Shkodra kunder komunizmit: Raport, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi

RAPORTI I 18 SHKURTIT 1990 DREJTUAR DEGËS SË 8 TË DREJTORISË SË PARË TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SIPAS LËNDËS:
“PËR SHKRIMET E LETRAVE ANONIME ME PËRMBAJTJE ARMIQËSORE TË PAZBULUARA”.

Intensifikimi i veprimtarisë armiqësore n; Rrethin e Shkodrës, krahas tendencave të tjera është shprehur edhe në formën e shkrimeve dhe letrave anonime me përmbajtje armiqësore. Gjatë muajit janar – shkurt të vitit
1990 nga këto shkrime e letra anonime me përmbajtje armiqësore, të shkruara e të hedhura në Rrethin e Shkodrës, janë të pazbuluara si më poshtë:
1-Më datën 11 janar 1990 është shkruar në murin e një apartamenti të lagjes “Qemal Stafa”, me bojë kafe e me germa skrip, parulla armiqësore me këtë përmbajtje: “Poshtë partia”.
2-Më datën 11 janar 1990 është hedhur në lagjen “Qemal Stafa”, një fletushkë me përmbajtje armiqësore, e ndërtuar përmbajtja e saj me germa reviste si më poshtë:

“Poshtë socializmi”.
3-Më datën 13 janar 1990 janë gjetur rreth 40 fletushka me përmbajtje armiqësore futura në zarf e të hedhura në lagjet “Skënderbeg”, “Partizani”, “Tom Kola”, “Tre heronjtë”. Një pjesë e këtyre fletushkave janë shkruar në fletore në formë poezie, ndërsa një pjesë tjetër janë shkruajtur me fletë të marra nga veprat e themeluesit të partisë.
4-Më datën 14 janar 1990, janë hedhur në derën e dyqanit të artikujve të përzier në fshatin Dobraç, 20 copë fletushka të vogla të shkruajtura me stilolaps bojë të kuqe e germa kapitali me këtë përmbajtje:
“Poshtë E. H.”
(nuk i bën dora të shkruajë “Enver Hoxha” konceptuesit të dokumentit).
5-Më datën 15 janar 1990 është hedhur nën derën e shtëpisë së qytetarit Myfit Loku me banim në lagjen “Fahri Ramadani” një letër me përmbajtjen armiqësore e shkruajtur me germa kapitali me laps plumbi të dubluar dhe fillon me fjalët: “Liri demokraci”.
6-Më datën 17 janar 1990 kemi një akt armiqësor në qytetin e Shkodrës ku janë hedhur 14 vepra të themeluesit të partisë, në ujin e shatrivanit. Të qytetit të Shkodrës.
7-Më datën 19 janar 1990 në oborrin e shkollës së mesme artistike “Jordan Misja” është hedhur një fletushkë me përmbajtje armiqësore e shkruajtur me germa kapitali, me bojë blu stilografi dhe letra është bërë në formën e një aeroplani. Ka këtë përmbajtje:
“Parullë, poshtë pushtetit popullor, rroftë kapitalizmi”.
8-Më datën 20 janar 1990, përsëri në oborrin e shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, është hedhur një fletushkë me përmbajtje armiqësore të shkruajtur me germa kapitali, me stilolaps bojë blu, me këtë përmbajtje:
“Poshtë pantera e zezë”.
9-Më datën 21 janar 1990 në murin e një shtëpie të lagjes “Naim Gjylbegu” është shkruajtur me germa kapitali e bojë këpucësh të zezë, një parullë armiqësore me këtë
Përmbajtje: “Poshtë Enver Hitleri”.
10-Më datën 21 janar 1990 në fshatin Juban janë hedhur dy copë fletushka me përmbajtje armiqësore, të shkruajtura me germa kapitali e stilolaps ngjyrë të zezë dhe në fund të fletës janë bërë edhe 4 kryqe.
11-Më datën 29 janar 1990, po në fshatin Juban është hedhur një fletë me përmbajtje armiqësore të shkruajtur me germa skrip e stilograf me ngjyrë të zezë.
12-Më datën 3 shkurt 1990 është gjetur në Sheldi fotografia e themeluesit të partisë të shkruajtura me kryq sipër dhe fjalët “Poshtë komunizmi”, e bashkëngjitur me këtë edhe një letër me përmbajtje armiqësore (këto materiali ndodhen në Hetuesinë e Rrethit Shkodër).
13.Më datën 9 shkurt 1990 tek një shtyllë betoni pranë urës së Përroit të Thatë, rrugës për në fshatin Kamicë, është shkruajtur me shkumës e germa kapitali parulla: “Poshtë Ramiz Alia”.
Nga ana e jonë janë marra të gjitha masat operative dhe po punohet edhe për zbulimin e këtyre autorëve të shkrimeve të letrave anonime me përmbajtje armiqësore.
Bashkëlidhur ju dërgojmë 11 copë fotokopje të fletushkave të më lartme.
Parullat e hedhura në Shkodër në janar – shkurt 1990
-“POSHTË PARTIA”
– “POSHTË SOCIALIZMI”
-“POSHTË ENVER HOXHA”
-“LIRI DEMOKRACI”
-“POSHTË PUSHTETIT POPULLOR, RROFTË
KAPITALIZMI”.
-“POSHTË PANTERA E ZEZË”
– “POSHTË ENVER HITLERI”
-“POSHTË KOMUNIZMI”
-“POSHTË RAMIZ ALIA”.

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme,
Çapajev Taçi
Kryetari i DPB
Shkodër, Çapajev