Shën Nënë Tereza: Si duhet të duhemi?

Shën Nënë Tereza: “Ta falënderojmë së bashku Zotin për këtë rast të mrekullueshëm e t’i shprehim kënaqësinë që buron në shpirt, kur përhapim paqen, kur shumojmë gëzimin, kur duhemi me njëri-tjetrin e duam Zotin, kur gëzohemi që të varfërit më të varfër janë vëllezërit e motrat tona…”.

R.SH. – Vatikan

Shën Nënë Tereza, me jetën e veprimtarinë e saj është dëshmi e shembull për të gjithë ne se si Si duhet të duam?”. Pyetje, përgjigjja e së cilës na intereson fort të gjithëve.

Ç’do të thotë të duash me dashuri të madhe? Thua duhen kryer vepra të mëdha, për të dëshmuar se di të duash me gjithë zemër? Duhen bërë dhurata të jashtëzakonshme? Duhen dhënë prova të vështira? Duhet flijuar jeta? Apor mjaftojnë edhe disa gjeste fare të vogla, për ta shprehur dashurinë e madhe, pa kusht, të thellë deri në dhimbje, të bukur deri në përtëritjen e shpirtit.

Me një rast në Norvegji, duke mbajtur një fjalim, në një sallë të mbushur plot me burra të ekonomisë, politikës, kulturës… Nënë Tereza, fare e qetë, gjithnjë me rruzaren në dorë, i ftoi të pranishmit: “Ta falënderojmë së bashku Zotin për këtë rast të mrekullueshëm e t’i shprehim kënaqësinë që buron në shpirt, kur përhapim paqen, kur shumojmë gëzimin, kur duhemi me njëri-tjetrin e duam Zotin, kur gëzohemi që të varfërit më të varfër janë vëllezërit e motrat tona….

Por, si duhet të duhemi? Duhemi duke dhënë; Zoti na dha Birin e vet, Jezu Krishtin që, nga ana e Tij, dha jetën për ne e vijon ta japë: Ai jep edhe këtu, jep kudo. Në jetën tonë e në jetën e të tjerëve. Ai nuk u mjaftua të vdiste për ne, por deshi të duhemi me njëri-tjetrin e ta shikonim në tjetrin. E, për të qenë i sigurt se e kishim kuptuar për çka kemi nevojë, tha se do të gjykohemi mbi bazën e asaj që ishim për të varfërit, të uriturit, të zhveshurit, të mbeturit pa atme. Ai u bë i uritur, i zhveshur, i paatdhe. I uritur jo vetëm për bukë, por sidomos për dashuri; i zhveshur jo nga një copëz stofi, por nga dinjiteti njerëzor; pa atdhe, jo sepse nuk kishte shtëpi, por pse ishte i harruar, i padashur, i pakujdesur, i padëshiruar për shumëkënd. E tha: “Atë që ia keni bërë më të voglit nga vëllezërit e mi, ma keni bërë mua!”.

Të gjithë e dëgjonin me frymë pezull motrën imcake – ikonën e dashurisë. Asambleja elegante e profumuar, ndjehej keq përballë Nënë Terezës, veshur me sarin e grave më të varfëra të botës, që nuk kishin shkelur kurrë në salla të tilla. E as nuk do të shkelnin. Shkelte Ajo, për to!

Nënë Tereza vijonte fjalimin, një kryevepër urtieSot, duke e marrë këtë çmim të madh – për të cilin personalisht jam krejt e padenjë – ndjehem e lume për të varfërit tanë, e lume, që i kuptoj të varfërit, ose, për të qenë më e saktë, e kuptoj varfërinë e njerëzve tanë. Jam mirënjohëse e shumë e lumtur që po e marr, në emër të të uriturve, të të zhveshurve, të të paatdheve, të çalamanëve, të të verbërve, të të gërbulurve. Në emër të të gjithë atyre, që ndjehen të padëshiruar, të padashur, të pakujdesur, që dëbohen nga shoqëria, që bëhen barrë për të vetët e të huajt e që përjashtohen nga gjithçka. E pranoj çmimin në emër të tyre e ju siguroj se do të sjellë mirëkuptim të ri e dashuri të re ndërmjet të pasurve të varfërve…

Nuk e harroj kurrë sesi një herë e mora një njeri nga rruga. Ishte i mbushur me krimba. Vetëm fytyra i kishte shpëtuar. E çova në shtëpinë e  njerëzve në prag të vdekjes e ai tha vetën dy fjalë: “Jetova si kafshë, e po vdes si engjëll, i dashur e  i rrethuar me kujdes”. E vdiq mrekullisht. U rikthye tek Zoti, Vdekja nuk është tjetër, veçse kthim tek Zoti. E ndjeva se gëzohej për këtë dashuri, gëzohej se ishte bërë i dëshirueshëm, i dashur, për faktin se ishte dikush, për dikënd”.

Asambleja elegante, me mbretin e Norvegjisë në radhë të parë e me një mori personalitetesh të ndritshme, dëgjonte fjalimin. Ndoshta ndokush thoshte me vete: “Guximtare e madhe, kjo murgeshë!”. E ndonjë tjetër edhe mund të ketë pëshpëritur: “A nuk do të ishte më mirë t’i jepej ky çmim ndonjë njeriu më pak të bezdishëm?”.