Shqipëri, shpejt identifikimi i të zhdukurve të komunizimit

Qeveria shqiptare miratoi mbrëmë një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur (ICMP), e cila do të bëjë të mundur nisjen e kërkimeve dhe identifikimin e disa mijëra shqiptarëve të cilët u vranë apo u zhdukën gjatë rregjimit komunist. Për momentin nuk ka një shifër të saktë zyrtare se sa është numri i këtyre personave.

Luigj Ndou, një zyrtar i lartë politik i ICMP-ës i tha Zërit të Amerikës, se procesi do të nisë falë një mbështetjeje financiare prej afër 500 mijë eurosh nga Delegacioni i Bashkimit europian, dhe do të fokusohet në dy zona. Një pranë Kazermave 313 në Tiranë, ku janë gjetur eshtrat e 12 personave. “Ka një listë prej të paktën 58 personazh që mendohet të jenë pranë Malit me gropa”, shpjegoi zoti Ndou, duke shtuar se një listë prej mbi 120 personash të tjerë ekziston të jenë varrosur pranë ish kampit të punës së detyruar në zonën e Ballshit. Ndërkohë që në morg qëndrojnë prej shumë vitesh në pritje për t’u identifikuar eshtrat e 14 personave të tjerë.

Komisioni Ndërkombëtarë për Njerëzit e Humbur, do të sjellë ekspertë të fushës, përfshirë dhe antropologë të specializuar, të cilët do të mbledhin AND-ët e familjarëve të personave të zhdukur, për t’i krahasuar më pas me ato të eshtrave që do të gjenden.

Ndërsa pritet që marrëveshja të kalojë për ratifikim dhe në parlament, Komisioni do të nisë paralelisht punën përgatitore në mënyrë që të nisë sa shpejt procesin.

VOA