Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: Rusia duhet të respektojë marrëveshjen për kontrollin e armëve

Në një intervistë eksluzive për Deutsche Wellen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë, se në çfarë kushtesh do ishin për t’u përshëndetur përpjekjet europiane për një ushtri europiane.

DW: Zoti Sekretar i Përgjithshëm, një diskutim i inicuar nga Franca ka filluar të merret me pyetjen, a duhet të ngrejë Europa ushtrinë e vet? Çfarë fshihet pas këtij diskutimi? A nuk besojnë europianët se SHBA do i marrë seriozisht detyrimet kundrejt NATO-s?

Jens Stoltenberg: Unë mendoj, se nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga Lufta e Ftohtë ne kemi mësuar sa të rëndësishme janë marrëdhëniet transatlantike. Ne duhet të sigurohemi që Europa dhe Amerika Veriore do të qëndrojnë bashkë. Unë përshëndes përpjekjet në rritje të BE për çështjet e mbrojtjes, sepse unë mendoj se kështu mund të forcohet fuqia mbrojtëse e BE dhe rriten mundësitë për investime të reja në fushën e mbrojtjes. Por unë nuk përshëndes idetë që kjo të dublojë përpjekjet e NATO-s. Planet europiane për mbrojten duhet të zhvillohen në kuadër të NATO-s dhe të forcojnë kolonën europiane të NATO-s. Sa kohë që kjo ndodh, unë përshëndes përpjekjet europiane në fushën e mbrojtjes.

SHBA kanë bërë të ditur se do të largohen nga Pakti INF, marrëveshja me Rusinë për sistemet nukleare me rreze të mesme veprimi. Çfarë duhet të ndodhë që të pengohet një garë e re armatimi nuklear?

Rusia duhet të shohë si t’i përmbahet me përpikmëri Paktit INF. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë të një mendimi, se sistemi i ri rus i raketave përbën me të drejtë shqetësim të madh. Ky sistem rrezikon Paktin INF. Raketat e reja ruse janë mobile, të vështira për t’u kuptuar dhe të afta për sulm nuklear. Ato ulin kufirin e përmbajtjes, nëse në një konflikt bëhet fjalë për armë bërthamore, dhe rrezja e tyre e veprimit mund të arrijë edhe qytetet europiane, para së gjithash Berlinin. Prandaj, shtetet e NATO-s ka vite që shqetësohen për sistemin e ri rus. Që në kohën e Obamës, administrata amerikane i bëri thirrje Rusisë, të respektojë plotësisht Paktin. Dhe ne i bëjmë thirrje Rusisë, që të respektojë Paktin, sepse asnjë lloj marrëveshje për kontrollin e armëve nuk do të ishte efektive, nëse njëra palë nuk i përmbahet asaj.

A i duhet NATO-s në përgjithësi një strategji e re bërthamore?

Me strategjinë tonë ne e kemi ulur rëndësinë e armëve atomike. Prej vitesh ne jemi duke luftuar për çarmatimin nuklear. NATO ka luajtur një rol vendimtar për arritjen më 1987 të Paktit INF, në mënyrë që të ndaloheshin të gjitha armët me rreze të mesme veprimi, të lëshuara nga toka. Dhe ne e kemi reduktuar me 90 përqind arsenalin e armëve atomike në Europë. Ne pra nuk duam armatim nga e para. Ne nuk duam që marrëveshje të rëndësishme për kontrollin e armëve, si Pakti INF, të minohen. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Rusisë që të sigurojë respektimin e plotë të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme.

Norvegjezi Jens Stoltenberg është Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, që prej vitit 2014. Më parë, politikani socialdemokrat ka qenë kryeministër në vendin e tij.

 

Intervistë e zhvilloi Christian F. Trippe.