Sandër Ruçi: Prej në avion ndîj aromën e tokës, aromën e dashtun të vendit tim

Intervistoi Albina Gjergji

Aktor, regjisor, producent, mjeshtër i humorit dhe i fjalës, Sandër Ruçi është padyshim një nga figurat më të dashura të humorit shqiptar. Veçanërisht atij shkodran. Me shumë vite karrierë në historikun e profesionit të tij (400 role, 41 premiera), interpretimet e Ruçit mbeten ndër më të pëlqyerat në memorien e publikut, si dhe në arkivën e humorit shqiptar. Pak kohë më parë aktori i njohur shkodran, i cili prej vitesh jeton në USA (Florida) u rikthye në vendlindjen e tij për të vënë në skenën e Teatrit “Migjeni” recitalin e radhës me titull “Turbo Show”. Ky recital u vlerësua maksimalisht në të gjithë elementët përbërës të tij; për libretin, skenografinë dhe shijen e hollë të interpretimit, me të cilin artisti u paraqit para spektaktorëve.
Larg banales dhe krejt origjinal, Sandër Rruçi absolutisht di si ta rrokë publikun.
Zyliha Miloti, Bujar Qamili, Nexho Shabani, Mukades Çanga, etj. artistë, njëherësh edhe miq të Ruçit ishin disa nga emrat që i dhanë edhe më shumë ngjyra atmosferës fantastike që aktori solli. Sigurisht, një mendje mprehti, dashamirësi dhe pasionanti si Sandër Ruçi nuk mund të mos i binin në sy edhe disa talentë të rinj shkodranë, të cilët me dëshirën për t’i evidentuar i ngjiti në “trampolinën” e Teatrit “Migjeni”. Në atë skenë ku dihet se ka fort të lidhur trupin dhe shpirtin e tij.
E teksa gjatë intervistës për “Koha Jonë” e pyesim mbi rikthimin e radhës , aktorin e njohur herë pas here e tradhtojnë emocionet dhe sytë e njomur. Lotët, e të cilëve mjeshtërisht i fsheh nën dridhjen e mjekrës. Në bisedën që patëm me të, Sandër Ruçi na tregon se akoma po shijon suksesin e “Turbo-s”. Ama një temperamenti të zjarrtë si i tij nuk i duhet shumë për të prerë biletën drejt Shqipërisë. Mjaftojnë disa sponsorë, muza që kurrë s’i mungon dhe… bashkëpunëtorët e mirë.

Nxënës i Teatrit “Migjeni”, sot Mjeshtër i Madh. Çfarë ndjesie të transmeton ky titull teksa e mbani “veshur” prej disa vitesh?
Ndjesia asht e madhe, mbasi ke dalë prej një Akademie të madhe. Me ruejtë “status Quo-në, emrin e kësaj Akademie dhe me u vlerësu me titullin ma të naltë artistik sigurisht asht nder’ e krenari. Këtë unë ia dedikoj edhe regjisorit legjendar, të ndjerit Paulin Sekuj, i cili kur isha vetëm 21 vjeç më bani vend në “dream-team” me kapiten, Tano Banushin & Co. Sigurisht që ndjehem i vlerësuem.
Aktor, regjisor, producent, etj.. Duke e përzierë me pak humor pyetjen, mund të na thoni në cilin shtrat fle më i qetë Sandri dhe në cilin me i trazuar?
Të falemnderës për pyetjen. Për me u marrë me art nuk ban gjumë të qetë kurrë, sidomos në djep të humorit e të artit. E mandej për me hypë në shtrat (pa harru djepin, të cilit sigurisht modernja kërkon me ju largu djepit) me pasë tre titujt aktor, regjisor, producent… duhet me fjetë me një sy hapun. Por mendoj se asht edhe geni mirditor, i cili më ban me kén edhe vigjilent edhe i kujdesshëm edhe me ruejtë emnin e asaj Akademie famëmadhe, produkt i të cilit jam dhe vetë. Unë patjetër që kam shtratin tim, fizionominë time, andrrat e fantazitë e mia ku gërshetohen në këtë shtrat dhe ku unë ndjehem mirë me të tre komponentët e mësipërm.
Prej disa vitesh jetoni në Amerikë bashkë me familjen. Duke marrë parasysh lidhjen e fortë me qytetin e Shkodrës, sa e vështirë ka qenë (dhe është) për ju distanca fizike me këtë dashni?
