Selia e Shenjtë në Kalkutë, për Ditën e të sëmurit, në kujtim të Nënë Terezës

Një delegacion i Dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, i kryesuar nga kardinali prefekt, Peter Turkson, do të marrë pjesë në një sërë takimesh, nga 8 deri më 12 shkurt, në Kalkutë.

R. SH. – Vatikan

Nga 8 deri më 12 shkurtin e ardhshëm, një delegacion i Dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, i kryesuar nga kardinali-prefekt, Peter Turkson, do të shkojë në Indi, e pikërisht në Kalkutë, për të marrë pjesë në kremtimet solemne të Ditës Botërore të të Sëmurit që, sipas traditës, kremtohet njëkohësisht në të gjitha dioqezat e botës, më 11 shkurt, në kujtim të Zojës Lurdë.

“Kisha universale, sipas shembullit të Samaritanit të Mirë, përkulet mbi të sëmurët e të vuajturit, për t’u çuar mesazhin e shpresës e të shëlbimit” – lexohet në një notë, që u bë e njohur nga Salla vatikanase e Shtypit, e cila shpjegon se delegacioni “do të jetë zëdhënës i mesazhit të Papës për këtë Ditë, me temë: “Falas morët, falas jepni!”(Mt 10,8).

Në një vend, ku ndjehen fort pabarazia e varfëria e skajshme e ku kushtet higjieno-sanitare janë të vajtueshme, Kisha synon të tregojë, kështu, kujdesin e saj për të sëmurët, të vuajturit, të varfërit, të përjashtuarit, në dritën e mësimeve të Nënë Terezës së Kalkutës, shpallur Shenjte më 4 shtator të vitit 2016.

Së bashku me delegacionin, do të jenë në vend edhe kardinali Patrick D’Rozario, kryeipeshkëv i Dhakës, i dërguar i posaçëm i Papës për kremtimet; imzot Thomas D’Souza, kryeipeshkëv i Kalkutës dhe imzot Prakash Mallavarapu, kryeipeshkëv i Visakhapatnam dhe kryetar i Komisionit të Konferencës ipeshkvnore katolike të Indisë për shëndetin.

Ditën e parë delegacioni do të marrë pjesë në një kuvëndim studimi, kushtuar themeleve teologjike të baritorisë së shëndetit, për të vizituar, më pas, varrin e Nënë Terezës, në Mother House, ku kryiepeshkvi D’Souza do të kryesojë Meshën.

Ditën e dytë do të vizitohen tri qendra shëndetësore, në Kalkutë: Shanti Dam, Pre Dam dhe St. Joseph’s Home, të organizuara nga Kisha vendase e të drejtuara nga Misionaret e Bamirësisë dhe Motrat e vogla të të varfërve, që merren me asistencën e të sëmurëve skamnorë e të braktisur, duke u kushtuar vëmendje të veçantë grave me kufizime mendore. Pasdite kardinali Turkson do të kremtojë Meshën me vajimin e të sëmurëve, pranë  Kolegjit  të Shën Françesk Saverit, në Kalkutë.