SEANCA E JASHTEZAKONSHME/ Votohet vetingu, ngritja e institucioneve do të zgjasë 50 ditë

Me arritjen e marrëveshjes së re politike të enjten e kaluar që i konkretizua mbrëmjen e djeshme me votimin në Kuvend të anëtarëve të opozitës në komisionet parlamentare ad-hoc që do të verifikojnë dhe zgjedhin kandidatët, i hapet rrugë zbatimit të plotë të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Procesi i ngritjes së të gjitha institucioneve të vetingut që kishte ngecur që nga muaji prill do të zgjasë rreth 2 muaj dhe do të votohet në Parlament ku do të duhen 84 vota.

Ngecja e procesit

Marrëveshja e re politike mes maxhorancës dhe opozitës i hap rrugë edhe zbatimit të plotë të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të reformës në drejtësi. Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë përfunduar detyrën e tyre të verifikimit të kritereve dhe përputhshmërisë së figurës së kandidatëve. Nga verifikimet e Avokatit të Popullit rezultuan se 84 kandidatë plotësonin kriteret ligjore për të kandiduar për trupat e vetingut, ndërsa nga këta 17 kandidatë janë vlerësuar me rekomandim negativ nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. 109 kandidatët e tjerë nuk i plotësonin kriteret formale dhe nga këta 70 janë vlerësuar negativisht nga ONM. Kuvendi tashmë ka 3 lista për të shqyrtuar. Lista me kandidatët e pastër ku janë 67 kandidatë, lista me kandidatët që nuk plotësojnë vetëm kriteret formale që janë 39 dhe lista me rekomandimet negative të ONM që janë 87 kandidatë.

Zhbllokimi i vetingut

Komisioni Ad-Hoc që u miratua dje përbëhet nga 6 anëtarë, 3 nga maxhoranca dhe 3 nga opozita, i cili do të verifikojë të 3 listat me kandidatë që ka nën shqyrtim dhe ka 10 ditë formuluar një listë me kandidatët që janë të gatshëm për votim, për të 3 organet e vetingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe Komisionerët Publikë. Anëtarët e këtij Komisioni janë Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Fatmir Mediu, Luan Rama, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi. Komisioni ka të drejtë që me 4 vota, të mund të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk i plotësojnë kushtet formale, tek lista e kandidatëve që i plotësojnë kushtet formale dhe me të paktën 5 vota kanë të drejtë të kalojnë një kandidat të përjashtuar nga rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, tek lista e kandidatëve që shkojnë për votim në Parlament. Kjo është një nga pikat që opozita e ka kundërshtuar, pasi ajo u jep mundësi personave me problemeve të futen sërish në lista, pavarësisht se më parë mund të jenë përjashtuar nga procesi nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Hapi i radhës është i Kuvendit, i cili brenda 10 ditëve krijon dy komisione të tjera Ad-Hoc të ndarë në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe opozitës, ku një Komision ka 12 anëtarë dhe tjetri 6 anëtarë. Brenda 30 ditëve, Komisioni me 12 anëtarë përzgjedh me votë të fshehtë elektronike 12 anëtarët e komisionit të pavarur të Kualifikimit si dhe Komisionerin Publik, në një proces ku secili anëtar i Komisionit Ad-Hoc, ka të drejtë të votojë vetëm një kandidat. Të njëjtën procedurë ndjek edhe Komisioni Ad-Hoc me 6 anëtarë, i cili me votë të fshehtë elektronike zgjedh 6 anëtarët e Kolegjit të Apelimit. Me një votim të thjeshtë, Komisioni përzgjedh edhe anëtarin e 7 të këtij Komisioni, ku fitues shpallet kandidati me më shumë vota. Më pas radha është e Parlamentit, i cili merr listat e paraqitura me kandidatët fitues nga Komisionet Ad-Hoc dhe brenda 10 ditëve, duhet ta miratojë këtë listë me një shumicë të cilësuar prej 3/5-ave ose 84 vota të tij. Nëse Kuvendi nuk e miraton me 3/5 e votave, kryetari i Kuvendit ia rikthen listën Komisioneve për ta përsëritur procesin dhe brenda 10 ditëve në Kuvend mbërrin lista e re.

