Shqipëri-SHBA, bashkëpunim për projektet energjetike me interes të përbashkët

Në përfundim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u prit në një takim nga zv/sekretari i Departamentit të Energjisë, Dan Brouillette, të cilët vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve sa i takon çështjeve që lidhen me politikat e sigurisë energjetike dhe korridoret e gazit.

Ministri Gjiknuri njohu zyrtarin amerikan me përpjekjet e qeverisë shqiptare në reformimin e sektorit të energjisë, liberalizimin e tregut dhe ndërlidhjen me vendet fqinje. Në këtë kuadër, e çmueshme sipas tij, ka qenë dhe ndihma e USAID për hartimin e dokumentit të strategjisë së energjisë.

Gjiknuri dhe Brouillette u ndalën edhe tek sektori hidrokarbur, fusha e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe ecuria e projektit të korridorit jugor të gazit pjesë e të cilit është dhe gazsjellësi TAP.

Ministri Gjiknuri informoi zv. sekretarin amerikan për hapat në kuadër të hartimit të masterplanit të gazit dhe më tej perspektiva për gazifikimin e vendit.

Gjiknuri theksoi se Shqipëria mirëpret investimet amerikane edhe në fushën e hidrokarbureve, ndërsa ofron potenciale në këtë drejtim.

Zv.Sekretari Brouillette përgëzoi ministrin për rezultatet e arritura në kuadër të reformave në sektorin energjetik, ndërsa shprehu gatishmërinë për të dhënë ekspertizë për ato çështje për të cilat qeveria shqiptare e shikon të nevojshme në sektorin e energjisë elektrike dhe fushën e hidrokarbureve.