Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut

1. Rubrika: “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”(1444-1468). Kremtimet e 550 vjetorit

Po fillojmë një rubrikë të re, kushtuar njërës nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, asaj të Skënderbeut, në fillim të vitit 2018, me rastin shpalljes së “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”. Për t’i bërë jehonë kësaj ngjarjeje me vlera të padiskutueshme kombëtare e madje edhe ndërkombëtare,  e cila i flet çdo zemre shqiptare, nga epopeja e lavdishme e Gjergj Kastriotit, që i vu fre pushtimeve të osmanllinjve, zgjodhëm një aspekt të veçantë: atë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, në kohët e Heroit Kombëtar.

U bazuam kryesisht tek vepra “L’Albania  e la Santa Sede; Ai tempi di G.C. Scanderbeg”. (Shqipëria dhe Selia e Shenjtë. Në kohët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, botuar në Cosenza në “Casa del Libro”, 1960). Duke e pasuruar edhe me shumë të dhëna të tjera, që do t’i kujtojmë, në vijim.

1. Vit Mbarëkombëtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se vendimi i parë i qeverisë së re do të ishte shpallja e vitit 2018 “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut”. Deklaratën e tij Rama e bëri në rrjete sociale pas një takimi dy ditor me të përzgjedhurit e tij në kabinetin e ri. Vendimi u mor për të kujtuar heroin kombëtar shqiptar në 550-vjetorin e vdekjes. Kujtojmë se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu duhet të ketë lindur më  6 maj 1405. Datë e pasigurt, kjo. Prandaj Gjergjit nuk i kremtohet lindja, si gjithë heronjve të pavdekshëm, që kanë vetëm një datë, datëlindjen, por dita kur mbylli sytë, 17 janari 1468.  550-vjet më parë.

Edhe Kisha katolike në Shqipëri i ftoi gjithë besimtarët e saj të bashkohen në këtë ngjarje të madhe, që do të arrijë kulmin me Meshën solemne të 17 janarit 2018 në Lezhë, kushtuar Atdheut.

Ndërsa ne po përpiqemi të hyjmë në atmosferën e këtij kremtimi, parë në një plan pak të njohur, të injoruar ose të shtrembëruar për një kohë të gjatë, përmes një rubrike, me titull: “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, pasuar nga nëntitulli: “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët për mbrojtjen e Perëndimit të krishterë (1444-1468)”. Do të shfrytëzojmë për të disa burime, ndërmjet të cilave,  Revistën e Jezuitëve “Civilà Cattolica, quderno 2845 anno 120, 1969, volume primo (Un recente Convegno su Giorgio Castriota Skanderbeg eroe nazionale albanese, nga Carmelo Capizzi SJ, fq 57- 61) kushtuar kremtimeve në diasporë; Veprën e arbëreshit  Alessandro Serra, me të njëjtin titull dhe kumtesat e mbajtura në Mbledhjen V ndërkombëtare të studimeve shqiptare (Palermo 1968) kushtuar kremtimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, mbajtur në Palermo.

Në emisionin e dytë të rubrikës, titulluar “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”, po kujtojmë veprimtaritë e shumta organizuar me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Shqipëri, Kosovë (që asokohe quhej Kosmet) e sidomos, diasporë, sepse këto të fundit njihen pak e aspak, ndërsa mund t’i frymëzojnë shumë organizatorët e kremtimeve, që do të vijojnë një vit të tërë, 50 vjet më pas.

Më 17 janar 1968 Skënderbeu u rikujtua me një valë të vrullshme manifestimesh kremtore. E jo vetëm në Shqipëri, por kudo jetonin e punonin shqiptarët, që vijojnë t’i shikojnë si të tyret, idealet atdhetare, për të cilat luftoi Skënderbeu. Një mori kongresesh shkencore qenë organizuar me këtë rast, e jo vetëm në Tiranë (13-17 janr 1968) por edhe në Prishtinë të Kosovës (9-12 maj 1968) që asokohe thirrej Kosmet e bënte pjesë në trojet e Jugosllavisë. E kjo, vetëm sa për të dhënë një shembull. Natyrisht nuk pati asnjë kremtim kishtar, sepse aso kohe Kisha në Shqipëri jetonte në biruca burgu, ku iu desh ta kremtojë në pranga edhe Skënderbeun, ndërsa përfaqësuesit e gjithë diasporës e kremtonin në Vatikan, me Papën Pali VI.

Në Itali, ku traditat e lashta të Dheut të të parëve, vijojnë të ruhen me dashuri nga grupet e italo-shqiptarëve apo arbëreshëve të Sicilisë, Kalabrisë, Puglies e Moliseve, në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit lulëzuan një sërë nismash. Vështirë të rikujtosh listën e kremtimeve fetare, konferencave, përkujtimeve historike, mbledhjeve, kuvëndimeve etj. etj., të cilat u organizuan që nga viti 1967 në qytete të ndryshme të Italisë e të viseve të tjera, ku ravgonin shqiptarët e ikur nga tmerret e komunizmit. Si dikur, nga turku! Mjafton të kujtojmë thirrjen e ipeshkvijve arbëreshë, botuar në festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, më 1967, simpoziumin e mbajtur në Bari, më 21-22 tetor të të njëjtit vit dhe takimet e mëdha të arbëreshëve e të shqiptarëve të diasporës, kremtuar në Romë, në janar e prill 1968.

