aleate. Roli i Shqipërisë në NATO rritet së bashku me përgjegjësinë e saj për të bërë përparim të vazhdueshëm në reformat demokratike. Këto reforma janë themelore për vlerat që mbron aleanca, dhe janë thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përparimi duhet të vazhdojë për të përmirësuar zbatimin e ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe krijimit të një ekonomie të forte që është e lirë dhe e barabartë për cilindo. Lajmi i mirë është se Shqipëria është në drejtimin e duhur, pavarësisht se ka ende punë për të bërë. Reforma në drejtësi, për shembull, është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’iu sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë. Mesazhi im për cilindo që thotë se reforma në drejtësi është kompromentuar apo po dështon është: e keni gabim.
Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj premtimit që të gjithë aleatët kanë bërë për të ndarë barrën financiare të anëtarësimit në NATO. Në 2014, të gjithë aleatët e NATO-s ranë dakord për të shpenzuar në fushën e mbrojtjes të paktën 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe për të investuar 20% të kësaj shume në pajisje të rëndësishme brenda vitit 2024. Ky angazhim i mban forcat tona të armatosura të forta, pajisjet tona moderne dhe aleancën tonë të zhdërvjelltë teksa iu bëjmë ballë kërcënimeve të bashkuar. Premtimi që kemi bërë është një premtim që duhet ta mbajmë të gjithë. Dhe Shqipëria po punon fort për ta mbajtur këtë premtim, pavarësisht prioriteteve të tjera të shumta. Në 2017 bëri rritjen e parë të rëndësishme në shpenzimet për mbrojtjen – e para herë që nga koha kur iu bashkua aleancës në 2009. Tani dhe në vitet që do të vijnë, Shqipëria duhet të arrijë shpenzimin vjetor për mbrojtjen sipas objektivave që ka caktuar, deri në përmbushjen e tyre në vitin 2024. Shtetet e Bashkuara e përgëzojnë Shqipërinë për angazhimin e saj në ndarjen e përgjegjësive në NATO dhe mbështesin përpjekjet e saj të vazhdueshme drejt 2024-ës. Si aleatë të NATO-s, ne duhet të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen kombëtare, të rrisim dhe modernizojmë aftësitë tona ushtarake, dhe të kontribuojmë në përpjekjet e NATO-s për të promovuar mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Tek kjo, jemi bashkë. Duke punuar së bashku do të jemi më të fortë dhe më të përgatitur për të mbrojtur paqen dhe mirëqenien tonë të përbashkët edhe për shumë kohë në të ardhmen.
*Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë Moses-Ones në Konferencën “70 Vjet NATO, 10 Vjet Anëtarësim të Shqipërisë në NATO”