Shumë e vështirë, por vit mbas viti kam sakrifiku dhe e kam shkurtu këtë distancë. Vetë fakti që kam dhanë 6 koncerte në Shkodër e në Tiranë në një periudhë kohore 10-vjeçare nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Tuj pasë parasysh impenjimet e ndryshme që emigracioni ka e sidomos Amerika (e cila edhe pse asht një pëllambë nën Zotin) ka detyrimet, sakrificat dhe agjendën e ngjeshun të saj. Lavdi Zotit unë dhe familja ime tashma jena të konsoliduem në USA dhe unë tashma kam kohën e duhun (plus dhe pasaportën amerikane) që ma zvogëlon në maksimum këtë distancë.
Çfarë ju mungon me tepër nga vendlindja?
Më mungojnë shumë gjana. Më mungojnë gjucat e Shirokës, më mungon Shkodra me të tana, saqë qysh në avion e ndîj aromën e tokës. Më mungojnë më të afërmit, miqtë e shokët. Më mungon murlani e verì, deri ai që m’i qeth floket… pra më mungon edhe Genci Gera (berberi). Më mungon Pjaca shekullore, mor zotnia dhe hajvani, Beqiri që na shiste akullore, por lavdi Zotit tash vij prapë. Kjoftë beku pra aeroplani.
Rutina më e bukur e një dite shkodrane?
Kafja me “Nadja e mirë” me miq e shokë tek Colosseo, shopping, erze ndër të aferm, Prekal, Velipojë, shëtitje mbasdite në Pjacë, në Pedonale, takime me diasporën, e cila e popullon dhe i jep gjallëri jashtë mase qytetit. Flejmë ndonjëherë edhe në zheg, rit që na e kanë lanë “dembabademsit”. Këtë herë rastisi të ishte edhe kampionati botëror, ku e ndoqëm me miq e shokë, etj..
Po ajo më pak e bukur?
Asht pak stres, meqë lokalet dhe tavolinat gjatë verës janë jashtë e që sigurisht konsumohet edhe alkool e ku patjetër duhet me i dhanë përgjigje edhe ndonjë pyetjeje ose ftese vulgare. Herë me finesë, por herë edhe me të njëjtën monedhë. Sigurisht këto janë në minorancë dhe pija ban punën e vet, mbasi antipasta e ka brenda ndonjë kokerr hudhër, apo turshi.
Po t’ju kërkonim që ta thërrisnit me një tjetër emër qytetin e Shkodrës, cili do të ishte ai?
Kam frikë se nuk ka emër ma të bukur, ma sinjifikativ e të cilin e njeh mbarë bota sesa emri Shkodër. Emri “dashnorja e shekujve” e simbolizon, sepse per mu kjo asht Shkodra mijëvjeçare e pamposhtun në ndjenjat e mia, se… me ken shkodran ásht titull.
Duke u kthyer pas në kohë, më saktë në Shkodrën e fëmijërisë suaj, çfarë të përbashkëte gjeni me Shkodrën e sotme?
Unë kam lind’ në lagjen “Paline Canaj “, emnin e së cilës e mban stërgjyshja. Nana ime, Pina ka pasë nanë Marien, Maria ka pasë nanë Filen, Filja ka pasë nanë Bajen e Baja ka pasë për nanë Palinën. Paline Canaj, një mjeshtre e punimeve me avliment (mëndafsh) e për këtë lagjia ka mbajtë për një kohë të gjatë emrin “Paline Canaj” (Rusi Katolik) deri mbas Çlirimit. E përmenda këtë fakt, sepse kjo lagje ka pasë dhe të tjerë mjeshtra zejtarë, artista, bejtexhinjë, piktorë, skulptorë, djelmosha e vajza të bukura që tanë bashkë kanë shku si një familje. Janë lutë festa fetare. Në krye të rruges ka kén Kisha e Shën Kollit, në fund të rrugës ka kén “Penda e Kirit”, në të majtë “Vorret e Rremajit” e në tanësinë e saj kjo lagje për në atë kohë mu më asht dukë si një Hollywood në miniaturë. Natyral me të gjithë aksesorët e tij dhe me elementët që e përbanin, prej të cilave unë kam mësuar shumë qysh fëmijë dhe të cilat kanë lanë mbresa të pashlyeshme që i ruej me nostalgji edhe sot. Sigurisht kohët kanë ndryshu si për mirë, si për keq, sepse dhe unë që po jap këtë intervistë për “Koha Jonë” i përkas brezit që ka kalu komunizëm, socializëm, demokraci e tashma kapitalizëm (brezi ma i djegun), por brez që ka qenë për shtëpi, për fëmijë, për prind e për familje. Sot patjetër jetojmë në botën e internetit, dinamika e jetës asht e shpejtë, digjitale, etj.. Njimend atëherë në fazën e parë që jua përmenda, mund të kena kén ma në primitivitet, por ka pasë ma dashni, ma shoqni e ma njerëzillëk. Ky kisha thanë asht ndryshimi mes dy kohëve, pa hy në detaje, se mandej në detaje hyn dhe dreqi.
