SEANCA E JASHTEZAKONSHME/ Përplasje të ashpra të Ben Blushit me Edi Ramën, ndërhyn edhe Berisha

Blushi: Të dy palët keni ardhur në një dasëm, sapo votuar një qeveri të përbashkët dhe thojuani shqiptarëve cila është arsyeja që ju çoi në bashkëqeverisje. Është për të qeshur por dhe për të qarë. Pas 27 vitesh, pas shumë kacafytjesh, sharjesh, shtyrjesh dhe vjedhjesh Sali Berisha me Edi Ramën i kemi sot në një qeveri. Jeni bashkë apo jo? Saliu qesh, e di që i pëlqen kjo gjë, të jetë në qeveri me rilindjen. Më në fund e realizoi.U fut në çadër tre muaj si heroi i republikës së re. Dhe si dolët nga çadra, ca si elektriçistë tek OSHEE, sa ci drejtorë burgjesh, ca si njerëz që shpërndajnë tapi hipotekash. Këto morët, OSHEE, burgjet, hipotekat. Me çfarë i ndatë këto? Me rilindjen.Kjo është çadra e rilindjes. Dhe ju që nuk latë banditë, kriminelë, edhe vrasës pa futur në rilindje, ju kishte mbetur vetëm një pa futur, Sali Berisha. E futët dhe Saliun në çadër, komplimentet e mia.Duhet tua thoni shqiptarëve pse erdhët deri këtu.Keni bërë ndonjë pakt sot për interes kombëtar?Ka Shqipëria sot më shumë punë për shkak të kësaj marrëveshje, ka më pak të varfër, ka drita më të lira, funksionon më mirë OSHEE, ka më pak njerëz nëpër burgje, ka më pak kanabis? Asgjë. Ka një pakt mes çadrës dhe rilindjes për të ndarë pushtetin në mes.

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i LIBRA, Ben Blushi kanë pasur një përplasje të ashpër në Kuvend.  Fillimisht ishte kreu i LIBRA, Ben Blushi që në një fjalim të ashpër në Kuvend ka reaguar ndaj qeverisë së re “Rama-Basha”. Në Kuvend, teksa miratohen disa ligje të dakordësuara nga pakti Basha-Rama, Blushi u shpreh se ky është pazar politik. Ai tha se kjo marrëveshje nuk është bërë për qytetarët, por për krerët  partive. Ai akuzoi PD-në se braktisi të gjitha kauzat e saja politike. Sipas tij, PD i shiti kauzat me poste në administratë dhe leje legalizimesh.

Kreu i LIBRA-s

Kreu i “LIBRA”-s, Ben Blushi, ka shpërthyer ndaj marrëveshjes PS-PD duke e konsideruar si “turpin me të madh që i është bërë vendit”. Ben Blushi nisi fjalën e tij në Parlament mbrëmjen e sotme me një ironi drejtuar Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. “Nuk dua t’jua prish dasmën. Berishën dhe Ramën i keni të dy në qeveri”. Kreu i LIBRA-s thumboi protestën e opozitës për “Republikën e Re”. “Kjo është republika që doni. Ju që u futët për republikën e re, s’mrojtet asnjë kauzë.”- deklaroi Blushi, teksa tregonte se PS, PD dhe LSI kanë ndarë qeverisjen në tre pjesë. Marrëveshjen Rama-Basha, Blushi e cilësoi si pazar për bashkëqeverisje, ndërsa deputetëve të majtë iu drejtua duke i kujtuar se janë bërë si Sali Berisha. “Nuk ka shqiptar që nuk kupton se ky është pazar për bashkëqeverisje Sot jeni si Saliu me Saliun. S’e meritonte Shqipëria këtë.” Sipas Blushit, ky bashkim u formua për një qëllim të vetëm, për t’i shpëtuar reformës në drejtësi. “Ju u bëtë bashkë për t’i ikur reformës në drejtësi. Basha kuptoi që çadra nuk është imunitet absolut nga reforma në drejtësi. Askush nuk del nga qeveria për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi. E sabotuat reforma në drejtësi.” Sipas Blushit, kjo bashkëqeverisje nuk garanton asgjë, ndërsa tre parti në qeveri nuk mund të bëjnë drejtësi ndaj njëra-tjetrës. “Bashkëqeverisje mizore që s’garanton asgjë. Kush beson që 3 palë në qeveri do bëjnë drejtësi ndaj njëra-tjetrës.” Për Blushin, të votosh për Rilindjen merr Sali Berishën, ndërsa të votosh këtë të fundit merr Edi Ramën. “Voto Rilindjen merr Saliun. Voto Ramën merr çadrën. Ky është dështim. Ky është batak që jeni zhytur.” Sipas Blushit, standardi i krijuar ndëshkon votuesin por jo komisionerin dhe numëruesin, dhe kjo ndodh pasi komisionerët dhe numëruesit janë të “bashkëqeverisjes”. Në përfundim të fjalës së tij, Ben Blushi i uroi partive një bashkëqeverisje të mbarë. “Keni krijuar një standard që ndëshkon votuesin por jo komisionerin dhe numëruesin. Kjo është republika e korrupsionit. Bashkëqeverisje të mbarë.”

