Shkatërrimi i ish kompleksit “Skandërbeg”-As Enveri nuk shkatërroi dje si ç’po bën sot Edi Rama

 Aurel Plasari

Mjafton që, si një heqje nervi, t’ia shkulësh një shoqërie kujtesën historike që ta kthesh atë në barbare. “Mjerë ai popull që e ka humbur kujtesën historike!”, psherëtihet atëherë. Mirëpo, “atëherë” domethënë vonë. Asgjësimin e kësaj ekzistence të dytë të qenies shqiptare synon kazma që është ngritur kundër një monumenti shumëfish historik, – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike të shtetit shqiptar, – siç është ish-kompleksi emërmadh “Skanderbeg”, i thjeshtuar sot në trajtë të aktualizuar si “Teatri Kombëtar”. U duhet treguar saktë bashkëqytetarëve, se për çfarë monumenti shumëfish historik bëhet fjalë, ndonëse betejën për mbrojtjen e tij po e zhvillojnë më së shumti njerëz të teatrit. Ata paçin faqen e bardhë për këtë betejë! Dhe nuk do të m’i keqkuptojnë pohimet e këtushme, së paku ata që e dinë se, për ç’i takon historisë së teatrit, jam rritur në rreth familjar njerëzish të lidhur me teatrin qysh prej viteve ’30. Por, meqë kazma e sapongritur synon një rrënim shumë më “kompleks”, duhet shtyrë pak dera e së kaluarës për të parë të ardhmen para se krimi të kryhet.

 Kompleksi emërtohej saktësisht “Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG”.

