SHBA: “Marshimi i Grave” dhe mesazhi i lëvizjes për barazi gjinore dhe të drejtat e grave

Mijëra gra pritet të marshojnë në disa qytete amerikane të shtunën, për të katërtin vit me radhë, në mbrojtje të një sërë çështjesh, përfshirë barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.

Në dhjetëra qytete janë planifikuar tubime, përfshirë Uashingtonin, ku marshimi i parë i grave në 2017-n tërhoqi me qindra mijëra persona vetëm një ditë pas betimit të Presidentit Donald Trump.

Marshimi ka përfshirë një mesazh politik që kur nisi në vitin 2017, kur shumë prej pjesëmarrësve mbanin kapele rozë të thurura që janë kthyer në simbol të ndjenjave të grave kundër presidentit Trump.

Pas 2017-s politika vazhdoi të jetë një temë e fortë e “Marshimit të Grave” përfshirë edhe 2018-n kur organizatorët e zhvendosën marshimin në Nevada, një shtet fushë-beteje për zgjedhjet për Kongresin që u mbajtën po atë vit si dhe në 2019-n kur marshimi u kthye në Uashington.

Disa nga kandidatët demokratë për president në vitin 2020 planifikojnë të marrin pjesë këtë vit në Marshimin e Grave në qytete të ndryshme të vendit. Pete Buttigieg, ish-kryebashkiaku i South Bend-it planifikon të marrë pjesë në marshimin që mbahet në Reno të Nevadës ndërsa ish-guvernatori i Masaçusetsit Deval Patrick do të jetë në tubimin e Karolinës së Jugut. Senatori Michael Bennet dhe biznesmeni Andrew Yang do të marrin pjesë përkatësisht në Nju Hampshajër dhe Ajoua.

Që nga marshimi i parë, organizimi është përballur me polemika, që kanë përfshirë edhe drejtuesit e saj duke i vënë përballë akuzave për anti-semitizëm. Organizatorët i kanë mohuar vazhdimisht pretendimet. Tre nga katër bashkëdrejtuesit kryesorë të organizatës janë larguar nga grupi dhe organizata ka caktuar një bord të ri që përfshin tre gra hebreje.

Bashkëkryetarja aktuale e “Marshimit të Grave” Isa Noyola, theksoi në një deklaratë se ky do të jetë marshimi i fundit përpara zgjedhjeve të 2020-s.

Në vitin 2020, ne kemi një mundësi për të përfunduar atë që nisëm para tre vitesh, të largojmë Trump-in nga detyra“, tha ajo.