Me këtë rast, përfaqësuesit më të shquar të diasporës u takuan, në Vatikan, me Papën Pali VI. Fjalët, që u tha Papa,  u pritën me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga rreth 300.000 shqiptarë të pranishëm në Vatikan. Ky takim, i mbuluar me heshtje në Shqipërinë e kohës, do të kujtohej, në kohët tona, si takimi i parë i diasporës, organizuar nga Ernest Koliqi, i cili e përdori për herë të parë edhe fjalën “diasporë” , merita këto, që nuk i njihen as sot e kësaj dite. Po ky tubim nuk ishte ashtu siç përshkruhet: ishte thjesht kremtim, në të cilin mërgata e parë shqiptare, ndonëse “pa plang e pa shtëpi, pa dallim partie a krahine” siç do t’i përshkruante Karl Gurakuqi pjesëmarrësit, i tregoi botës me dinjitet se kush ishin në të vërtetë shqiptarët e kush ishte Heroi i tyre Kombëtar, që vuri gjithherë, mbi gjithçka, vlerat e trashëguara – gjë që e theksoi edhe Papa Pali VI në përshëndetjen drejtuar shqiptarëve. Po e kujtojmë më hollësisht këtë takim dhe fjalimin historik të Papës.

Audienca e Papës Montini rezervuar shqiptarëve me rastin e 500-vjetorit tё Gjergj Kastriotit, dëshmon shembullin e gjallë tё kujdesit, që Selia e Shenjtë ka pasur gjithmonë ndaj shqiptarëve, e se nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar nё Shqipëri. Ja çka tha me atë rast, më 25 prill 1968, Papa Pali VI:
“Të dashur bij të Shqipërisë!
Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë kënaqësi: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit (racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”.

Në emisionin e tretë të rubrikës, titulluar “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”, pritja dhe përshëndetja e Papës Palit të VI-të me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (më 17 Janar 1968), drejtuar shqiptarëve të diasporës, mbledhur për këtë kremtim, në Vatikan, më 25 prill 1968.

Portret i pikturuar me pak penelata

Më 17 janar të vitit 1468, ndërroi jetë Heroi Kombëtar i popullit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Atleti i Krishtit, i krishteri i flaktë, si e quajtën Papët e Romës. Prandaj çdo vit, më 17 janar, i gjithë kombi shqiptar e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e vdekjes. Atleti i Krishtit ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Pasi për 25-vjet me radhë i i vuri pritë Perandorisë Osmane, që ëndërronte të shikonte gjysëm hënën mbi Shën Pjetër e çallmën në kokën e Papës.

Gjergj Kastrioti u përpoq të realizojë shtetin e parë të centralizuar në trojet shqiptare. Me  Kuvendin e Lezhës, vuri gurin e themelit për krijimin e Shtetit të Pavarur. Të flasësh për Skënderbeun, do të thotë të  shkruash një libër historie, me beteja e fitore të papara në ndeshjen ndërmjet Evropës e osmanllinjve. Po ky nuk është qëllimi i rubrikës sonë. Prandaj po e kujtojmë sot me fjalimin e një Pape: Palit VI që, më 25 prill 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, e portretizoi kështu para atdhetarëve shqiptarë të diasporës, mbledhur rreth tij në Vatikan, në një kohë kur Shqipëria vuante nën thundrën e regjimit komunist. Shembull i gjallë, që tregon se Selia e Shenjtë nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar shqiptar.

Të dashur bij të Shqipërisë!

“Ju urojmë, në mënyrë të veçantë, mirëseardhjen ju, që u mblodhët për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skanderbeg, Hero i kombit tuaj dhe i krishterimit, në këtë Seli Apostolike, që mund ta  konsideroni si shtëpinë tuaj atërore.

Ju takojmë me shumë kënaqësi: e dimë se fryma, me të cilën po e kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e racës suaj, që vuri gjithnjë, përmbi çdo gjë tjetër, vlerat tradicionale të besës, të nderit, të burrërisë. (Kujtojmë se këto fjalë, tipike e themelore për karakterin shqiptar, Papa Pali VI  i tha në gjuhën shqipe, pasuar nga duartrokitje, që tundën sallën e moçme plot me afresket, kryevepra të Mjeshtrave të Rilindjes evropiane, që mbanin në dorë penelin, për t’i pikturuar, pikërisht në atë kohë, kur Skënderbeu vringëllonte shpatën, për t’i mbrojtur).

E Skënderbeu ishte personifikim i këtyre virtyteve – vijoi Papa Pali- të cilat jua la trashëgim, e njëheresh, edhe lidhjen e ngushtë me miqtë e kahmotshëm të atdheut tuaj, ndërmjet të cilëve ka kënaqësinë të rreshtohet  edhe Selia Apostolike, sepse u përket atyre, që nuk ju braktisën kurrë në baltë.

