Shpërthen kreu i opozitës, Lulzim Basha: Ora e hakmarrjes popullore po afron. Ja vdekje, ja liri!

Kreu i PD, Lulzim Basha ka mbajtur sot në protestën para Kuvendit, një nga fjalimet më të ashpra kundër qeverisë “Rama”. Me tone të forta, kreu i PD-së ka paralajmëruar qeverinë dhe ata që i cilësoi si oligarkë që po mbajnë në këmbë pushtetin, se do të vijë dita që do të paguajnë.

Basha deklaroi se kjo është një betejë jo për pushtet, por për të shpëtuar vendin duke përdorur shprehjen luftarake: “Ja vdekje, ja Liri”.

Kreu i PD-së deklaroi se kushdo që po ndihmon për të mbajtur klikën e regjimit, do të përballet me hakmarrjen popullore.

Basha shtoi se kryeministri Edi Ramë është shndërruar në bandën më famëkeqe të hajdutëve që ka njohur Europa.

“Opozita e popullit të bashkuar për ndryshim. Përballë nesh dhe pas radhës së policisë ndodhet banda më famëkeqe e hajdutëve që ka njohur europa e pasluftuar, e pasura nga Edi Rama dhe skorta e tij kriminale. Për gjashtë vite më rrallë kjo bandë kriminale vodhi qytetarët. Me 6 vite më rrallë rriti taksat, rriti energjinë, çoi në burg kryefamiljarët që nuk paguanin dot taksat e dritave. Nxori njerëzit në rrugë, qindra mijëra i largoi në rrugët e Kurbetit”,- tha Basha.

Protesta e sotme e opozitës ka nisur me incidente me policinë që në nisje të saj. Rreth orës 09:00 policia u përplas me protestuesit para Ministrisë së Brendshme. Pas grumbullimit të protestuesve, incidente dhe përplasje të shumta ka pasur dhe para Kuvendit.