Replika e Ramës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, nga foltorja e Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme plenare. Duke e etiketuar si ministrin më të mërzitur nga marrëveshja PD-PS, kryeministri Rama tha ai dhe disa të tjerë kanë tentuar të hedhin baltë mbi këtë marrëveshje. Sipas Ramës, ata e kanë cilësuar takimin e tij me Bashën si ndarje të kekut, apo byrekut. E pas kësaj, kryeministri thotë se Blushi është i mërzitur për faktin se “nuk e gjen veten në tepsi”. “Kjo qeveri është krejt tjetër nga ajo që përshkroi deputeti më i mërzitur në këtë sallë nga marrëveshja. Ajo çka më ka ngjallur më shumë neveri, se përshtypje s’më ka bërë, ka qenë se pas marrëveshjes, një lukuni e tërë personazhesh të katundit mediatik dhe politik u turrën për të hedhur baltë mbi marrëveshjen. Dhe s’gjetën asnjë mënyrë më elegante për ta bërë këtë, sesa për t’u marrë me byrekun, kekun, bakllavanë, paçen, dhe gjithë asortimentet e kuzhinës ku të tërhequr nga erërat dhe nga pangopësia e tyre, shumëkush prej tyre hynë për të shpëtuar “katundarët dhe punëtorët nga zgjedha e këtyre dhe atyre”. Të gjithë e tregonin qartësisht se e vetmja gjë që i shqetësonte te marrëveshja ishte se nuk gjenin vendin e tyre në tepsi. Dhe pavarësisht lukut apo romaneve, Ben Blushi është një njeri që ka një lidhje shumë të fortë me tepsinë. Për fat të keq, vazhdon edhe këtu persiston si zëdhënës i të gjithë atyre që ndihen të privuar në pjesën e tyre të tepsisë”, tha Rama.

NDERHYRJA E BERISHES

Sali Berisha i është përgjigjur me humor akuzave të Ben Blushit për marrëveshjen Rama-Basha, se ish-kryeministri po rikthehej sërish në qeveri.

Sipas Berishës, Blushi xhelozon për Ramën. Ai u shpreh se Blushi është xheloz dhe aty ku ka xhelozi ka dashuri.

Ai madje nuk ka nguruar t’i japë edhe një këshillë si mjek.

“Ishte një marrëveshje sipas së cilës nuk do të kishte asnjë fjalim dhe unë do t’i përmbahem kësaj. Nuk do të komentoj marrëveshjen, pasi jam shprehur një herë që është ëin, ëin story.

Jam mjek dhe asgjë nuk më shqit mua nga ndjenjat dhe psikologjia. Duke të dëgjuar ty, konstatoj një shpërthim xhelozie të papërmbajtur. Tani si mjek po të shpjegoj se xhelozia është një ndjenjë që lind në dashuri.

Dhe personi që ti dashuron preferon dikë tjetër. Më përmallove Blush kur recitove Nolin. Tani këshilla: Mos harro asnjëherë se është e vërtetë që dashuria lind xhelozinë. Por xhelozia shkatërron dashurinë. Prandaj me karar se qëllimi yt është të kthehesh aty nga dole”, – tha Berisha gjatë fjalës së tij, ndërsa të pranishmit në seancë plenare shpërthyen në të qeshura, përfshi edhe Ben Blushin.