Shqetësim në Evropë për koronavirusin, pas Italisë është Kroacia që jep alarmin

Në Evropë po shtohen shqetësimet për koronavirusin. Kroacia konfirmoi sot rastin e parë me koronavirus tek një person që kishte qenë kohët e fundit në Torino.

Austria raportoi po të martën dy rastet e saj të para – dy italianë që mbërritën nga Italia veriore, vendi i goditur më rëndë në Evropë.

Çifti, të dy në moshë 24 vjeçare nga një qytet afër Bergamos në Lombardi, kishte shkuar të premten në krahinën malore austriake të Tirolit, që ndan kufirin me Italinë, sipas një mjeku që po i trajton.

Italia është bërë vendi më i prekur nga virusi në Evropë, me 280 raste të konfirmuara dhe shtatë vdekje, shumica në Lombardi dhe Veneto. Numri i rasteve atje është rritur ndjeshëm nga vetëm tre që ishin të premten, gjë që ka nxitur autoritetet të bllokojnë qytetet më të prekura. Por virusi ka vazhduar të përhapet. Autoritetet italiane raportuan një rast të ri në Siçili të martën, rasti i parë në jug të Romës.

Të dielën Austria mbylli transportin hekurudhor me Gjermaninë dhe Italinë duke i mohuar hyrjen një treni nga Venecia për shkak të dy rasteve të dyshuara të koronavirusit mes rreth 300 pasagjerëve në bord.

Kancelari Sebastian Kurz ka thënë se Austria do ta bëjë këtë përsëri nëse personat që dyshohen se mbartin virusin mbërrijnë në kufi.