Monumenti në fjalë është konceptuar, projektuar dhe realizuar pikërisht si një kompleks. i përfunduar së ndërtuari më 1940, në Shqipërinë e aneksuar në të njëjtën “perandori” me Italinë fashiste, kompleksi emërtohej saktësisht “Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG”. Do të ishte dhunë që historia e këtij monumenti shumëfish historik të Shqipërisë të mëvishej me çaprashitje ndërtimesh “të përkohshme”, për asqerhane italiane a për eglenxhehane. “Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG” përbëhej nga dy ndërtesa paralele, të ndara nga një gjysmëpatio e organizuar si mjedis relaksimi: me një pishinë në mes dhe përfund me një palestër model për kohën. Bëhej fjalë për konceptime me parametra bashkëkohorë të ndërtimeve të epokës së njohur si “il Ventennio”, fashist për komplekse të atilla. Ndër dy ndërtesat, ajo majtas emërtohej në fillim “Kinema-teatër SAVOJA”. I konceptuar si për projektime filmash, ashtu edhe për shfaqje teatri, koncerte artistike etj., në kohën e vet u klasifikua si “i cilësisë së parë”. Por të vihet re: I përshtatur edhe për veprimtari ndër më të rëndësishmet politike, përfshirë ato të krerëve të shtetit, pavarësisht regjimeve politike. Në atë kinema-teatër, që cilësohej “e cilësisë së parë” në Shqipëri, spektatori shqiptar u njoh “nga afër” – madje duke rënë në dashuri me ta – me aktorë të shkëlqyer të artit kinematografik: Greta Garbo, Alida Valli, Anna Magnani, Lorenz Oliver, Amadeo Nazzari, Vittorio de Sica, me dhjetëra. Jo vetëm kaq, por po në atë mjedis kulturor-artistik nisën e u organizuan në kryeqytetin e Shqipërisë vargu i koncerteve të muzikës klasike: Scarlatti, Cherubini, Corelli, Vivaldi, Boçherini, Cimarosa, Paganini, Rameau, Schumann, De Gallot, Schopin etj. Kushedi sa artdashës i ndiqnin për së pari herë! Deri edhe spektaklet me pjesë nga repertori i zgjedhur operistik aty u praktikuan: nga Verdi, Bellini, Donizetti, Rossini etj., përfshirë edhe një Mascagni të përsyshur dikur si “bolshevik” nga Mussolini gazetar. Dhanë aty koncerte edhe yjet shqiptare të muzikës lirike, që nga Tefta Tashko-Koço dhe Kristaq Antoniu, nga Jorgjia Filçe dhe Marie Kraja etj. Aty dha shfaqje të vetat edhe Grupi Filodramatik i Radio-Tiranës, siç quhej, “Strazivari”, “Peshku në det”, “Osman Opingaxhiu” të Viktor Eftimiut etj., çfarë do të thotë që aty u shfaqën Mihal Popi, Behije Çela, Xhevat Serezi dhe të tjera figura që do t’i jepnin sharm edhe Teatrit të ardhshëm Kombëtar. Ja një arsye më shumë se përse rekomandoj t’i kaloni njëherë për duarsh enciklopeditë e dr. Mëhillit. Nga 9 më 12 prill 1940 u përurua aty ai që do ta meritonte të quhej i pari festival i këngës popullore shqiptare. Përpos zonjave Marie Kraja dhe Tefta Tashko, si dhe mjeshtres Lola Gjoka dhe mjeshtrit Tonin Guraziu në piano, në atë sallë u shfaq për së pari në publik rapsodi magjepsës Gjergj Pllumbi. Edhe ekspozita të arteve figurative u organizuan në sallonin e atyshëm; ndër to u shënua për mbresat që la ajo e motrave piktore Androniqi dhe Sofia Zengo. Nuk ka sesi të harrohet sakaq ndërtesa tjetër paralele, ajo në të djathtë. Në të u vendosën strukturat e mirëfillta të fondacionit “SKANDERBEG”. I menaxhuar prej një bordi të përbërë prej emrash të nderuar të kohës, si Gjergj Bubani, Odhise Paskali, Vangjel Koça, Bahri Omari, Kristo Kono etj., fondacioni do të punonte nën motto-n “PRO CULTURA”. Tek ajo ndërtesë e dytë qe vendosur edhe tanimë i njohuri në historinë e albanologjisë si “Instituti i Studimeve Shqiptare”. Përkrah ndonjë emri italian pa peshë u mblodhën e punuan në atë Institut kontribuues shqiptarë që u vinte era shkencë e kulturë: Dhimitër Berati, Aleksandër Drenova (Asdreni), Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Etëhem Haxhiademi, Kolë Kamsi, Sotir Kolea, Xhevat Korça, Nikollë Lako, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Odhise Paskali, Vincenc Prennushi, Ilo-Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli, Justin Rrota, Eqrem Vlora, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj. Aty i patën zyrat, bibliotekat dhe sallat e mbledhjeve. Po aty, dhe jo kund tjetër, u organizua e u mblodh nga 9 më 13 prill 1940 “Ma i pari Kuvend i Studimevet Shqiptare”. Fatmirësisht janë publike punimet e tij, në të cilat u hodhën bazat e projekteve: për një Fjalor të madh të gjuhës shqipe, për një Enciklopedi shqiptare, për një korpus të botimeve dokumentare për historinë e Shqipërisë “Albania diplomatica”, për fillimin e botimit të kolanës së Folklorit shqiptar etj., deri te projekti për një muze të Shkencave të natyrës. Me çlirimin e Shqipërisë, qeveria e re e vetëshpallur “demokratike” nuk bëri më shumë se t’i konvertonte pjesët e ndryshme të strukturave të kompleksit “SKANDERBEG”. Kinema-teatri vijoi të quhej edhe për një copë kohë “KOSOVA”, ndonëse emërtimi “SKANDERBEG” u zhduk si me magji. Tani do të shfaqeshin aty, qysh në fillim të 1945-s, jo vetëm të parët filma sovjetikë, por edhe i pari film i ri anglez, i pari film i ri amerikan etj. Qenë shfaqje, në të cilat merrnin pjesë si misionet e huaja, ende “aleate”, edhe anëtarët e qeverisë së re “demokratike”. Aty, dhe jo gjatë paradës në bulevard, sikurse është përshkruar ndonjëherë gabimisht, ndodhi incidenti i Enver Hoxhës me znj. Sara Blloshmi. I ulur në lozhën qendrore të kinema-teatrit “KOSOVA”, ai e trajtoi si provokim që në lozhën ngjitur, në të cilën, në të vërtetë, ishte ftuar misioni ushtarak anglez, u shfaq duke shpalosur hiret e veta Sara Blloshmi. Acarimi i beftë i diktatorit të ri, duke lëvizur nga vendi, ka mbetur i pashpjeguar. Ç’qe më e rëndësishme, përpos filmave të “aleatëve”, po aty filluan në mënyrë të organizuar shfaqjet e para të atij që në krye u emërtua si “Teatri i Tiranës”, mandej si “Grupi Teatral Profesionist i Shtetit”, me emra aktorësh që tanimë kanë bërë histori të teatrit shqiptar: Mihal Popi, Lazër Filipi, Andon Pano, Melpomeni Çobani, Nikolla Panajoti, Prokop Mima, Besim Levonja dhe Behije Çela, Drita Kripa (Pelingu), Andrea Malo etj., deri kur më 24 maj 1945 struktura e re të emërtohej “Teatri Profesionist i Shtetit”.

Por ç’të vijohet më përkëtej?