Këto virtyte Gjergj Kastrioti ia la amanet shqiptarëve në atdhe, në diasporë  e në mërgim.

E nëse historia ju pa të shtypur e të shkapërhapur, dora e Zotit bëri që ju, me gjithë gjymtyrët e gjakut të shprishur (përsëri një shprehje shqipe- arbëreshe, në gojën e Palit VI – që jehoi rishtas ndërmjet atyre mureve plot me heronj biblikë e ungjillorë), falë gjallërisë së trashëguar e mirëkuptimit të  fituar, u bëtë urë miqësish e bashkëpunimesh, duke u shquar si paraardhësit e ekumenizmit modern (shprehje që na kujton sot fjalët e Françeskut që, duke vizituar Shqipërinë, e quajti klimën e respektit dhe të besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, pasuri e çmueshme për vendin, me rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar…. duke e kthyer në faktor të rrezikshëm përplasjeje e dhune).

Ju urojmë prandaj, me këtë rast – vijoi Pali VI – ju dhe të gjithë shqiptarët, që t’i përballoni përherë vuajtjet me shpirtin heroik, të trashëguar nga të parët, e ky shpirt t’ju ndihmojë t’i shërbeni bashkëpunimit e paqes ndërmjet fisesh të përçara e gjuhësh të përhumbura në rrjedhë të historisë.

Do të vihet, kështu, në jetë, testamenti i Skenderbeut e do shkëlqejë rishtas  lavdia e Atdheut tuaj, që e duam aq shumë e që e bekojmë me gjithë shpirt”.

Në emisionin e katërt të rubrikës, titulluar “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”,  monumentet e Skënderbeut në Shqipëri e nëpër botë.

“Skenderbeun”, 550 vjet pas vdekjes, e takojmë në një mori qytetesh shqiptare, herë bust, here torz e herë monument, mbi kalë, me shpatë zhveshur.  Monumenti kryesor i  Kryetrimit është ai që lartohet në Tiranë, qysh më 1968, vepër e Odhise Paskalit, në bashkëpunim me Andrea Manon dhe Janaq Paçon. U vendos në qendër të kryeqytetit me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Për nder të tij sheshi njihet me emrin “Skenderbej”.

Monumenti artistikisht më i realizuar është ai i Skënderbeut në Krujë, me autor Janaq Paçon, që punoi për ta realizuar që nga viti 1949 deri më 1959.

Skënderbeu vijon “të mbrojë lirinë e kombit të vet” nga piedestalet mbi të cilat e ka lartuar populli i Kosovës, i Prishtinës, i Shkupit…. Bustin e Skënderbeut e gjejmë që prej 8 qershorit 2010 edhe në San Cosmo Albanese,  në qendër të komunës, afër bustit të Zef Serembes.

Po tashmë Kryetrimi shqiptar, herë në bronz e herë në materiale të tjera të ndryshme tipike për skulpturën, “vijon të vigjilojë mbi Evropën e botën mbarë”, e cila edhe sot e kësaj dite do të kishte nevojë për të, për ta shpëtuar nga një “murtajë” tjetër, ajo e islamit ekstremist që, si në shekullin e XV e akoma më parë, në kohët e kalifatit, ëndërron të pushtojë botën, duke nisur nga Roma,  ku takohemi përsëri me Skënderbeun në bronz, me shpatë në dorë. Me atë shpatë, symbol i lirisë dhe i luftës kundër çdo ekstremizmi, Kryetrimin shqiptar e takojmë në Gjenevë, Londër, New York, Bruksel, Budapest…Nuk e takojmë, deri më sot, vetëm në Beograd, Athinë, Moskë…

Më së pari Skënderbeu u duk në Gjenevë, në formë busti, më 1 nëntor 1997. Më tej vijuan projektet për ta ngritur  edhe në metropole të tjera, ku sytë e shqiptarëve e kërkojnë, që të kenë me se të krenohen e shembullin e kujt të ndjekin.

Më pas filluan përpjekjet për t’ia hapur rrugën drejt Londrës. Duke u njohur me këto përpjekje, takohemi me një mori emrash të shquar, presidentë, kryeministra e deri me mbretëreshën e Anglisë. Më në fund Skënderbeu “nisi të vigjëlojë edhe mbi Londrën” më 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Por menjëherë pas u sulmua përsëri, duke u dëmtuar, natyrisht jo nga anadollakët e vjetër, por ndoshta nga pasardhësit e tyre?!

Një shtatore me lartësinë rreth 5 metra ngrihet në një shesh të Parisit i cili, që nga viti 1977 mban emrin  e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Vepra në zonën 19 të kryeqytetit frëng, u realizua nga skulptori shqiptar Agim Rada.

Flitet për buste e shtatore të  Skënderbeut në Spanjë,  në Berlin, në Pragë, në Melburn të Australisë, në Bronks të Nju Jorkut, në Detroit, para Kishës së Shën Palit, në Toronto të Kanadasë e deri në Madagaskar.

E, një nga shtatoret e para të Skënderbeut, është ajo e ngritur në Romë, për të cilën do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm. Kryetrimi shqiptar është gjithnjë në shtegtim…