Shqipëri, 17 raste të reja me COVID 19, ulet numri i të shtruarve

Në Shqipëri, autoritetet njoftuan sot se në 24 orët e fundit janë zbuluar 17 raste të reja me koronavirus, pas kryerjes së 236 testeve, numri më i lartë i realizuar deri tani. “Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast”, bëri të ditur Albana Fico, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik.

Në total numri i të prekurve ka shkuar në 400 raste. Tirana vijon të mbetet epiqendra e epidemisë me 190 raste, gati gjysmën e numrit të përgjithshëm. Në vend të dytë është Shkodra, ku pati një shpërthim të rasteve në fundjavë. Të prekurit në këtë qytet janë 45 persona. Durrësi numëron 38 të infektuar, i ndjekur nga Fieri me 32 raste.

Të dhënat e sotme tregojnë një ulje të numrit të pacientëve në të dy spitalet që trajtojnë të prekurit nga COVID 19. Në total janë 58 të shtruar, numri më i ulët që nga 25 marsi. Aktualisht janë në terapi intensive 10 pacientë. “Në Shërbimin infektiv aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. Nga këta 5 pacientë janë në terapi intensive, (4 janë të intubuar) 1 pacient gjendet në pavion”, tha zonja Fico.

Autoritetet bënë të ditur gjithashtu se në 24 orët e fundit, 23 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e tyre në 154 persona, gati 40 përqind e totalit të të prekurve. Mes të shëruarve dhe 1 mjek e katër infermiere. Në total janë 27 pjestarë të personalit shëndetësor të cilët kanë rezultuar negativ në dy testa radhazi..

VOA