Shqipëri: Një tjetër vdekje dhe 82 të prekur nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit

Zyrtarët e shëndetësisë publike njoftuan një tjetër vdekje dhe 82 raste personash të prekur nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit.

Një pacient 68 vjeçar nga Puka ndërroi jetë pas gjendjes së rëndë, i intubuar prej disa ditësh.

Kjo është humbja e 37 njerëzore për shkak të COVID-19 qysh nga nisja e pandemisë në fillim të marsit.

Ky është një tjetër rekord ditor i epidemisë, e cila u përkeqësua me një seri shifrash në rritje gjatë javës së fundit nga 36 raste, 38, 42, 44, 48, 69 dhe deri 82 të infektuar sot.

Shifrat e kësaj jave janë më të lartat në 4 muaj dhe nuk arritën asnjëherë gjatë marsit dhe prillit, kur u vlerësua se pandemia pandemia pati një valë kulmore.

Nga 364 testime të reja u konfirmuan 82 persona pozitivë, nga raste të mëparshme dhe raste të reja në Tiranë, në Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë dhe Durrës.

Pjesa më e madhe e tyre janë 28 të prekur në Tiranë, 18 në Shkodër, 10 në Krujë, 8 në Durrës, 7 në Vlorë dhe nga 1- 3 raste janë në Kamëz, Kukës, Elbasan, Fier, në Korçë dhe Pukë.

Gjithsej janë 571 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Në Spitalin Infektiv mbahen të shtruar 50 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Përfaqësuesit e shëndetit publik pohojnë se shtimi i rasteve të reja ka ardhur në biznese, institucione publike e private, ndërmarrje me shumë punëtorë, ku nuk po respektohen rregullat e parandalimit të COVID-19 ku hyjnë veprime të thjeshta si maska dhe distanca fizike.

Gjatë 4 muajve të pandemisë në Shqipëri janë deri tani 1672 të prekur dhe 37 vdekur, si dhe mbi 1 mijë të shëruar.

Numri i testeve për 4 muaj është mbi 21 mijë, dhe ditët e fundit përkoi që shtimi i testeve zbuloi më shumë të prekur, të cilët iu kthyen vendeve të punës dhe lëvizjes së lirë pas një karantine 8 javore.