SEANCA E FUNDIT E KUVENDIT/ Nis puna për zgjedhjet, Kuvendi miraton emrat e ministrave teknikë

Pak orë pas mësimit të emrave të opozitës për ministrat teknikë që do të mundësojnë organizimin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 25 qershorit, Kryeministri Edi Rama pranoi mëngjesin e djeshëm të gjitha propozimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për 7 emrat e rinj të qeverisë së tij, duke i dërguar më pas për dekretim në Presidencë. Ndërkohë, Presidenti Nishani ka ndryshuar datën e zgjedhjeve si rrjedhojë këtij pakti.

Votimet

Lidhur me këtë çështje, Rama dhe Basha u takuan mbrëmjen e së dielës në mjediset e Pallatit të Kongreseve ku dhe përmbyllën një nga pikat e marrëveshjes që ata arritën të enjten në orët e para të mëngjesit. Konkretisht Kuvendi miratoi pasditen e djeshme: Me 2 vota  kundër (Blushi Hafizi), 119 pro, 1 abstenim – Për postin e zëvendëskryeministrit Ledina Mandia, ish-Avokate e Shtetit në kohën e qeverisë “Berisha” dhe aktualisht këshilltare e Presidentit; Me 117 vota pro, 7 abstenim dhe 4 kundër (Cela e Braho nga LSI, dhe Hafi e Blushi  nga LIBRA) -Për postin e ministrit të Brendshëm, Dritan Demiraj, gjeneral, ish-komandant i trupave speciale dhe ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura në misionet jashtë vendit, aktualisht me banim në SHBA; Me 116 vota pro, 3 abstenim, 2 kundër (Blushi e Hafizi) – Për Ministre e Financave, Helga Vukaj, drejtoreshë e përgjithshme në KLSH dhe ish-zv/drejtoreshe e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kohën e qeverisë së djathtë; Me 106 vota pro, 3 kundër (Tavo nga LSI, dhe Blushi e Hafizi nga LIBRA) – Për Ministër i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, këshilltar ligjor i Partisë Demokratike; Me 111 vota pro, 3 kundër, 3 abstenim – Për Ministër i Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabino, pedagoge në fakultetin e Shkencave Sociale, një nga personat që ka folur në çadër gjatë protestës 3-mujore; Me 118 vota pro, 3 kundër, 4 abst –Për  Ministër i Shëndetësisë, Arben Beqiri, kirurg, pedagog dhe ish-zv/rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë;  Me 118 vota pro dhe 3 kundër – Për Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhuljeta Kërtusha me profesion inxhiniere, aktualisht menaxhere e “Statkraft” dhe më herët drejtoreshë e CEZ. Po ashtu, Partia Demokratike propozoi edhe Klement Zgurin për postin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej shumë vitesh anëtar i këtij institucioni, ndërsa avokaten Erinda Ballancën për kreun e Avokatit të Popullit. Të gjithë këta emra do të miratoheshin mbrëmjen e djeshme në Kuvend, një votim ky që bën të mundur nisjen e organizimit të procesit zgjedhor si dhe zhbllokimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, kusht ky i vendosur në marrëveshjen Rama-Basha nga kreu i qeverisë. Dekreti i ri zyrtarizon 25 qershorin si datën e darkordësuar mes Kryeministrit dhe liderit të opozitës, ku njëherësh do të mbahen edhe zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës, që u shtynë tre javë më parë si rezultat i tensioneve politike që ekzistonin mes dy kampeve.