“Shpërthen”, deputeti dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri: Në Parlament janë disa fytyra që “duhet të ishin përpara drejtësisë”

Deputeti dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbajtur një fjalim goditës dhe tepër të fortë gjatë fjalës së tij në seancën Plenare në Kuvend, ku ka përmendur emra politikanësh të cilët i quan si e “keqja e shqiptarëve dhe fëmijëvë shqiptarë”.

Tahiri tha se kemi bërë një gabim të madh me “duart tona”, pasi sot sipas tij në Parlament janë fytyra që “duhet të ishin përpara drejtësisë” , ndërsa përmend Lulzim Bashën dhe Fatmir Mediun.

“Çdo ditë, në çdo seancë, në çdo emision në çdo konferencë, me aq zell kemi sharë dhe kemi bërë pis njëri tjetrin. Në këtë sallë këtej dhe andej ka burra dhe gra të mira që luftojnë me ideal për politikën për djalin tim dhe për fëmijët shqiptare. Me duart tona kemi bërë një gabim saqë njerëzit politikën e shohim me përçmim.

Kur vjedhja na është përplasur syve, e dhuna deri në vrasje te fortë, deri në sytë tanë saqë s’e kemi menduar ç’lloj drejtësie iu kemi sjellë fëmijëve. Ca drejtësia s’i ka arrestuar fare, ca sot fshihen në bunkierin e Parlamentit duke mos na kursyer të gjithë neve së bashku. Ata qe na shfaqen ndonjëherë me fytyrë tjetër, ndonjëherë me karrige tjetër sot duhet të ishte para drejtësisë. Sot prap këtu i kemi të veshur dhe me detyra tjera, madje këtu në Parlament.

Nuk arrij ta kuptoj dot sesi Lulzim Basha, Fatmir Mediu janë ende në Parlament e nuk është gjykuar për Rrugën e Kombit, për Ziverin, Aleks Nikën e shumë të tjerë. Ky është turpi i drejtësisë. Është vështirë sot të hapësh një faqe të re në këtë histori që të paktën mund t’ja kursejmë njëri-tjetrit, këtej e tutje llumin e madh të baltës që fusim këtu për të përmbytur shtëpitë e njerëzve. Në fund të ditës këta lloj shqiptarësh mund të jenë të lumtur me tifozllikun e tyre për neve, por në fund të ditës do jenë prap vetëm, vetëm dhe me hallet e tyre”, tha ndër te tjera Tahiri.