Afatet

Nëse respektohen afatet dhe institucionet nuk kanë përplasje mes tyre, këto institucione mund të ngrihen brenda muajit shtator, pasi e gjithë procedura e ngritjes së organeve të vetingut, do të zgjasë maksimalisht rreth 50 ditë. Kushtetuta përcakton se duhen tetë muaj për të kryer të gjithë procesin e ngritjes së vetingut, i cili nis me verifikimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e zbret shkallë-shkallë deri në nivelin më të ulët. Ajo çfarë po kërkohet nga ndërkombëtarët është nisja e punës në të gjitha nivelet paralelisht, për të përmbyllur sa më shpejt procesin e vetingut në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë. Ata  që pritet të kalojnë të parët në sitë janë krerët e institucioneve më të rëndësishme në vend që “japin drejtësi”, duke vijuar më pas me gjyqtarët dhe prokurorët. Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ai i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla, do të jenë të parët që do të plotësojnë formularët për kontrollin e figurës, kontrollin e pasurisë dhe aftësitë profesionale. Largimet e pritshme, Shkolla e Magjistraturës rrit kuotat e pranimit Ligji i rivlerësimi kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të krijojë boshllëk ekspertësh në sistemin e ri që do të ngrihet, pasi mund të jetë i madh numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk do të pranojnë ti nënshtrohen Vetingut dhe si pasojë do të japin dorëheqjen, por edhe të tjerë që nuk do ta kalojnë dot këtë test të rëndësishëm.

Plotësohen tre komisionet ad-hoc parlamentarë që do të kenë rol në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

PD-ja çon emrat në Kuvend për komisionet e Vettingut

Partia Demokratike në orën 18:00 pritet ti bashkohet kuvendit ku prej 3 muajsh ishte në bojkot. Paradite PD mblodhi grupin parlamentar në selinë blu, ku finalizoi listën e anëtarëve për komisionet e vetingut, ku mes të tjerash u diskutua edhe për fushatën elektorale. Konkretisht, Partia Demokratike dhe ajo republikane kanë propozuar kandidaturat e deputetëve: Oerd Bylykbashi, Flamur Noka dhe Fatmir Mediu për komisionet e vetingut. Krah tyre janë propozuar edhe 11 deputetë të PD-së, si pjesë e Komisionit Ad Hoc me 12 anëtarë për përzgjedhjen e kandidatëve për institucionet e vlerësimit deputetët: Oerd Bylykbashi, Dhurata Cupi, Fatmir Mediu, Gent Strazimiri, Jorida Tabaku, Aldo Bumçi. Për Komisionin Ad Hoc me 6 anëtarë, së përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit, deputetët: Eduard Halimi, Flamur Noka, Albana Vokshi. Si dhe dy anëtarët zëvendësues të pakicës parlamentare në Komisionit Ad Hoc për verifikimin e kandidatëve për Institucionet e Rivlerësimit: Helidon Bushati dhe Luçiano Boçi. Kur kishin kaluar 8 muaj pas miratimit të ligjit të vetingut, Parlamenti kishte radhën për të kryer detyrën e tij në ngritjen e organeve të vetingut. Por, kjo gjë nuk ndodhi, pasi bojkoti i opozitës pamundësoi ngritjen e një komisioni funksional për verifikimin e kandidaturave për institucionet që do të kontrollojnë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, mazhoranca bëri pjesën që i ngarkon ligji dhe votoi në seancën e 11 prillit tre anëtarët e saj në komision: Vasilika Hysin dhe Ulsi Manjën të Partisë Socialiste dhe Luan Ramën të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por ajo që ra në sy në atë seancë ishte se me këtë votim, Partia Socialiste përjashtoi nga komisioni Shpëtim Idrizin e PDIU-së. Ai mori vetëm votat e deputetëve të partisë së tij dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë, një javë më vonë, më 18 prill, mazhoranca në Kuvend përmes një seance të jashtëzakonshme që zgjati vetëm 5 minuta,  vendosi të miratojë ngritjen e dy komisioneve Ad Hoc për Vetingun. Tre partitë e mazhorancës PS, LSI dhe PDIU, paraqitën emrat e kandidatëve për komisionet e Vetingut me 12 dhe 6 anëtarë, ku PS-ja propozoi për në komisionin me 12 anëtarë emrat e deputetëve: Ulsi Manja, Bashkim Fino, Pandeli Majko dhe Evis Kushi; kurse LSI-ja propozoi Luan Ramën; ndërsa PDIU-ja propozoi Mesila Dodën. Ngritja e komisionit u miratua me 82 vota. Ndërsa për komisionin me 6 anëtarë, PS ka propozuar Vasilika Hysin dhe Ervin Bushatin, ndërsa LSI-së, Vangjel Tavon.

Propozimet e opozitës të miratuara dje në selinë blu

Komisioni Ad Hoc 6 anëtarësh

Oerd Bylykbashi

Flamur Noka

Fatmir Mediu

Komisioni Ad Hoc 12 anëtarësh

Oerd Bylykbashi

Dhurata Çupi

Fatmir Mediu

Gent Strazimiri

Jorida Tabaku

Aldo Bumçi

Komisioni Ad Hoc me 6 anëtarë

Eduard Halimi

Flamur Noka

Albana Vokshi

Anëtarët zëvendësues nga opozita në komisionet e Vetingut

Helidon Bushati

Luçiano Boçi