SHBA – Guterres: Të ngrihemi të gjithë kundër racizmit dhe ksenofobisë

Kreu i OKB-së, Antonio Guterres u kërkoi të gjithëve të ngrihen kundër racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit dhe islamofobisë, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me debatin që ka tronditur SHBA-në pas deklaratave kontraverse të Donald Trump.

I pyetur në një konferencë shtypi se çfarë mendonte për deklaratat e presidentit amerikan duke iu referuar grupeve supremaciste të bardha dhe manifestuesve antiracistë, Antonio Guterres u përgjigj se nuk komentonte deklaratat e presidentëve.

“Por, unë konfirmoj parimet (…): racizmi, ksenofobia, antisemitizmi apo islamofobia po helmojnë shoqëritë tona dhe është thelbësore për të gjithë ne të ngrihemi kundër atyre kudo dhe në çdo kohë”, shtoi ai.

“Fatkeqësisht, këta demonë po ridalin në sipërfaqe kudo”, theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së duke iu referuar dhunës së ndodhur të shtunën në Charlottesville në lindje të SHBA-së gjatë një manifestimi të supremacistëve të bardhë.

Deklaratat e Donald Trump për origjinën e kësaj dhune kanë habitur një numër kongresmenësh amerikanë duke përfshirë këtu dhe ata të kampit të tij, ndërkohë që një klimë e tendosur ka përfshirë SHBA-në. ATA