Shërbimi i fshehtë gjerman kthen vështrimin nga Ballkani, fokusohet në Bosnjë

Shërbimi Federal Informativ gjerman, BND e ka përqendruar vëmendjen gjithnjë e më shumë në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, bën të ditur Berliner Zeitung. Shtetet e brishta të rajonit janë shqetësim për BND.

Shërbimi Federal Informativ gjerman për botën e jashtme, BND është gjithnjë e më i shqetësuar për tendencat islamike në Bosnjë-Hercegovinë. Këtë e deklarojnë burime nga shërbimi i fshehtë, të cilat citohen në numrin e së martës të gazetës Berliner Zeitung. Shërbimi i fshehtë raportohet se po e kthen vëmendjen tek i gjithë rajoni i brishtë i Ballkanit.

Për shumë dekada, popullata myslimane e Bosnjë-Hercegovinës ka përqafuar një interpretim shumë liberal të fesë islame. Por dallimet fetare u gjallëruan në procesin e shpërbërjes së shtetit socialist në vitet 1990 dhe që atëherë ndikimi i fesë në rajon ka qenë në rritje. Bosnja po përballet me një ndikim në rritje të shteteve të Gjirit.

Sipas raportit të së martës, Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit po investojnë shumë para për të nxitur në shoqërinë boshnjake një doktrinë shumë më strikte vahabiste të drejtimit sunit të fesë islame. Fondacione bamirësie saudite po pompojnë fonde në ndërtimin e qendrave të faljes, duke përfshirë edhe Xhaminë e Mbretit Fahd në Sarajevë, xhamia më e madhe në Ballkan, e cila dominohet nga Vahabitët.

“Shtetet e brishta”

Qindra vetë nga Bosnja dhe shtete të tjera me popullatë kryesisht myslimane në rajon, Kosovë dhe Shqipëri kanë shkuar vitet e fundit në Lindjen e Mesme për t’u bashkuar me milicët xhihadistë.

Dy javë më parë, shefi i BND, Bruno Kahl foli për lindjen e shteteve të dobëta në rajon, të cilat mund të preken lehtë nga luftërat civile dhe që mund t’u shërbejnë terroristëve si zonë tërheqjeje ose zonë operative. Në fjalën e tij në Fondacionin e afërt me CSU, Hanns-Seidel Kahl tha konkretisht:

“Indeksi i shteteve të brishta për 2016 ofron në këtë kuadër një pamje pak inkurajuese nga vështrimi gjerman. Në të, shtete si Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe Rusia grupohen në kategoritë Warning deri High Warning (paralajmërim deri paralajmërim i fortë)”. Kahl sqaroi më tej në fjalën e tij se kjo nuk do të thotë se në këto vende ka pësuar kolaps sistemi shtetëror. Por se “me sa duket ai gjithsesi nuk u përgjigjet standardeve të Evropës Perëndimore e Qendrore”. DW