Për të hyrë direkt në temë lidhur me suksesin e fundit që mban emrin dhe firmën tuaj, “Sandri Turbo Show”… mund të na thoni, e prisnit gjithë këtë sukses?
Sigurisht që e prisja, sepse pikë së pari nuk asht suksesi i parë e duke mos kén i pari, atëherë përgatitesh shumë seriozisht për sukseset në vazhdim, sepse asht shumë ma e vështirë me e rujtë titullin mbasi e ke marrë. Isha përgatit’ fort, në formë, përmbatje, në regji, në dekor e rekuizitë dhe kur përgatitesh me parametrat cilësorë edhe suksesi asht i garantuem. Ky asht lajtmotivi i punës sime.
Risitë e këtij spektakli ndryshe nga ato që keni mbajtur më përpara?
Elementi i ri, koncepti regjisorial, dekori, rekuizita, tematika, tipat e karaktere, të cilat ishin 13 ndërhyrje. Zhanret, spektatori shumë i cilësor, i cili mbushi për dy net plot e përplot sallën, këto ishin risitë kryesore të spektaklit, të serviruna në mënyrë shumë bashkëkohore e moderne. Këto detaje ishin risi dhe triumf në tempullin e Artit Shkodran, siç asht edhe Teatri “Migjeni”.
Disa nga emrat e bashkëpunëtorëve mund të na i përmendi?
Sigurisht. Mikja “shekullore” siç asht ikona e varietesë shqiptare, Zyliha Miloti ka peshë të padiskutueshme në koncert, por edhe Keitlin Pjalmi, Tan Brahmi, Nexho Shabani, apo aktori i vogël Marko Nikolli sollën kolor tjetër. Risi, e pse jo shpresë, për një bazë për të ardhmen e Varietesë Shkodrane, pa lanë pa përmendë këngëtarët mjeshtra, Bujar Qamili, Mukades Canga, eposi i Rrok Gjelaj, Lulka Merkulaj, Niki Mjeda, e reja Ingrid Havalja, apo shoëgirl – qershia mbi tortë, Ketlin Pjalmi ishin aksesorë të fuqishëm të spektaklit “Turbo”.
Duke patur parasysh nivelin e hollë të humorit shkodran, me siguri as ky recital nuk ka shpëtuar pa ju dhënë shpulla disa fenomene negative të shoqërisë shqiptare….
Qysh në hapje e deri në finale goditja në shenjë e këtyre dukurive me materialet, “Bruksel ku hîn e nuk del”, “ Si e gjej qytetin tim mbas 15 vitesh”, “Këpucar jo ma nált se tek këpuca”, “Domeniko”, “LGBTI”, “Gomomia e Hashashit”, apo qershia mbi tortë, “ Vllaznia asht vllazni”, e cila pasohet me një finale brilante massive, ishin çelësi i suksesit të spektaklit, “Turbo”.
Mesazhet e përcjella?
Miqësia, dashunia për njëri-tjetrin, optimizmi për jetën, marrëdhëniet shoqnore larg mllefit, përmirësimi i imazhit shoqnor e shtetëror, dashnia për vendin e miqtë, edukimi i fëmijëve, ndjenja kombëtare e respekti për artin, tradicionalja.
Një nga pikat më të dobëta të shoqërisë sonë është politika, ku i madh dhe i vogël duket se merret me të. Sipas vlerësimeve të post-spektaklit tuaj, sarkazma ndaj kësaj politike ka qenë në doza fine dhe tejet e duartrokitur. Duke qenë se jetoni jashtë, në fakt çfarë ju bën më shumë përshtypje tek politika jonë?  
Na s’kena politikë, e duke mos pasë politikë nuk kena as politikanë. Asht interesant një fakt, që janë po këta politikanë që e kan kthy vehten në një “Big Show”, ku s’ka nevojë me i kap n’dorë arti, por mjafton me pa çdo ditë të enjte Parlamentin, i cili asht kthy në një skenë gjigande varieteje, e cila nuk asht diçka e re kjo që po them unë, por kisha me thanë që s’asht sigurisht as Parlament, por as Portokalli, por shkodranisht… më falni… ne i themi “Pordhodho”. Megjithatë, në “Turbo Show” pati një material “Bruksel ku nuk hin as nuk del”, ku humoristi popullor Nexho Shabani në rolin e gazetarit e ku bashkashkarisht në tre dimensione (në rafshin komik, politik e nacional) përcollëm tek publiku atë që fatkeqësisht potikanët tanë nuk dinë ta përcjellin, “Fali Zot se dijnë çka bajnë”!
