Shefqet Peçi në kujtimet e Dritëro Agollit: Nuk kemi qenë të përsosur

Vite më parë, teksa shkruante poezinë “Komisari”, shkrimtari i shquar Dritëro Agolli do të hidhte këto vargje: Ne naganti nuk na ngeci/ Që në Kuç e në Korab,/ Kur na thërriste Shefqet Peçi/ Komandanti ynë lab.

Sot vajza e Dritëroit, Elona nëpërmjet një postimi të saj në Facebook, na sjell kujtimet të tjera të të atit, për komandantin e brigadës së V-të Sulmuese gjatë Luftës Nacionalçlirimtare:

Postimi i plotë

Një figurë legjendare, e quante Dritëroi, mikun e tij Shefqet Peçi. Legjendare, pasi peripecitë, bëmat dhe trimëritë e tij janë të veçanta dhe të çuditshme, që njerëzit i tregojnë, duke thënë: “Kështu i ka ndodhur një herë Shefqet Peçit.” E ndër të shumtat rrëfime për të, në një parathënie libri për këtë “bir të historisë”, ai ndalet në disa momente mjaft domethënëse që ndriçojnë anë të cilat shumëkush nuk i njeh apo nuk do t’i besojë.

“Një herë – tregon Dritëroi – në një takim në shtëpinë e tij, para shumë vjetëve, ra fjala për Bedri Spahinë:

-Ka qënë i mënçëm, ka qënë edhe trim. Tani ai është i dënuar, por thuaji hakun. Unë e kam dashur – tha Shefqet Peçi.

Këtë gjë nuk besoj ta thoshte asnjë nga anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH në atë kohë.

Unë atë siç ishte e kujtoj. Po tregoj një ngjarje të thjeshtë. Në vitin 1993 apo 1994 ai u sëmur për një kohë. Unë e mora vesh dhe doja të shkoja ta shihja. Por nuk po vendosja. Kisha dy-tre vjet që nuk i kisha shkuar në shtëpi. Arsyeja ishte se unë më 1991, në Kongresin e 10-të të PPSH, kisha kritikuar Enver Hoxhën dhe vijën e PPSH. Duke folur, e shihja nga larg Shefqet Peçin që rrinte i zymtë, që vinte duart në gjunjë, që tundte kokën me inat. E ndjeja që më shante.

Edhe se kishin kaluar dy-tre vjet nga ngjarja e Kongresit të 10-të, unë nuk shkoja në shtëpinë e Peçëve, se kisha frikë se Shefqet Peçi më përzinte. Një ditë thashë me vete, – të dalë ku të dalë, – dhe shkova. E gjeta në shtrat me grip. E përqafova dhe i thashë: – Nuk kam ardhur, se kam patur frikë se më përzije nga shtëpia, pasi do të më kesh mbajtur mëri që në Kongresin e 10-të të PPSH, kur kritikova Enver Hoxhën. Po unë Enver Hoxhën nuk e kam kritikuar, siç bëjnë ballistët.

Ai më pa me pikëllim dhe tha:

-Jo , mo Drito, kush të shan ty ! Eh, more, edhe ne nuk kemi qenë të përsosur!

Të gjitha tek Shefqet Peçi përzjeheshin: heroizmi, idealizmi, dashuria për vendlindjen, kuvendimet me dolli në sofër, këngët, tregimet e historive, të papriturat, zemërimet dhe pajtimet. Po edhe çudirat nga më të mëdhatë.

Në një përvjetor të Çlirimit të Atdheut, ai shkon në Burrel për të marrë pjesë në një festë nē fshatin Macukull, ku në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, brigada e 5-të e tij pati luftuar me vetmohim kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve. Tek unë në shtëpi , papritur, në orën dhjetë të natës, bie telefoni. Merrte Shefqet Peçi dhe thoshte se duhet të vija se do të ngjiteshim në Macukull. Unë nuk e kisha makinën dhe marr në telefon Niko Nikollën, kryeredaktorin e Hostenit. Nisemi unë, Sadija (gruaja ime) dhe Niko Nikolla. Në orën një të natës arritëm në Burrel. Të nesërmen pastaj u ngjitëm në Macukull, ku sheshi në majë të malit i ngjante një sofre. Shefqet Peçi në këtë sofër psherëtiu e më tha:

-E ashpër ishte Lufta! Ja, këtu në Macukull janë vrarë edhe kot! Mesa di unë, në të gjitha luftrat kështu ndodh!…”

Këto janë disa rrëfime të Dritëroit për mikun e tij, Shefqet Peçi.

 

V.L/ Dita