Sarah Thomas, gruaja që sfidoi kancerin e gjirit dhe baticat e La Manche-it në një notim epik 54-orësh

Amerikanja 37-vjeçare, Sarah Thomas, pas një viti luftë ngadhënjimtare me kancerin e gjirit, ajo ka sfiduar vdekjen me sprovën e limiteve të forcës së vullnetit. Ajo ka përshkuar me not një distancë prej më shumë se 200 kilometra, duke mposhtur çdo ndalesë dhe kërcënim.
Sarah Thomas, filloi sfidën e saj epike në orët e para të së Dielës dhe përfundoi pas më shumë se 54 orësh, duke përshkuar katër herë radhazi La Manche-in me not.
Zonja Thomas – e cila përfundoi trajtimin e saj mjekësor në vitin 2018, ia kushtoi notit “të gjithë të mbijetuarve të kësaj sëmundjeje”.
Distanca që ajo duhej të përshkonte ishte rreth 80 milje (128.748km), por për shkak të baticave të forta asaj ju desh të përfundonte sfidën, duke përshkuar një distancë afër 130 milje (209.215 km.). Ajo dolin në cakun e finishit në orën 06:30 të orës lokale.
“Unë thjesht nuk mund të besoj se ia arrita kësaj” ka thënë ajo për BBC.
“Kishte shumë njerëz në plazh që do të takoheshin me mua dhe të më uronin. Ishte vërtet diçka emocionuese. Ndihem thjesht e tronditur”, ka vijuar ajo të përcjellë emocionet.
Para se të niste këtë aventurë sportive, Sarah Thomas ia kushtoi këtë akt të gjithë të mbijetuarve të kancerit.
“Kjo është për të gjithë ata mes nesh që janë lutur për jetët tona, që e kanë pyetur me dëshpërim veten se çfarë do të ndodhte, që kanë luftuar mes dhembjeve e frikës për të fituar”, u shpreh ajo në Facebook.
Kjo është ajo që mund të bëjë forca e vullnetit dhe besimi. Ky është ai mesazh që jo vetëm ka pushtuar botën e internetit, faqet e gazetave dhe kronikat televizive në mbarë botën, por ka mbushur zemrat me dritë shprtese të miliona grave që sfidojnë këtë sëmundje.
Albert Vataj