Shqipëri, një 66-vjeçar është viktima e tetë e COVID-19, 174 është numri i të prekurve

Një 66-vjeçar nga Fieri me COVID-19 pësoi vdekje të papritur mëngjesin e sotëm në Spitalin Infektiv.

Zyrtarët e shëndetësisë njoftuan se ai trajtohej prej dy ditësh në spitalin infektiv në QSUT, por vuante nga sëmundje kronike pulmonare, hipertension, hemorragji gastro-intestinale, ndaj nuk arriti të mbijetojë.

66-vjeçari është viktima e tetë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Një paciente 85-vjeçare nga Tirana, e cila ka mbërritur gjatë pasdites në spitalin Infektiv, në gjendje të rëndë, ka humbur jetën mbrëmjen e së enjtes.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se “pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për disa orë, 85-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë. E moshuara vuante nga disa sëmundje kronike dhe u konfirmua me COVID-19 në Spitalin Infektiv”.

24 orë më parë, po në mbrëmje, humbi jetën një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në spitalin Infektiv, në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator).

Gjatë 24 orëve të fundit janë rregjistruar 28 raste të reja, numri më i lartë që nga 9 marsi, kur u identifikua rasti i parë pozitiv ndaj COVID 19. Në total jnë 174 raste të konfirmuara deri tani.

Mes të prekurve nga koronavirusi janë dhe 4 fëmijë të moshave të ndryshme, nga 3 në 15 vjeç.

Autoritetet shëndetësore shpjeguan se ata janë kontakte të rasteve pozitive, se nuk kanë shenja klinike dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Paralelisht me rritjen e rasteve që rezultojnë pozitiv ndaj Covid 19-ës, po zgjerohet çdo ditë dhe harta e qyteteve ku janë regjistruar persona të infektuar, duke u shtrirë thuajse në të gjithë vendin. Në listën e 15 qyteteve, u përfshi dhe Tropoja me 2 raste. Tirana mbetet epiqendra e epidemisë me 60 përqind të rasteve (102 të prekur), Durrës 10 raste, Lushnje 4 raste, Elbasan 5 raste, Rrogozhinë 2 raste, Fier 18 raste, Kavajë 4 raste, Korçë 11 raste, Vlorë 5 raste, Shkodër 3 raste, Lezhë 4 raste, Berat 1 rast, Has 2 raste, Krujë 1 rast.

Të dhënat e fundit dëshmojnë se numri i të shtruarve në spital, nuk ka shënuar një rritje të ndjeshme. Deri mesditën ë të enjtes, ishin 73 personat nën kujdesin e mjekëve nga të cilët 3 raste në terapi intensive (2 janë të intubuar).

Ndërsa askush nuk e ka të qartë shtrirjen në kohë të kësaj situatë apo dhe përmasat e saj, autoritetet kanë vendosur të nisin punën për të përshtatur si spital karantinë një tjetër strukturë, që do të ketë me një kapacitet prej 100 shtretërish, e cila do të shërbejë për ata pacientë të prekur nga COVID-19, të cilët kanë gjendje shëndetësore të përmirësuar nga trajtimi në spital, por kanë ende nevojë të mbahen nën vëzhgim.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shpjegoi se bëhet fjalë për skenarin e katërt, në rastet e tejkalimit të kapaciteteve të strukturave publike.

Në ndërkohë, kryeministri Edi Rama njoftoi se një grup autoambaulancash të mirë pajisura, që do të jenë në varësi të emergjencave civile, është gati për t’u nisur nga Turqia.