Humori shkodran dje dhe sot? Pse ka rënë prodhimtaria sipas jush dhe në ç’nivel e shihni krahasuar me atë të djeshmin? Ku ndahen dhe bashkohet sipas jush?
Kur përmenda në fillim të intervistës suaj Akademinë e Varietesë Shqiptare me Tano Banushin and Co, e thashë me plot gojë e me shumë krenari, gja të cilën, me keqardhje, por duhet me kén hipokrit me thanë të njëjtën gja për këto që marrin rrogën sot aty. Unë si produkt i asaj Akademie, jam i lumtun që kam operu me profesion të lirë që në vitin 1990 nën siglën, “Sandri and Co”. Jam mundu me ruejtë “status- quonë” e asaj varieteje, e asaj fryme edhe pa u sterpikë me elementë vulgarë, primitivë, me humor qebabësh e periferikë, te cilat nuk t’i kapërdin e nuk t’i honeps spektatori i kualifikuem shkodran, i cili nuk e ha “sapunin për djathë”. Pra, duke i qëndruar asaj “status quo-je”, që ishte ndera, unë i rri besnik e mirënjohës asaj pjese, nderës. Kjo ka bërë që gjatë gjithë këtyre viteve (i vetëm trim në luftë) vetëm recitale janë 11, prej të cilave 4 “stand-up show” e ku kam marrë vlerësimin maksimal nga shteti, me dy medalje ari. Njëra “Medalje Ari e Mirënjohjes” nga Presidenti Moisiu dhe tjetra, “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Nishani. Pra, sigurisht i jam mirënjohës dhe ia di për nder nderës.
Në këndvështrimin tuaj, ka evoluuar, apo degraduar?  
Atëherë ka qenë humor me specifikë ndryshe. Sistemi i ka quajtur artistët “gazetafolës të partisë”, por për hir të së vërtetës artistët kan kén të nivelit të naltë në një shtrimje të gjerë e jo vetëm në Shkodër. Sot ka tjetër koncept, dinamikë e problematikë. Artisti ballafaqohet me problematikë të nivelit internacional, por do të thosha se, artistat, regjisori e trupat e “Portokallisë” e “Al Pazar”, si dhe 2-3 emisione të TV Klan e Top Channel duhen vlerësu, sepse ecin me nivel e me ritëm bashkëkohor.
Sipas jush, si mund të shmangen banalitetet në humor? Si ia arrinin regjisorët dhe skenaristët e para -90-ës të bënin për të qeshur me zero banalitete apo fjalor vulgar?
Kjo ka të bëjë me nivelin e intelektin e atij që shkruan dhe që vë në skenë, por duke mos hyrë thellë në detaje, mbasi duhet shumë kohë në rreshta kisha me thanë që, si atëherë edhe sot, ku hyn banalja nuk ka ma art.
Ju numëroni disa spektakle humori, ideuar dhe realizuar po nga ju. Referuar dhe mikpritjes që Shkodra ju bën gjithmonë, kur do ta kemi të radhës dhe pse jo edhe në kryeqytet?
Në këtë 60 vjetër të estradës, që sapo kaloi (përveç nostalgjisë, pasi në këto 60 vjet unë kam 43 vite që luaj në atë skenë të shenjtë) janë më shumë se ¾ e ne karrierë. Kam rreth 400 role, 41 premiera të vëna në skenë, 2 tituj mbi shpinë, me një simpati e dashamirësi gjithmonë të madhe e gjithmonë në rritje në qytetin tim… ndjehem mjaft krenar edhe pse i anashkaluar, pasi nuk kisha ftesë për këtë eveniment. Megjithatë, jam shumë i lumtur që jam pjesë e historisë së kësaj Varieteje, por dhe shumë komod, sepse jashtë modestisë dhe për hir të së vërtetës unë në këtë histori kam pjesën e kontributin tim të patjetërsueshëm në mënyre individuale, të cilën s’mund ta mohojnë dhe e cila asht e do të jetë në memorien e artëdashësve, për të cilët respekti asht maksimal. Vetëm publikut shkodran i detyrohemi për çdo gja të bukur, pra pyetjes suaj kur do të jetë shfaqja e radhës, unë mirditoro- shkodrano- amerikani ju them e dashtun Albinë, duke përshëndetur edhe gazetën tuaj “You never know”. Mbarësi e mirë u takofshim në Shqipninë tonë. Shpresoj në ditë shumë më të mira. Ju përqafoj.
Sandër Ruçi, Florida 2018.

Koha Jone