Shqipëri, ndryshime të mëdha në qeveri, ndërrohet 7 ministra dhe zv/kryeministri

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi të premten ndryshime të thella në kabinetin e tij qeveritar. Gjysma e ministrave aktualë do ta largohen. Ndryshimet vijnë pas një tronditjeje që qeveria e zotit Rama ndjeu me protestën e studentëve. Ai vetë e pranoi se “kjo proteste na ka dhënë diçka që duhet ta ruajmë e ushqejmë. Frymën e reagimit me pakënaqësi të plotë ndaj vetes. Dhe ju ftoj të gjithëve, që dhe ndryshimin e qeverisë, ta shihni si pjesë të një refektimi dhe kapërcimi të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat, në atë të rezultateve që do na çojnë në fitoren e mandatit të tretë. Studentët na dhanë mundësinë të lexojmë se cila është rruga për të marrë mandatin e tretë”, – u shpreh zoti Rama.

Me vendimin e sotëm, kabinetin qeveritar e lënë emra të rëndësishëm të tij, mes tyre dy superministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, të cilët pas zgjedhjeve të 2017, morën kompetenca shumë të gjera. Në vend të tyre janë emëruar Anila Denaj, drejtoreshë aktuale e Fondit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor dhe Belinda Balluku, Drejtoresha aktuale e Aviacionit Civil. E papritur lëvizja e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, në një kohë kur diplomacia gjendet përpara sfidave të rëndësishme, që nga ajo e integrimit europian, te drejtimi i OSBE-së në vitin 2020, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm vendi do të jetë pjesë e Trojkës së kësaj organizate, e deri te procesi i dialogut që është hapur me Greqinë për trajtimin e një sërë çështjesh të mbetura pezull, përfshirë të ashtuquajturën Marrëveshje e Detit. Lëvizja e tij u motivua me kriterin e të qenurit 5 vjet në kabinetin qeverisës. Në vend të zotit Bushati, është emëruar zëvendës ministri aktual Gent Cakaj, nga Kosova.

Jashtë qeverisë është zëvendës kryeministrja aktuale Senida Mesi. Në vend të saj vjen një prej emrave të spikatur të Partisë Socialiste, Erion Braçe, aktualisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Në postin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini, Zëvendës Ministre aktuale e këtij dikasteri dhe që do të pasojë Lindita Nikollën. Ndër lëvizjet e tjera është dhe ajo e Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, që do të zëvendësohet nga Elva Margariti; e Ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi, që do të zëvëndësohet nga një tjetër emër i njohur Bledi Çuçi, i rikthyer në kabinet. Një tjetër rikthim është dhe ai i Eduard Shalsit, i cili pason Sonila Qaton në postin e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Kryeministri Rama riktheu gjithashtu funksionin e Ministrit për Marërdhëniet me Parlamentin, duke emëruar Elisa Spiropalin.

Flasin analistet

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, thotë se ndryshimet erdhën prej nivelit të lartë të protestave nga grupime te ndryshme shoqërore dhe prej nevojës së kryeministrit për të menaxhuar situatën brenda Partisë Socialiste.

“Ndryshimet në qeveri nuk sjellin ndonjë nivel të ri qeverisje dhe nuk sjellin zgjidhjen e problemeve. Ministrat ikën, por problemet janë ende aty” – tha zoti Krasniqi.

Sipas tij, ikja e ministrave nuk u bë mbi bazën e meritave apo një standarti të njëjtë, por nga nevoja e madhe për të luajtur me politika simbolike.

Ikja e ministrit të jashtëm Bushati ishte e papritur, sipas tij, dhe zëvendësimi me një ekspert pa përvojë politike, edhe kjo pjesë e simbolikave politike të zotit Rama.

“Një numër i konsiderueshëm i ministrave të rinj nuk kanë përvojë politike dhe administrative, janë prurje të reja të panjohura në publik, por si të tillë janë zgjedhja ideale e kryeministrit për të tërhequr vëmendjen dhe për të fituar kohë derisa të kapërcehet kriza aktuale dhe një numër i madh skandalesh, që kemi patur këtë vit” – tha zoti KrasnIqi.

Ndërsa drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se ndryshimet e kabinetit qeveritar në fushën e ekonomisë synojnë të zbehin kritikat e publikut për abuzimet e qeverisë me tenderat dhe fondet, si dhe lidhjet e saj klienteliste me një numër oligarkësh.

“Pjesë e kësaj është edhe largimi i super-ministrit Ahmetaj, si quhej ministri i financave dhe ekonomisë, sepse ekonomia nuk ka nivelet e duhura dhe gjithçka është përqëndruar në pak duar” – tha zoti Preçi.

Sipas tij, studentët dhe shoqëria janë të mërzitur thellë nga një shou mediatik pa fund, vetëm propagandë e ngjeshur që zhvillon qeveria, por qytetarët nuk shohin frytet; punësim, vetëpunësim dhe jetë më të mirë pas përpjekjesh dhe sakrificash të lodhshme.

VOA