Shqipëri përfshihet nga temperaturat e larta, 12 vatra zjarri nga Veriu në Jug

Në Shqipëri, prej më shumë se dhjetë ditësh zjarret po djegin sipërfaqe të tëra me pyje dhe kullota, kjo për shkak të temperaturave të larta, që kanë prekur të gjithë territorin. Sipas emergjencave civile, gjatë 24 orëve të fundit janë shfaqur 12 vatra zjarri në sipërfaqet pyjore të Shkodrës, Gjirokastrës, Vlorës, Elbasanit, Tiranës, Korçës, Fierit dhe Dibrës. Disa dhjetra hektarë sipërfaqe janë shkrumbuar.

Në përpjekjet për shuarjen e vatrave të zjarrit janë angazhuar 13 automjete, 115 zjarrfikës, 50 forca të ushtrisë dhe banorë të zonave të prekura nga zjarret.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe pamundësisë së përdorimit të automjeteve zjarrfikëse, në vatrat e zjarrit në Dibër dhe Tepelenë janë angazhuar edhe helikopterë të ushtrisë shqiptare.

Sipas emergjencave civile zonat më problematike janë Qarku i Shkodrës me fshatrat e Bashkisë Vau Dejës, zonat periferike të qytetit të Shkodrës, Qarku i Dibrës me fshatrat e Bulqizës dhe Klosit si dhe Kurora e Gjelbër e Tepelenës.

Gjatë ditëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar më shumë se 80 vatra zjarri në sipërfaqet pyjore dhe në kullota, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomisë së vendit, por edhe mjedisit.

Zjarret në sipërfaqet pyjore janë një fenomen i përvitshëm në Shqipëri, ku mungojnë kapacitetet e duhura për të përballuar situata të tilla. Në pjesën më të madhe të bashkive mjetet zjarrfikëse janë të vjetra dhe një pjesë e tyre jashtë funksionit. Por ka bashki ku mjetet zjarrfikëse mungojnë plotësisht. Ndërkohë, Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë avion të specializuar për shuarjen e zjarreve nga ajri, ndërhyrje veçanërisht e nevojshme në terrene të vështira ku ndërhyrja nga toka është shumë e vështirë.