Shkodër, burg për trafikuesit e drogës në drejtim të Malit të Zi

Gjykata e Shkodrës vendosi të shtunën masën e sigurisë “arrest në burg” për tre trafikantë të drogës: Zef Kola, Kristian Mehaj dhe Genc Meçaj, ndërsa për dy të tjerë: Elvis Hysaj dhe Xhusepe Mehaj, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte në fushën e trafikut ndërkombëtar të drogës përmes kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Shkodrës vjen pas arrestimit të tyre, tre ditë më pare, gjatë operacionit të koduar policor “Prekalori”, ku u sekuestruan edhe 205 kg drogë e tipit marijuanë. Sipas policisë, ky grup kriminal kryente“organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi dhe më gjerë”.

5 të arrestuarit janë banorë të Malësisë së Madhe, një zonë e njohur për kontrabandën dhe trafikun e lëndeve narkotike përmes kufirit ujor të Liqenit të përbashkët të Shkodrës.

Sipas të dhënave të policisë, drejtuesi i dyshuar i këtij grupi kriminal, Zef Kola, është dënuar më parë edhe në Mal të Zi për trafik të lëndeve narkotike. Policia, gjithashtu, bëri të ditur se po vazhdon hetimet rreth veprimtarisë së këtij grupi, pasi ka dyshime se në të janë përfshirë edhe persona të tjerë.

Zeri i Amerikes