Kanë treguar sa e sa edhe të tjerët, madje mundet që u teprua duke përmendur kaq fakte, kaq emra, kaq ngjarje, kaq vepra, kaq histori me një peshë që çudi sesi ai kompleks e mban përmbi. Nuk më shkon të them që fatkeqësia e këtij monumenti shumëfish historik paskësh qenë mungesa e ndonjë basorelievi me mbiemrin e njohur të një skulptori, mbiemër që do të mund t’ia ndalte dorën atij që ka ngritur kazmën për rrënim. Nuk më shkon, sepse edhe për artin e skulptorit në fjalë e ruaj atë pjesë respekti që i takon. Shkrova për të kryer detyrën që kryej prej kohësh: d.m.th. për t’i bërë pakëz frymëmarrje artificiale kujtesës historike. Si dhe për të përfunduar me pyetjen: A na tregoni dot, në historinë 100 e pak-vjeçare të këtij shteti tonë, një monument kaq shumëfish historik – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike etj. – si ky monument? Pikërisht si ky monument, kundër të cilit është ngritur, me kaq ngërmesë, kazma e rrënimit? Dhe përse është ngritur? Me shfajësimin e nevojës për një “teatër të ri”. Jo një teatër i ri: dhjetëra teatro të rinj i duhen Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Për artistët po që po, por më së pari për publikun, i cili ka nevojë për to. Kërkesa për një të tillë teatër në Tiranë nuk është gjë e re, ajo ka qenë formuluar qyshkur, ta mësojnë edhe ata që nuk e dinë kur bie qyshkuri. Por ngritja e kazmës ndaj një monumenti shumëfish historik, si ky që u përshkrua, nuk ka kurrfarë lidhjeje me dëshirën e bukur për teatër të ri: as se nuk po e mban karabinaja, as se po i bie karasuvaja, as se po e bren karanxhaja. Edhe sikur një fatkeqësi natyrore, një tërmet disaballësh, ta kishte rrënuar një monument të këtillë, detyra e një shoqërie të qytetëruar do të ishte që atë ta rindërtonte. Edhe sikur atë ta kishte hedhur përtokë një bombardim nga aviacioni armik, – me rreziqet e tij na stërvitnin një herë e një kohë, – ai do të duhej ringritur në këmbë, sikurse i ringriti Varshava e rrënuar nga lufta ngrehinat e veta historike, gjithë përkushtim ndaj kujtesës së kryeqytetit.

Kazma, ç’është e vërteta, i vinte për dore edhe Enver Hoxhës. Me të imitoi, fjala vjen, Revolucionin Kulturor Kinez për dhunën ndaj institucioneve të fesë. Mirëpo, për institucionet kulturore – e vërteta është e vërtetë! – e mbajti dorën. Brezi im i fëmijërisë e kujton se ku ndodhej dikur “Opera”, atje tek patëm fatin të ndiqnim qysh fëmijë “Princeshën e Çardashit” ose “Madamën Baterflaj”. Mirëpo, për të bërë një teatër të ri opere, sikurse u bë, diktatori nuk prishi sallën e integruar në kompleksin që iu la Akademisë së Arteve. Për të përballuar mbingarkesën e fondeve të Bibliotekës Kombëtare, kur u ndërtua një bibliotekë e re si pjesë e kompleksit të Pallatit të Kulturës, diktatori nuk rrënoi “Bibliotekën e vjetër” të Rrugës së Elbasanit: ajo funksionin ende sot e riorganizuar si bibliotekë e “Librit Evropian”. Për të ndërtuar një stadium të ri të sportit – dy të tillë madje – diktatori nuk rrënoi stadiumin ekzistues, atë të arkitektëve italianë, dhe qe ai që vijoi të funksiononte si i “kategorisë së parë”. Duhet ngulmuar për t’ia kujtuar publikut, të cilit i përket monumenti shumëfish historik, – i historisë kulturore, i historisë artistike, i historisë sociale, i historisë së albanologjisë, i historisë politike të shtetit shqiptar, – kazmën që tanimë mbi të është ngritur. Së paku, atij publiku, të cilit i funksionon mekanizmi i kujtesës historike, përndryshe do të ishte fjala për ndonjë publik që nuk i ka në rregull “letrat” e qytetarisë. Kujtesën historike, sidomos në një shtet që sapo ka kaluar të 100-tat, nuk e bëjnë vetëm luftëra dhe revolucione, fitore dhe humbje me zallamahi gjakderdhjesh a vëllavrasjesh. E bëjnë edhe ngjarje e ndodhí si këto që u numëruan, regjistrime pjesëmarrjesh e pjesëdhëniesh në jetën qytetërimore të një shoqërie, në të mirë dhe në të keq. Apo mos do t’u katandiskemi të na e përbëjnë kujtesën historike ato që miku ynë i quajti hidhur “pordhët e ambalazhuara” të politikanëve? Kujtesa historike është pronë e të gjithëve. E të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Nuk më besohet të ketë individ që të mos e ndiejë, sikur dhe gjatë një grime të vetme të ekzistimit të tij, që i takon qoftë edhe një thërrime nga kjo trashëgimi, kundër së cilës kazma e ngritur mund të ulej.