Shkodër: Konstituohet mes tensionesh Këshilli i ri Bashkiak

Ashtu siç edhe pritej, konstituimi i Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës u zhvillua në një atmosferë të tencionuar. Disa qindara mbështetës të opozitës protestuan me thirrje kundër qeverisë dhe Kryeministrit Rama, duke tentuar disa herë të thyejnë edhe kordorin e policisë për tu futur në mjediset e brendshme ku po zhvillohej takimi. Protesta e sotme ishte paralajmëruar një ditë më parë nga dega vendore e PD-së dhe në të morrën pjesë edhe ish deputetë dhe drejtues të kësaj partie.

Në këtë atmosferë, 51 këshilltarët bashkiakë të Shkodrës, të dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit, bënë betimin dhe zgjodhën kryetarin dhe tre nënkryetarët e Këshillit të ri Bashkiak, i cili do të zevendësojë të mëparshmin. Gjithashtu u zgjodhën edhe anëtarët e rinj të Këshillit të Qarkut të Shkodrës, ku bëjnë pjesë 5 bashki.

Kryetarja e deritanishme Këshillit të Qarkut, Greta Bardeli Gjoni, e cila ishte e pranishme në takim, reagoi ashpër duke e cilësuar atë antikushtetues. Pas largimit nga salla, zonja Bardeli tha se popuilli i Shkodrës do të dijë të reagojë:

“Kjo mbledhje e sotme është ilegjitime, është antikushtetuese, është një mbledhje jashtë çdo standarti që ofron Kushtetuta e Shqipërisë. Jeni në kundërshtim me ligjin. Dhe ta dini shumë mirë se për këtë do të mbani përgjegjësi jo vetëm kushtetuese, por edhe penale secili prej jush”.

Një ndër pikat e rëndësishme të takimit të sotëm ishte edhe shpallja e vleftshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetrit, i cili është akuzuar nga Partia Demokratike se është dënuar në Itali për trafik droge dhe se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Kryetarja e sapo zgjedhur e Këshillit të Bashkisë, Brisela Truma, njoftoi se, në kushtet kur Valdrin Pjetri ka paraqitur dorëheqjen, ai nuk merr nga Këshilli Bashkiak mandatin e Kryetarit të Bashkisë:

“Në zbatim të nenit 61, pika 2 dhe 3, pas dorëheqjes së depozituar pranë Këshillit Bashkiak, ky Këshill do të njoftojë institucionet përkatese me qëllim vijimin e procesit sipas kodit zgjedhor.”

Në lidhje me kryetarin e ri të Bashkisë së Shkodrës, deputetja e PS Senida Mesi, e pranishme në konstituimin e Këshillit Bashkiak, u shpreh se tashmë ka përfunduar mandati i kryetares së tanishme të bashkisë, Voltana Ademit.

“Këshilli tashmë është i konstituuar. I takon atij të vendosë, brenda kornizës ligjore, se si do të administrohet Bashkia e Shkodrës dhe kush do të administrojë Bashkinë Shkodër, pasi mandati i kryetares aktuale ka mbaruar.”

I të njëjtit mendim është edhe zv. ministria e brendshme, Romina Kuko,e cilau shpreh në përfundim të takimit se konstituimi i sotëm i Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës ishte ligjor dhe i jep fund konstituimit të 61 këshillave bashkiake në të gjithë vendin:

“Ligji e përcakton qartë që Këshilli Bashkiak ndërmerr të gjithë detyrat në rastin kur ne nuk kemi një kryetar bashkie. Është ligji për vetqeverisjen vendore, është kodi zgjedhor që përcaktojnë të gjitha detyrat që merr këshilli. E rëndësishme është të kuptojmë se hapi i sotëm ishte ligjor, i domosdoshëm, një hap që shkon përtej çdo emocioni apo interpretimi politik.”

Por kryebashkiakja e deritanishme e Shkodrës, Voltana Ademi, nga salla e Këshillit Bashkiak ku ishin grumbulluar pas protestës mbeshtetësit e opozites, dekraroi se do të vazhdojë të kryej detyrën e kryebashkiakes.

“Unë do të jem në detyrën dhe përgjegjësinë nga ana tjetër që të jem kryetare e Bashkisë së Shkodrës deri në momentin, sa më të shpejtë për të gjithë ne, jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë Shqipërinë, kur ne shqiptaret, ne shkodranët, të shkojmë në zgjedhje të verteta, të rregullta, ku të gjithë të mund të zgjedhin të lirë. E, jo vetëm për kryetarin, por edhe për këshillin bashkiak.”

Në këto kushte, nuk është e qartë se kush do ta drejtojë Bashkinë e Shkodrës, bashki kjo që është drejtuar nga demokratët që nga viti 1992, me përjashtin të zgjedhjeve vendore të 1996, kur në Shkodër fitoi një forcë e re politike, e sapo dalë në skenë, E Djathta e Bashkuar Shkodrane.

Zonja Ademi, e cila ka drejtuar për katër vite edhe Shoqatën e kryetarëve të djathtë të bashkive, ka bërë një betejë të vendosur, deri në Gjykatën Kushtetuese, kundër Zgjedhjeve Vendore të 30 qershorit dhe votimeve të kësaj dite, duke i cilësuar si antikushtetuese dhe në kundërshtim me dekretin e Presidentit të Republikës.

VOA